Ola Xama pas shembjes së rrugës Korçë-Ersekë: Nuk mbaron prej 10 vjetësh, të veprojë drejtësia

Shqipëria

Ola Xama pas shembjes së rrugës Korçë-Ersekë: Nuk mbaron prej 10 vjetësh, të veprojë drejtësia

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 22:50
Foto nga vendi i ngjarjes

Kjo që ka ndodhur me rrugën Korçë-Ersekë mund të jetë një aksident normal inxhinierik ose faj shumë i rëndë i një zinxhiri të gjatë institucionesh dhe kompanish: që nga kontraktori, mbikëqyrësi e deri njësia e monitorimit të projektit. Dëmi i shkaktuar mund të quhet tallje, por ne si popull me tallje jemi mësuar dhe nuk na bën përshtypje. Kolonjës kanë 10 vjet nuk po ia bëjnë rrugën dhe sërish 65% votuan Partinë Socialiste.

Ajo që nuk falet këtu është rrezikimi i jetës të udhëtarëve në një rrugë që hapet për qarkullim pa u kolauduar, çertifikuar dhe marrë në dorëzim si e sigurt. Kjo papërgjegjshmëri që hap rrugë për inaugurim në prag zgjedhjesh duke marrë në qafë njerëzit duhet të marrë fund. Në të kundërt duhet të veprojë drejtësia dhe t’i vërë përpara përgjegjësisë të gjithë ata që përveç talljes venë në rrezik jetën tonë.

Mbyllja e syve dhe mungesa e zbatimit të rregullave të mbikëqyrjes, shkaktuan gjatë tërmetit 2019 dhjetëra viktima dhe miliona euro dëme. Këto të fundit i kemi paguar nga xhepi me taksa dhe do t’i shlyejmë në të ardhmen po xhepi jonë sepse një pjesë janë borxh. Por mësime nuk duket se kemi marrë.

17 kilometra të lotit 2 Korçë-Ersekë kanë kushtuar afërsisht 50 milion euro. Segmenti ka standard normal të kategorisë C dhe vetëm një korsi. 1 kilometër i saj ka kushtuar 3 milion euro. Por pavarësisht kësaj, rruga ka 10 vjet që nuk mbaron. Punimet për pjesën e parë (atë që ka rrëshkitur) duhet të ishin dorëzuar në vitin 2022, ndërsa për të gjithë veprën në prill të këtij viti.

Tenderi është fituar nga kompania A.N.K. në pronësi të vëllait të ish-deputetit socialist Ndue Kola, ndërsa kompania ka marrë afro 4 milion euro shtesë për punime të paparashikuara. A.N.K fitoi koncesionin për ndërtimin e rrugës me gjatësi 17 km Milot-Balldren me vlerë 310 milion euro, projekt që u braktis pasi dështoi të siguronte paratë nga bankat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat