Vrasja e 50-vjeçarit në Durrës, policia: Arrestohen tre fëmijët, armën e shkrepi djali 24-vjeçar

Shqipëria

Vrasja e 50-vjeçarit në Durrës, policia: Arrestohen tre fëmijët, armën e shkrepi djali 24-vjeçar

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 19:15
Pëllumb Meta

Policia e Durrësit ka zbardhur zyrtarisht vrasjen e 50-vjeçarit Pëllumb Meta në Shënavlash të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur më 10 Shkurt 2024, ora 15:00, në një prej dhomave të shtëpisë, ndërsa trupi i viktimës u varros në një kasolle aty pranë banesës.

Policia doli zyrtarisht në konferencë dhe njoftoi se për krimin janë arrestuar tre fëmijët e Pëllumb Metës, ndërsa bashkëshortja e tij, Blerina Meta është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Ekzekutor i krimit, sipas Policisë së Durrësit, ka qenë djali i madh i familjes, 24-vjeçari Hysen Meta, i cili ka shkrepur armën pistoletë model 54, që u gjet në një zonë moçalore te “Vaskat”. Hysen Meta ka pranuar para uniformave blu autorësinë e krimit të rëndë, shkruan TV Klan.

Ndërkohë, vajza e tij 19-vjeçare, Hygerta Meta ka qenë bashkëpunëtore në krim. Për vrasjen është arrestuar edhe djali tjetër, 22-vjeçari Amarildo Meta, që akuzohet se ka ndihmuar në fshehjen e trupin të të atit.

24-vjeçari Hysen Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes kanë qenë konfliktet e vazhdueshme familjare dhe nxitja e babait që motra e tij, Hygerta Meta, të martohej me një djalë pa dëshirën e saj.

Ka qenë djali i viktimës, Hysen Meta, ai i cili ka kallëzuar më 13 Shkurt 2024 në polici se babai i tij ka humbur kontaktet me familjen dhe ishte zhdukur. Në këtë moment uniformat blu kanë nisur kërkimet për gjetjen e Pëllumb Metës, por pas hetimeve, policia ka konstatuar se ky rast nuk kishte të bënte me zhdukje, por me vrasje në familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat