Belind Këlliçi për situatën te varrezat e Tufinës: SPAK të hetojë

Shqipëria

Belind Këlliçi për situatën te varrezat e Tufinës: SPAK të hetojë

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 15:39
Belind Këlliçi

Në një dalje publike Belind Këlliçi, në emër të Rithemelimit denoncoi Bashkinë e Tiranës, për situatën në varrezat e Tufinës.

Sipas tij, është e papranueshme dhe e patolerueshme që të shohësh imazhe të tilla, me mbeturina dhe qese që mbështjellin kocka njerëzore.

Ai i bëri thirrje SPAK që të hetojë rastin.

Deklarata:

“Këtë deklaratë dua ta nis me një ndjesë për të gjithë qytetarët që na ndjekin, për këto pamje tronditëse të cilat po shfaqim, por qytetarët shqiptarë dhe në veçanti banorët e kryeqytetit, duhet të dinë të vërtetën dhe se nga kush drejtohet sot Bashkia Tiranë.

Ky institucion për fatin tonë të keq, tashmë është kthyer në strofkullën e lajmeve të errëta e këtë radhë të kobshme. Në institucionin ku do të duhej të zgjidheshin hallet dhe problemet e rreth gjysmës së popullsisë së Shqipërisë, jo vetëm që qytetarët vidhen në mënyrë sistematike, por sot jemi të skandalizuar nga një ngjarje makabre, e cila është në kufijtë e krimeve kundër njerëzimit. Krimi i radhës në Bashkinë Tiranë, nuk ka të bëjë këtë herë me të gjallët, por me ata të cilët janë larguar nga kjo botë. Këto pamje janë publikuar mbrëmjen e djeshme, nga emisioni investigativ “Piranja”, në varrezat e Tufinës.

Në këto pamje të tmerrshme të cilat mund t’i shohim vetëm në skenarë filmash horror, apo pamje të regjistruara në fushë betejat e luftrave botërore, shihen qartë mbetjet e fëmijëve të cilët kanë humbur jetën disa vite më parë. Është e papranueshme dhe e patolerueshme të shohësh imazhet e disa qeseve mbeturinash, që mbështjellin kocka njerëzish me dhe pa emër, si të jenë pamjet e tmerrshme të ushtarëve të vrarë në luftë, hedhur kapicë nga kundërshtari në front. Kjo barbari, ky dhunim monstruoz i dinjitetit njerëzor, e çon Bashkinë Tiranë në një tjetër podium, nga institucioni më i korruptuar në Europë, tashmë në institucionin më barbar të Europës!

Përgjatë gjithë historisë, mënyra se si të ikurit nga kjo botë trajtohen, shpesh ka dëshmuar gradën e civilizimit të shoqërisë. Ajo ç’ka pamë nga investigimi i programit “Piranja”, është një krim makabër, mohimi i të cilit paturpësisht shton neverinë ndaj mungesës së humanizmit dhe shkeljes së ligjeve të shkruara e të pashkruara. Keqtrajtimi, që u bëhet trupave të vdekur, të hershëm a të vonë, shkakton një revoltë, që nis nga thellësia e psiqikës sonë, sepse shkon kundër pritshmërisë thelbësore të qytetarisë për të trajtuar të vdekurit me respekt, nder e dinjitet. Nuk ka fjalë të cilat mundet të justifikojnë mosveprimin e organeve ligjzbatuese në këtë rast. Partia Demokratike do të kallëzoje në SPAK sërish këtë javë Erion Veliajn, pasi nga sa përcaktohet në ligj, zhvarrimet bëhen me lejen e Kryetarit të Bashkisë dhe depozitimi bëhet në një ndërtesë specifike.

SPAK në fakt do duhej të zbarkonte që mbrëmë në zyrat e Bashkisë Tiranë dhe të bënte shembull përgjegjësit e këtij skandali të paimagjinueshëm, i cili ka tronditur çdo qytetar të Tiranës e jo vetëm. Por mesa duket, gjumi letargjik që ka kapur organin e akuzës, dhe frika nga kryebashkiaku i Tiranës, vijon ta mbajë këtë institucion në krahun e keqbërësve dhe të korruptuarve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat