Gjykata e Lartë vendos për “21 janarin”/ Krim shtetëror, pritet nëse SPAK do nisë hetimet

Shqipëria

Gjykata e Lartë vendos për “21 janarin”/ Krim shtetëror, pritet nëse SPAK do nisë hetimet

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 13:15
Foto ilustrim

Gjykata e Lartë pritet që të vendosë sot nëse hetimet për dosjen e 21 janarit do të kryhen nga Prokuroria e Posaçme apo nga ajo e Tiranës.

Vrasjet në Bulevard gjatë protestës së opozites socialiste të 13 viteve më parë janë cilesuar krim shtetëror.

Edhe Gjykata e Strasburgut ka kërkuar rihetimin e kësaj ngjarje, ku katër qytetarë u vranë nga plumbat e Gardës me urdhër të shtetit.

Gjykata europiane për të drejtat e njeriut në vendimin e zbardhur për vrasjen e Aleks Nikës në protestat e 21 janarit ka bërë pëgjegjës shtetin shqiptar për vrasjen por edhe për mos zbardhjen e saj dhe ndëshkimin e autorëve.

Sipas gjykatës, shteti dështoi të kontrollojë protestën dhe oficerët e Gardës së Republikës perdoren armët e zjarrit duke vrarë katër persona përfshi edhe Aleks Nikën. Në Shqipëri, sipas vendimit të Strasburgut, gjykatat nuk saktësuan nëse përdorimi i armëve mbi protestuesit ishte mundësia e fundit për gardistët.

“Proceset kombëtare nuk shqyrtuan nëse forcat e sigurisë mund të kishin përdorur mjete të tjera (jo-vdekjeprurëse) per kontrollin të turmave, të cilat në ditën e ngjarjeve ishin përdorur shumë pak dhe kjo për motive që nuk janë shpjeguar nga autoritetet”.

Po kështu gjykata thotë në vendim se, zyra e Kryeministrisë qe drejtohej nga Sali Berisha nuk ofroi të gjitha video incizimet ose Prokuroria dështoi të sekuestrojë regjistrimet që do të ishin provë e vlefshme për hetimin.

Në fund gjykata europiane për të drejtat e njeriut sugjeron se autoritetet duhet të vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Aleks Nikës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve. Gjykata e Strasburgut u vu në lëvizje me kërkesë të familjes Nika.

Dosja për vrasjen e Aleks Nikës po hetohet prej 2 vitesh nga prokuroria e Tiranës që nuk ka dalë ende në një përfundim për autoresinë e krimit. Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat