Analisti nga Shqipëria tregon rëndësinë e vizitës së Zelenskyt në Tiranë

Shqipëria

Analisti nga Shqipëria tregon rëndësinë e vizitës së Zelenskyt në Tiranë

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 23:46
Aleksandër Çipa

Analisti dhe gazetari nga Shqipëria, Aleksandër Çipa, tregoi rëndësinë e vizitës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për herë të parë në Tiranë.

Çipa tha se përveç rëndësisë në planin gjeopolitik, vizita e Zelenskyt do të luajë rol edhe në planin e komunikimit partnerial mes Shqipërisë dhe vendeve aleate të NATO-s.

“Në planin gjeopolitik ka një rëndësi të veçantë, sepse Shqipëria gjatë kësaj jave shndërrohet në kryeqendrën e diplomacisë rajonale. Së dyti në planin e komunikimit partnerial mes Shqipërisë zyrtare dhe vendeve aleatë të NATO-s, kjo merr një rëndësi të posaçme sepse gjeneron në hapësirën e rajonit të Ballkanit perëndimor, një influencë pozitiviste. Besueshmëria partneriale e Shqipërisë, me vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, merr një vëmendje të posaçme, tërheq vëmendshmërinë diplomatike të hapësirës kontinentale dhe gjeneron në marrëdhëniet partneriale me vendet e këtij rajoni”, deklaroi Çipa.

Ndërkaq, sa i përket planit ushtarak, Çipa vlerësoi që do të përcaktohet edhe njëherë pozicioni i Shqipërisë si një vend i përfshirë në detyrime dhe vendosje në dispozicion të infrastrukturës ushtarake.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë Shqipërinë për herë të parë, dhe pritet që të mbërrijë në Tiranë mbrëmjen e sotme për të marrë pjesë në punimet e Samitit ku do të marrin pjesë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat