BE-Ballkani, takim në Tiranë për Planin e rritjes për rajonin

Shqipëria

BE-Ballkani, takim në Tiranë për Planin e rritjes për rajonin

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 18:51
Foto ilustrim

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesë të Komisionit europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, u mblodhën sot në Tiranë për të diskutuar rreth Planit të rritjes që Komisioni europian ka ofruar për rajonin. Brenda këtij viti syonhet të vihen në zbatim disa projekte që lidhen me sistemin e pagesave, me reduktimin e procedurave të qarkullimit të mjeteve dhe mallrave, inovacionin apo ofrimin e internetit në hapësira publike në të gjithë rajonin. Në takim nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili ndodhet për vizitë në Irlandë. Mungesa e tj u kritikua nga një pjesë e opozitës në Prishtinë.

Plani i rritjes, i prezantuar nga Presidentja e Komisionit europian Ursula Von der Leyen në Tiranë vitin e kaluar synon që t’i ofrojë rajonit, përpara se vendet e tij të anëtarësohen, disa nga përfitimet që kanë shtetet anëtare. Bëhet fjalë për 6 miliardë euro të vëna në dispozicion për të nxitur njëkohësisht dhe rritjen ekonomike si dhe për të përshpejtuar konvergjencën shumë të nevojshme socio-ekonomike mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit europian. Qëllimi është që në thelb t'u mundësohet vendeve të Ballkanit Perëndimor, që të përshpejtojnë reformat dhe investimet për të zmadhuar shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.

Siç deklaroi dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, zbatimi i Planit të rritjes, “ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e BP në 10 vitet e ardhshme”. Nga ana e tij kryeministri shqiptar Edi Rama solli një shembull konkret të përfitimeve të rajonit, ndërsa vuri në dukje se “nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave, zonës evropiane të përbashkët të pagesave, do të ulim me gjashtë herë tarifat e qytetarëve tanë që ndodhen jashtë për të dërguar para në shtëpi, duke qenë se do të ulë 6 herë koston e të gjitha transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së. Vetëm duke bërë këtë, ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë miliard euro në xhepat e njerëzve”.

Për të përfituar nga fondi 6 miliardë eurosh, vendet e rajonit duhet të ndërmarrin një seri reformash. Zoti Varhelyi, theksoi se “për të ecur përpara, rajoni vetë duhet të ecë me shpejtësi, të ketë rezultate për ato reforma që e bëjnë këtë plan funksional. Dhe ky plan, bëhet funksional nëse zbatoni rregullat e BE-së, në rast se i pranoni të gjitha këto rregulla, dhe të mund të bëheni pjesë e tregut përpara se të bëheni anëtarë”.

Plani i rritjes kërkon një angazhim konkret nga të gjitha vendet e rajonit, e për këtë kryeministri Rama u shpreh se është një mundësi që nuk duhet humbur: “Me Planin e ri të rritjes tashmë në fuqi domosdoshmëria është e qartë, ose do të ndërmarrim hapat e nevojshme për të ecur më pranë BE-së e njëri-tjetrit ose të rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend në tryezën e BE-së e për t’u dhënë ekonomive e qytetarëve tanë një siguri për nevojat e tyre për vitet që vijnë. Ose e bëjmë së bashku ose dështojmë së bashku. BE është tanimë me e gatshme se kurrë të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e konstelacionit të saj. Duhet të jemi ne tashmë më të gatshëm se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare të re të hapur mundësie”, u shpreh zoti Rama.

Në një rajon ku konfliktet dypalëshe kanë qenë ato që kanë diktuar më së shumti të ardhmen, kryeministri shqiptar drejtoi thirrjen që “t’i lëmë mënjanë këto dallime për një punë bashkëpunuese e jetike që kemi përpara me synim për të transformuar rajonin e vendet tona. Sigurisht çështjet dypalëshe mbeten por duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh”.

Në takimin e sotëm, Kosova nuk ishte e pranishme. Kryeministri Albin Kurti nuk erdhi në Tiranë, për shkak, siç u tha, të angazhimeve të marra më herët, por ai iu drejtua samitit me një videomesazh. Një pjesë e opozitës në Kosovë kritikoi mungesën e tij. Në reagime thuhet se kryeministri i cili ndodhet për një vizitë në Irlandë, nuk mund të kishte angazhim më të rëndësishëm sesa takimin në Tiranë dhe se me këtë qasje të tij Kosova jo vetëm që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as nuk do të ndihmojë në heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj saj.

Plani i rritjes është një instrument i ri në mbështetje të procesit të zgjerimit, i cili ka marrë një vemendje të shtuar nga Bashkimi europian. Në mënyrë të përsëritur, dëgjohen deklaratat se zgjerimi është ndër prioritetet e tij. Megjithatë procesi shpesh bëhet peng i qëndrimeve të njëanshme të ndonjë vendi anëtar, si në rastin e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut apo Greqisë, më parë me Shkupin e tanimë me Tiranën, për rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, duke penguar përparimin në bisedimet për anëtarësim

Komisioneri Varhelyi tha sot se në Bruksel të gjitha janë dakortësuar me faktin se “Shqipëria është gati për të hapur negociatat për grup-kapitullin e parë. Unë nuk e kuptoj dot se pse nuk e marrim dot ne këtë vendim, edhe pse e kuptoj tërësisht rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të tilla dhe të mira me fqinjët në rast se ti e bllokon tjetrin për të ecur përpara”.

Komisioneri për Zgjerimin tha se shpresonte shumë që në muajt në vijim të mund të mbahet konferenca tjetër ndërqeveritare në mënyrë që të kalohet tek negociatat e vërteta mes Komisionit dhe Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat