Plagosja në Pogradec, vëllai i 27-vjeçarit mohon se Jolldashi ka qëlluar i pari: I dolën në pritë dhe e gjuajtën 4 herë

Shqipëria

Plagosja në Pogradec, vëllai i 27-vjeçarit mohon se Jolldashi ka qëlluar i pari: I dolën në pritë dhe e gjuajtën 4 herë

Më: 3 mars 2024 Në ora: 17:54
Foto ilustrim

Vëllai i 27-vjeçarit Alted Jolldashit, që mbeti i plagosur të premten në Pogradec dhe më pas u arrestua nga policia, ka mohuar versionin e policisë mbi ngjarjen.

Në një reagim me video, ai është shprehur se vëllait të tij i dolën në pritë disa persona dhe e qëlluan, ndërsa shton se nuk janë arrestuar të gjithë autorët e ngjarjes.

Vëllai i 27-vjeçarit hedh akuza të forta ndaj Deis Mekos, duke thënë se është person që mbrohet nga policia, pasi u jep atyre ryshfet, ndërsa shton se gjithashtu njihet si person që shet kokainë, jep fajde dhe zhvillon aktivitet të lojërave të fatit.

Ai gjithashtu thotë se i vëllai, rreth dy muaj më parë, është dhunuar dhe kanosur nga po këta persona që e plagosën, dhe pavarësisht denoncimit të bërë, thotë se policia nuk mori asnjë masë.

Deklarata e tij e plotë:

Përshëndetje, në qytetin e Pogradecit ka ndodhur një ngjarje ku është plagosur vëllai im. Krimineli Deis Meko bashkë me bandën e tij i kanë zënë pritë vëllait tim dhe e kanë plagosur me pistoletë më 4 plumba, një në gjoks, një në dorë, një në këmbë dhe një në shpatull.

Siç duke dhe nga video, krimineli Deis Meko ka qenë me tre makina dhe vetë i 7-ti, kur ka qëlluar 4 herë me pistoletë dhe ka rrezikuar jetën e dhjetëra fëmijëve që ndodheshin aty në momentin e të shtënave.

Krimineli Deis Meko favorizohet nga inspektorët e policisë kriminale të Pogradecit, pasi ai u jep ryshfet atyre. Pra, edhe në video duke qartë kush e ka qëlluar vëllain tim.

Hetuesit e Krimeve të Komisariatit të Pogradecit, po e ndihmojnë krimineli Deis Meko që t’a marrë përsipër krimin një person tjetër, me iniciale K.L., 27 vjeç, që krimineli Meko e mban për rasti si kjo që sapo ndodhi.

Krimineli Deis Meko është i përfshirë në punë të jashtëligjshme, si shitje kokaine, në një lokal, përballë shkollës së mesme ‘Muharrem Çollaku” dhe në tre lokale të tjera që i disponon në çdo cep të qytetit të Pogradecit dhe i disponon dhe për shpërndarje fajdesh dhe lojëra fati. Çdo gjë mund të verifikohet lehtësisht, që me personin e parë që do të takoni në Pogradec dhe do ta pyesni, sepse njihet shumë mirë që është një kriminel.

Policia e Shtetit nuk i ka marrë masat më përpara se të ndodhe kjo gjë, sepse është pasojë e asaj…se vëllai im para një muaj e gjysmë ka bërë denoncime se persona me maska e kanë goditur me sende të forta në kokë, me leva, në kërcënimin e armës. Është shtruar në spital, ka marrë ndihëm e nevojshme dhe policia në asnjë rast nuk ka marrë asnjë person në pyetje për këtë ngjarje, edhe pse ka patur emra konkretë. I bëj thirrje ministrit dhe të gjithë mediave të vihet në vend drejtësia.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Pogradec

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, ngjarja e djeshme, ku gjatë një konflikti, mbeti i plagosur me armë zjarri një 27-vjeçar.

Shkon në 3 numri i të ndaluarve nga Policia, në lidhje me këtë konflikt. Arrestohet në flagrancë edhe 27-vjeçari i plagosur A. J.

Sekuestrohen dy armë zjarri, 1 pistoletë me të cilën ka qëlluar i plagosuri dhe 1 revolver me mulli, me të cilën ai u qëllua nga njëri prej të arrestuarve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Personit të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur pasditen e datës 01.02.2024, në lagjen nr. 1, Pogradec, arrestuan në flagrancë shtetasin A. J., 27 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec.

Nga tërësia e hetimeve të kryera, rezulton se gjatë një konflikti me armë të ndodhur për motive të dobëta, midis këtij shtetasi dhe dy shtetasve të tjerë D. M., 32 vjeç dhe K. L., 27 vjeç, (të cilët pas kontrolleve të shumta dhe negociatave me familjarët u vetëdorëzuan në Polici dhe u arrestuan) shtetasi A. J., mbeti i plagosur me armë zjarri, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pistoletë e shtetasit A. J., dhe një revolver me mulli i cili i përket shtetasit K. L., të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat