Ndjehet jehona e avionëve të NATO-s në Kuçovë/ Flitet për rëndësinë e bazës – përmendet edhe sulmi i Banjskës!

Shqipëria

Ndjehet jehona e avionëve të NATO-s në Kuçovë/ Flitet për rëndësinë e bazës – përmendet edhe sulmi i Banjskës!

Më: 4 mars 2024 Në ora: 08:33 Përditësuar në ora: 12:17 më 04.03.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Avionët italianë të NATO-s inaugurojnë Bazën e Kuçovës, shfaqen edhe helikopterët Black Hawk

Hapja e bazës ajrore taktike në Kuçovë u mbyll me një fluturim të avionëve luftarak italian të NATO-s dhe nga helikopterët e Ushtrisë Shqiptar Black Hawk, që u ndoq nga të pranishmit.

Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.

Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.

Baza ajrore e Kuçovës ishte pjesë e bisedimeve dypalëshe mes kryeministrit Rama dhe sekretarit Amerikan të shtetit Anthony Bliken.

Shefi diplomacisë amerikane deklaroi se kjo bazë do të ketë ndihmën e të gjithë vendeve partnere në NATO për pajisjen e saj me teknologjinë më të fundit. 

Rama: Rëndësia e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë tejkalon kufijtë e vendit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë është e një rëndësie e cila i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

Rama është shprehur se baza ajrore e NATO- në Kuçovë është një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, që sikurse theksoi kreu i qeverisë “nuk është i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperaliste të federatës ruse”.

“Jam i lumtur që një punë e nisur prej shumë kohësh arriti të përfundojë dhe këtu bashkë me ne janë dhe plot miq e partnerë, Aleatë, të cilët do doja të falënderoja ministrin e mbrojtjes së Italisë i cili ka ardhur me avionë luftarakë me vete dhe nga ana tjetër falënderoj miqtë e aleatët tanë të paçmueshëm turq të cilët pothuajse tre dekada mbajtën gjallë frymën e kësaj baze e cila sot është krejtësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë që është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperaliste të federatës ruse”, ka deklaruar ai.

Kryeministri Rama ka theksuar  se riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është pjesë e ripërtëritjes cilësore të flotës ajrore.

“Dy helikopterët e rinj dhe dronët Bajraktar, janë pjesë e një rritje që do vazhdojë”, ka theksuar ai.

Rama ka thënë se kjo bazë e re ajrore do të hapë vende të reja pune, si dhe do të ndikojë pozitivish në ekonominë lokale. Ndër të tjera, ai u shpreh se baza e re ajrore e NATO-s do të shoqërohet nga baza detare në Porto-Romano për të cilën shtoi se po punohet ngushtësisht me Aleancën.

“Nga ana tjetër, falënderoj banorët e zonës për durimin e treguar gjatë rehabilitimit e rindërtimit të kësaj baze. Uroj që kjo bazë të sjellë për ta mundësi të reja punësimi dhe mundësi të reja për zinxhirin e shërbimeve duke ndikuar në ekonominë lokale. Kjo bazë e re taktike ajrore e NATO do shoqërohet nga baza e re detare e NATO-s në PORTO-Romano për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe së shpejti do i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës”, ka deklaruar ai.

Begaj kujton sulmin në Banjskë: Dëshmoi se sa e brishtë është siguria në rajon. Duhet të jemi gjithmonë gati

Presidenti Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në inaugurimin e Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, tha se shënon një kapitull të ri të mbrojtjes së vendit dhe rajonit.

Begaj kujtoi sulmin në Banjskë, ndërsa tha se ishte një dëshmi se sa e brishtë është siguria në rajon dhe se ka ende aktorë lokalë që duan të projektojnë të ardhmen nëpërmjet të kaluarës.

Prandaj, shtoi kreu i shtetit, duhet të jemi gjithmonë gati.

“Jetësimi i Bazës së Kuçovës shënon një kapitull të ri të mbrojtjes së vendit dhe rajonit. Është rezultat i bashkëpunimit me aleatët dhe vëmendjes së Shqipëria i kushton paqes. I shpreh mirënjohjen aleatëve të NATO-s, veçanërisht aleatit tonë strategjik, Amerikës, për kontributin që na kanë dhënë.

Baza ajrore taktike e NATO-s, simbolizon një urë kur e shkuara dhe e tashmja bashkohet për një të ardhme më të sigurt. Tregon angazhimin tonë për të mbrojtur vendin dhe parimet dhe vlerat demokratike. Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht, kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që NATO ka te Shqipëria.

NATO përmes këtij investimi tregon se Shqipëria ka një vlerësim për aleancën. Ky investim merr rëndësi të veçantë në kushtet kur siguria në hapësirën euro-atlantike është e rrezikuar. Sulmi në Banjskë tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë, ku ka ende aktorë lokalë që mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare që nuk kthehet më. Duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten“, tha presidenti.

Fjala e plotë e Presidentit:

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s,

Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA,

Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë.

Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.

Nga kjo bazë, Ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes  dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive.

I shpreh mirënjohjen të gjithë aleatëve tanë në NATO, veçanërisht partnerit tonë strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.

Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë.

Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt.

Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku.

Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar.

NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën.

Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës.

Për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite.

Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar.

Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike.

Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë.

Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më.

Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit.

Ndaj, Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme.

Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë.

Rritja e buxhetit për mbrojtjen, modernizimi i forcave tona të armatosura, rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe fuqizimi i kapaciteteve njerëzore janë domosdoshmëri.

Unë mbështes çdo nismë që qeveria ka ndërmarrë për mbështetjen sociale të personelit të Forcave të Armatosura sepse të jesh pjesë e Forcave të Armatosura nuk është vetëm një profesion, është krenari kombëtare, i shërben Atdheut dhe kauzës së lartë të paqes dhe sigurisë.

Të nderuar të pranishëm,

NATO feston këtë vit 75-vjetorin e krijimit dhe Shqipëria 15-vjetorin e anëtarësimit. Nuk ka më mirë që këta përvjetorë të festohen me investime të tilla të rëndësishme.

Kjo  bazë, si dhe angazhimi ynë në NATO,

është investim në mbrojtjen e vendit tonë,

është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë pas nesh,

është dëshmi e përkushtimit tonë për të punuar së bashku me aleatët tanë për të ndërtuar një botë më të sigurt për të gjithë.

Inaugurimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçove, Wisner: Përgëzoj dëshirën e Shqipërisë për të zgjeruar bashkëpunimin me aleancën

I dërguari me punë nga SHBA në Shqipëri, David Wisner gjatë fjalës së tij në inaugurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë është shprehur se ky është një gur kilometrik në përkushtimin e Shqipërisë ndaj aleancës.

Ai shtoi se NATO është aleanca ushtarake më e suksesshme dhe më e qëndrueshme në histori dhe se simboli i angazhimit të saj është rritur edhe më tepër pas nisjes së  agresionit rus në Ukrianë.

David Wisner: Dëshiroj ti bashkohem partnerëve, për ta përgëzuar Shqipërinë në përurim e kësaj baze. Gur kilometrik  në përkushtimin e Shqipërisë në NATO.

NATO qëndron si aleanca më e suksesshme dhe e qëndrueshme në histori. Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia NATO është rritur si simbol i angazhimit.

Përgëzoj dëshirën e Shipërisë për të zgjeruar bashkëpunimin nme NATO-s dhe të lëvdojmë qëllimin e Shqipërisë  për rritjen e kapaciteve të ushtrisë

Ndërkohë që shkojmë drejt Samitit të NATO-s në verë, ne qëndrojmë sëbashku, si përherë.

Peleshi: Pikë strategjike në rajon për Aleancën

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi njoftoi sot rihapjen e bazës ushtarake ajrore të Kuçovës.

Në fjalën e tij në ceremoninë e përurimit të bazës së re të NATO-s në Kuçovë, Peleshi ka deklaruar se do jetë baza kryesore e Forcave Ajrore të Shqipërisë ndërsa theksoi se kjo është një pikë strategjike për Aleancën dhe për rajonin.

“Sot deklarojmë zyrtarisht hapjen e bazës së NATO-s në Kuçovë. Një ekip i jashtëzakonshëm ka punuar ditë e natë për ngritjen e kësaj baze. Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s”, nënvizoi Peleshi.

Ministri u shpreh se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë do të jetë nyje lidhëse për vendet e rajonit.

“Helikopterët Black Hock dhe dronët “Bajraktar” janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimet në bazë. Numri i tyre do rritet ndjeshëm në vijim”, shtoi ai.

Gjithashtu, ministri nënvizoi se kjo bazë ka kapacitet për përballjen me fatkeqësitë natyrore.

“Jo më larg se dy vite më parë askush nga ne nuk e kishte menduar që Evropa do të përballej me një agresion të tillë, siç po ndodh me agresionin rus në Ukrainë. Baza është një aset për të gjithë rajonin, ne do vijojmë përpjekjet për të vënë në përdorim të NATO-s edhe portin ushtarak të Porto Romanos”, tha Peleshi.

Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.

Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.

Baza ajrore e Kuçovës ishte pjesë e bisedimeve dypalëshe mes kryeministrit Rama dhe sekretarit Amerikan të shtetit Anthony Bliken.

Shefi diplomacisë amerikane deklaroi se kjo bazë do të ketë ndihmën e të gjithë vendeve partnere në NATO për pajisjen e saj me teknologjinë më të fundit. 

Në Kuçovë përurohet baza ajrore e NATO-s, Rama njofton se sot do ta bëjnë fluturimin e parë dronët Bayraktar

Sot do të përurohet baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar disa pamje, ku edhe ka njoftuar se dronët Bayraktar do ta bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e hapjes së bazës së e ajrore të NATO-s.

Mirëmëngjesi dhe me disa momente nga montimi i dronëve Bayraktar, që do të bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama sipër videos së publikuar në llogarinë e tij në Facebook.

Ndryshe, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi të dielën deklaroi se përurimi i kësaj baze është një hap i fuqishëm.

Inaugurimi i Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, një hap i madh në fuqizimin e kapaciteteve tona ushtarake. Ky zhvillim i rëndësishëm jo vetëm që rrit profilin tonë në skenën ndërkombëtare, por gjithashtu forcon angazhimin tonë për paqe dhe siguri në rajon”, kishte thënë ministri.

Në ceremoninë për përurimin e bazës ajrore do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të SHBA-së.

Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90.

Pas rikonstruksionit të bazës së Kuçovës, Qeveria e kryeministrit Edi Rama kërkoi që të procedohet sa më shpejt në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për ta bashkëfinancuar me NATO-n rikonstruksionin e bazës së re detare në Porto Romano.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat