VOA/ Hapet baza e Nato-s në Kuçovë, ulen dy avionët e parë

Shqipëria

VOA/ Hapet baza e Nato-s në Kuçovë, ulen dy avionët e parë

Më: 4 mars 2024 Në ora: 16:01
Dy avionë ushtarakë italianë Eurofighter që u ulën sot në bazën e Kuçovës

Në Shqipëri, nga dita e sotme, baza ajrore e Nato-s në Kuçovë është në funksion të plotë. E ndërtuar në vitet ’50, duke strehuar dhjetra avionë ushtarakë, fillimisht të prodhimit sovjektik e më pas kinezë, baza e cila prej vitesh ishte e papërdorshme, u rikonstruktua falë një investimi prej më shumë se 50 milionë eurosh të Nato-s, dhe 5 milionë të tjera të qeverisë shqiptare, për të qenë një bazë taktike dhe operacionale e Aleancës.

Për inaugurimin e bazës, sot në Kuçovë, u organizua një ceremoni e posaçme me praninë e atoriteteve më të larta të vendit, ministrave të Mbrojtjes të disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimorë, dhe të Italisë, si dhe përfaqësuesë të Aleancës, mes të cilëve Gjeneral Lejtnant Pablo Sánchez de Lara, komandanti i Qendrës së operacioneve ajrore të kombinuara të NATO-s, në bazën ajrore të Spanjës.

“Kjo bazë do të luajë një rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor dhe jugor i Aleancës, njëkohësisht edhe rritjes së aftësive tona të mbrojtjes kolektive, duke promovuar ndërveprimin midis forcave aleate dhe duke mundësuar një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj çdo sfide që mund të lindë. Gjithashtu baza ajrore Kuçovë, e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, do të kontribuojë në mundësimin e planit rajonal jugor-lindor në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Aleancës, patrullimin e hapësirës ajrore, mbështetjen logjistike si kapacitet i vendit pritës apo edhe për qëllime e situata të tjera”, shpjegoi gjatë fjalës së tij Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Gjeneralmajor Arben Kingji.

Dy avionë amerikanë F-16 fluturuan sot mbi bazën e Kuçovës, ndërsa dy Eurofighater italianë, ishin të parë avionë të Nato-s që u ulën në pistën e saj.

Për presidentin Bajram Begaj “Nato, nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës. Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar”.

Edhe kryeministri Edi Rama vuri në dukje se baza taktike e Nato-s, ka “një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.

Baza e Kuçovës, nuk do të shërbejë vetëm për qëllime ushtarake. “Ajo ka kapacitetin e nevojshëm për të mbështetur përpjekjet tona të përbashkëta në përballje me fatkeqësitë natyrore. Pozicioni gjeografik i favorshëm mund ta kthejë këtë vend në një nyjë lidhëse të vlefshme për të gjitha vendet e rajonit tonë”, u shpreh ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi

Baza e Kuçovës do jetë dhe qendra kryesore për forcat ajrore shqiptare, flota e së cilës pritet të pasurohet me helikopterë të tjerë amerikanë Black Hawk, apo dhe dronët Bayraktar, të blerë në Turqi, të cilët u ngritën sot për herë të parë nga kjo bazë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat