Baza e Kuçovës/ “Deputetët e opozitës i tallën, i ftuan dhe i lanë pa karrige”

Shqipëria

Baza e Kuçovës/ “Deputetët e opozitës i tallën, i ftuan dhe i lanë pa karrige”

Më: 4 mars 2024 Në ora: 23:49
Foto gjatë hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, Shqipëri

Këtë të hënë u inaugurua hapja e bazës ajrore të Kuçovës që tashmë do të vihet në funksion të NATO-s. Në ceremoninë e organizuar merrnin pjesë krerët më të lartë të shtetit, por edhe deputetë të opozitës që janë anëtarë të komisionit të sigurisë kombëtare. Por siç shkruan në një reagim, nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, kur kanë shkuar atje, deputetët e opozitës nuk kanë pasur karrige për t’u ulur. Organizatorët sipas tij janë justifikuar se “nuk menduan se ata do të vinin”.

“Deputetët e opozitës në komisionin e sigurisë u ftuan për të marrë pjesë në ceremoni, por çuditërisht kur shkuan atje nuk kishin vende për t’u ulur. Përgjigjja qe: “Menduam që nuk do vinit ndaj nuk ju lamë karrige që të uleshit”. Ermonela Felaj me të njëjtin status si Agron Gjekmarkaj “ku e ku me properëndimore e pro Nato” se zotëria në fjalë, njësoj zëvendëskryetare e Kuvendit, ftohet, ulet dhe ëmbël buzeqesh. Asgjë personale nuk kam këtu, por raporti që pushteti ka me opozitën është irritues në përbuzjen e vet organike. Të mos ftosh është me fisnike se protokolli masakrohet shpesh, por të ftosh dhe të tallesh, ta lësh pa vende është vogëlsi dhe mohim i çdo zakoni e tradite në çdo treve të Shqipërisë” – thotë Gjekmarkaj.

“Një ministër mbrojtjeje, injorant në çdo këndvështrim, servil në çdo gjykim, zarbo në sjellje fyen Opozitën. Kryeministri ishte ai që do fliste dhe ne do dëgjonim, humbi një dekor demokratik që do ja kishte ënda ta shiste. Në fund ai humbi më shumë se ne. Opozita nuk shkoi aty për Edi Ramën, por i takonte të ishte aty. Por as për kaq nuk u kujdesën! U tentua të vidhet historia dhe të ndërtohet një e re pa kujtesë si kompjuterët e përdorur që zarboja shiste dikur.

Çdo shqiptar kujton se kur firmosej marrëveshja e asocim-stabilizimit përfaqësuesit e Opozitës socialiste ishin aty, kur Presidenti Bush erdhi në Tiranë kryetari i grupit parlamentar socialist ishte në pritje, kur hymë në Nato në samitin e Bukureshtit përfaqësuesit e tij atje qenë. Me “zarbo” plotësohen teka, kryhen shërbime, ndyhet politika , zvoglohet Shqiperia por historia të përgjon, të ndjek dhe të vë vulën e saj. Së paku mos e nxirr “zarbon” të kërkojë falje lërë të mendojë se e bëri mirë punën e lakeut. Protokolli nuk është si të shikosh filxhan me Sofkën!” – shkruan Gjekmarkaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat