Rezoluta e PPE për Shqipërinë, Meta: Shpreh qartë qëndrimet e opozitës, shqetësime për rrëshqitjen e vendit nga binarët e demokracisë

Shqipëria

Rezoluta e PPE për Shqipërinë, Meta: Shpreh qartë qëndrimet e opozitës, shqetësime për rrëshqitjen e vendit nga binarët e demokracisë

Më: 7 mars 2024 Në ora: 14:02
Ilir Meta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka komentuar rezolutën e Partive Popullore Europiane ku thotë se ndan të njëjtat qëndrime me opozitën, duke vënë theksin te rrëshqitja e vendit nga binarët e demokracisë.

“Rezoluta e miratuar nga PPE, forca kryesore që drejton institucionet europiane, shpreh qartë qëndrimet e opozitës dhe Partisë së Lirisë. PL përshëndet qëndrimin e PPE dhe ndan të njëjta shqetësime serioze për rrëshqitjen e vendit nga binarët e demokracisë dhe kushtetutshmërisë“, tha Meta.

Deklarata e plotë:

Rezoluta e miratuar nga PPE shpreh qartë shqetësimet themelore të Partisë së Lirisë dhe të opozitës duke konfirmuar jo vetëm drejtësinë e qëndrimeve tona politike, por edhe të betejës së përbashkët me qytetarët kundër narkoshtetit që ka dhunuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ka rrëmbyer Kuvendin, ka kapur në mënyrë mafioze drejtësinë, ka asgjesuar sistemin e kontrollit, balancave dhe llogaridhënien.

Partia e Lirisë përshëndet qëndrimin e PPE dhe ndan të njëjtat vlerësime serioze për rrëshqitjet e vendit nga binarët e demokracisë.

Partia e Lirisë i bashkohet thirrjes së forcës kryesore politike në Parlamentin Europian për zbatimin e shpejtë të të drejtave parlamentare dhe kushtetuese të opozitës në Shqipëri, duke përfshirë funksionin e saj themelor për të mbajtur ekzekutivin përgjegjës.

Ndajmë të njëjtin qëndrim me PPE se neglizhimi i shtetit të së drejtës, të drejtave themelore dhe lirisë së medias, si dhe korrupsioni i përhapur dhe mungesa e ndarjes së pushteteve, po minojnë rrugën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Partia e Lirisë, ashtu siç theksohet edhe në rezolutën e PPE, dënon ashpër veprimet e Qeverisë shqiptare kundër kryebashkiaku të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ndërhyrjen e saj të drejtpërdrejtë për t’i mohuar të drejtën kushtetuese për t’u betuar, ndikimin flagrant tek drejtësia dhe ajo që është më e rënda, burgimin e tij politik, që  bien ndesh me vlerat e familjes europiane ku synojmë të aderojmë.

Çështja Beleri është një problem thelbësor dhe skandaloz i vetë mungesës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Çështja Beleri është treguesi më flagrant i kapjes dhe përdorimit kriminal të shtetit dhe sidomos të drejtësisë nga Kryeministri dhe nga Qeveria, që nga policia, prokuroria, gjykatat dhe çdo element tjetër.

Ndaj e përkrahim vlerësimin e PPE se kjo çështje evidenton qartësisht problemet serioze të zbatimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe refuzimit të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Shprehim gjithashtu të njëjtin qëndrim të evidentuar qartë edhe në këtë Rezolutë mbi domosdoshmërinë e zbatimit sa më të shpejtë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe miratimit të reformës zgjedhore përmes një dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët për adresimin e saj përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

Për t’u ndalur tek kjo çështje dua të ritheksoj qëndrimin e Partisë së Lirisë se nuk mund të ketë reforma zgjedhore nëse:

Nuk garantohet përfaqësimi i opozitës në mënyrë të plotë në bashkëdrejtimin e Komisionit dhe në përbërjen e tij;

Nuk analizohet thellë dhe nuk zgjidhet ndëshkimi për shitblerjen e votës, kriminalizimin e procesit zgjedhor dhe shpërdorimin mafioz të fondeve dhe administratës shtetërore nga Qeveria në zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe 14 maj të 2023 të vërtetuara edhe nga raportet e OSBE –ODIHR;

Nuk realizohet një gjithëpërfshirje reale e të gjithë aktorëve politikë;

Nuk eliminohen ndryshimet e njëanshme nga e  Ramës dhe “Rilindjes” siç ndodhi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 që shkatërruan Marrëveshjen politike të 5 qershorit 2020 dhe ndryshimet që ajo prodhoi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat