Menaxheri i pastiçerisë ku punonte 19-vjeçari që u vra në Fier: Nuk e prisja, Grei ka qenë thjesht në vendin e gabuar

Shqipëria

Menaxheri i pastiçerisë ku punonte 19-vjeçari që u vra në Fier: Nuk e prisja, Grei ka qenë thjesht në vendin e gabuar

Më: 12 mars 2024 Në ora: 08:30
Grei Bihuci

Tronditëse ka qenë ajo që ka ndodhur ditën e djeshme në Fier ku ka mbetur i vdekur 19-vjecari Grei Bihuci, i qëlluar me thikë nga 18-vjeçari Florian Muka.

Menaxheri i pastiçerisë ku punonte Bihuci, Romeo Dervishi, ishte në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin e mengjesit të Euronews Albania ku u shpreh se 19-vjeçari prej dy vitesh ishte në marrëdhënie pune.

Ai theksoi se të riun e njihte më përpara, pasi ky i fundit merrej edhe me futboll, duke theksuar që nuk e priste që ai të futej në një konflikt.

“Grei ka që dy vite që është në marrëdhënie pune. Grein e njihja dhe më përpara, e njihja dhe me marrëdhënie me futbollin. Nuk e prisja që ai të futej në konflikt të tillë, besoj se ka qenë pre e atij momenti. Ka qenë në momentin e gabuar. Personin tjetër nuk e njihja. Grei ka qenë thjesht në vendin e gabuar”, tha ai.

Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se sherri mes të rinjve ka nisur fillimisht në rrjetet sociale për të degraduar më pas në përplasje fizike, deri në përdorimin e armëve të ftohta.

Gjatë përleshjes, është futur për t’i ndarë edhe një 20 vjecar i cili ka marrë plagë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Viktima ishte nxënës i shkollës profesionale “Petro Sota” dhe studionte për Teknologji Informacioni, ndrësa prej vitesh stërvitej në futboll me moshat e skuadrës së Apolonisë.

Ngjarja ka tronditur mbarë opinionin publik, pasi edhe viktima njihej si person i dashur në qytet për shkak të punës që bënte pasdite në një lokal si kamarier.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat