Pritej të jepej pretenca, shtyhet seanca për Laert Haxhiun

Shqipëria

Pritej të jepej pretenca, shtyhet seanca për Laert Haxhiun

Më: 18 mars 2024 Në ora: 15:32
Laert Haxhiu

Shtyhet seanca në GJKKO për Laert Haxhiun, ku pritej të jepej pretenca.

Burime bëjnë me dije se mungonte Prokuroria e SPAK Doloreza Musabelli.

Seanca e radhës do të mbahet më 29 mars në orën 15:00.

Laert Haxhiu mbahet i arrestuar ne Greqi, ndërsa po gjykohet për vrasjen e Jurgen Hoxhës e Zamir Latifit në vitin 2017.

Shqiptari Laert Haxhiu ndodhet në burgjet greke, pasi emri i tij është i përfshirë në dy vrasje të bashkatdhetarëve të tij, të kryera në afërsi të sheshit ‘Karaiskaki’ në Athinë. Hetimet e policisë greke janë dhe arsyet se përse ai nuk ështe ekstraduar për në Shqipëri, ndonëse është arrestuar që në majin e kaluar, teksa u kap në Janinë. Mafiozi Aldo Bare thuhet se ka ofruar shumën prej 1.000.000 eurosh për “kokën” e Haxhiut, pasi Laerti në vitin 2017 vrau dy nipat e mafiozit në një kafene në Lushnjë. Fuqia e mafiozit shqiptar Aldo Bare është aq e madhe saqë ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha akuzoi publikisht kryeministrin Edi Rama se ka marrë ryshfet prej 300 mijë eurosh për të shkarkuar prokurorin, që propozoi dënimin e Bares me dy burgime të përjetshme.

Vrasjet e bandës

Kutia e Pandorës u hap nga rrëfimi i vrasësit të penduar Artan Tafani, i cili dëshmoi se i burgosuri në Korydallos, Laert Haxhiu ka urdhëruar katër vrasje në vendin e tij gjatë viteve 2021-2023.

Më 1 qershor 2021 u ekzekutua në Tepelenë biznesmeni Çajup Selimi. 45-vjeçari, i cili zotëronte një dyqan me shumicë me prodhime gruri, është qëlluar me armë zjarri.

Më 13 maj 2021 vritet në Korçë Fridman Xhaferraj. 25-vjeçari është qëlluar me armë zjarri dhe më pas trupi i tij është hedhur në rezervuarin e Gjançit.

Alban Semaku, 38 vjeç, u gjet i vrarë më 17 tetor 2021. Ai njihej si ‘Elton Kinezi’ dhe ishte anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjës. Ai u vra pesë muaj pas lirimit nga burgu.

Albi Bashaliu u ekzekutua më 27 dhjetor 2021. 35-vjeçari u vra me armë në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Ka dyshime se krimi është kryer për hakmarrje, pasi vëllai i viktimës kishte vrarë 44-vjeçarin Albert Xhahysaj.

32-vjeçari organizoi edhe një sërë sulmesh me bomba në Tiranë dhe Durrës, ndërsa rrëfimi i vrasësit të penduar tregoi se Haxhiu synonte të vriste edhe prokuroren Dolores Musabelliu.

Laert Haxhiu u kap më 22/5/2023 në zonën e Eleuzës së Janinës. Gjithçka ka nisur kur efektivët e policisë i kanë bërë shenjë drejtuesit të mjetit që të ndalojë, por ai nuk është bindur, por ka shkelur gazin. Gjatë ndjekjes, makina u përplas me tre automjete, u bllokua në një semafor dhe përfundimisht u ndal kur goditi një bordurë dhe i shpërtheu një gomë, duke shkaktuar hapjen e airbagëve. Më pas policia ka arrestuar drejtuesin dhe dy pasagjerët e tjerë të mjetit, mes të cilëve edhe pasagjerin 32-vjeçar.

Ndaj tij ishte shpallur “njoftimi i kuq”, pasi rezulonte i kërkuar nga Interpoli.

Arrestimi i Aldo Bares

Aldo Bare u arrestua në mars 2006 në Ankara të Turqisë dhe u ekstradua në Shqipëri në nëntor 2009. Ai ishte në arrati për më shumë se një dekadë dhe akuzohet për kryerjen e krimeve të shumta. Prokurorët e Zyrës së Krimeve të Rënda Tiranë e akuzuan për pesë akuza për vrasje, krijim të organizatës kriminale, shkatërrim prone (bomba), përdhosje varresh dhe trafik ndërkombëtar droge. Banda e tij ishte ‘e uritur’ për hakmarrje dhe ishte bërë e tmerrshme në Lushnjë në vitin 1997. Madje në vitin 1997 ai u akuzua se i preu kokën njërit prej kundërshtarëve të tij, Artur Dajës dhe ecte duke mbajtur kokën nëpër qytet.

Vrasja e policit

Grupi kriminal i Aldo Bares u akuzua gjithashtu për urdhërimin e vrasjes së oficerit të policisë lokale Klejdi Bano në vitin 2001 dhe një sërë sulmesh me bomba në shtëpitë e drejtuesve të ndryshëm të policisë, që po hetonin veprimtarinë e tij kriminale. Ai akuzohet gjithashtu për vrasjen e një agjenti të shërbimit sekret në vitin 1998 dhe po atë vit për vrasjen e nënkryetarit të bashkisë Lushnjë, Drago Voshtima. Bashkëpunëtorët e tij kryesorë janë arrestuar në Shqipëri dhe Itali vitet e fundit dhe janë dënuar me burgime të gjata. Por vargu i hakmarrjeve duket se nuk është mbyllur akoma, edhe pse dy protagonistët kryesorë të ngjarjeve të rënda janë në burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat