Qytetarët me faturave të prapambetura të energjisë, skema të reja lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve nga OSHEE

Shqipëria

Qytetarët me faturave të prapambetura të energjisë, skema të reja lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve nga OSHEE

Më: 3 prill 2024 Në ora: 14:45
Foto ilustrim

OSHEE Group prezanton skema të reja lehtësuese për barrën e faturave të papaguara të energjisë elektrike për klientët tanë familjarë dhe jo familjarë, buxhetorë ose jo buxhetorë.

Këto skema, të ashtuquajtuara “aktmarrëveshje”, ofrojnë lehtësim financiar dhe theksojnë përkushtimin tonë ndaj përgjegjësisë sociale, mirëqenies së klientëve familjarë dhe komunitetit të binzesit.

Gjatë vitit 2024 do të aplikojmë aktmarrëveshjet për shlyerjen me këste të faturave të energjisë, të papaguara deri në 31 dhjetor 2022, duke siguruar që klientët tanë të marrin mbështetjen e nevojshme për prapambetjet në pagesat e kohërave të vështira (gjatë dhe pas pandemisë). Këta klientë duhet të kenë mbyllur ndërkohë detyrimet e krijuara gjatë vitit 2023 dhe në vazhdim, të cilat duhet të jenë likuiduar përpara lidhjes së aktmarrëveshjes së shlyerjes së debisë mes klientit dhe kompanisë OSHEE për periudhat e hershme.

Në skemat e aktmarrëveshjeve, që do të zbatohen gjatë këtij viti, do të përfshihen gjithashtu edhe detyrimet e papaguara nga faturat; dëmi ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive, që i përkasin vitit 2023 e në vijim.

Vendimi është marrë nga Këshilli Mbikqyrës i OSHEE Group në datë 15 shkurt 2024, pas shqyrtimit të propozimit nga administratori i OSHEE Group, zoti Enea Karakaçi.

Me këto skema lehtësuese, OSHEE Group, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i qëndron besnik misionin të tij, si një shoqëri aksionere me kapital shtetëror, e cila ka për qëllim kryesor përmbushjen e nevojave të shqiptarëve, stabilitetin financiar të tyre, por edhe stabilitetin financiar të kompanisë, për të operuar me eficiencë afatgjatë.

Secila kategori përfituesish ka lehtësime të ndryshme, të cilat përshkallëzohen në varësi të kategorisë së klientit dhe masës së mbartur të debisë që ka secili prej tyre. Masat lehtësuese janë gjithashtu të ndryshme, duke filluar nga: këstet fikse mujore për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për klientët familjar, falje ose lehtësim i kamatëvonesave në varësi të periudhës së shlyerjes dhe skema e kësteve të ndryshueshme, në varësi të masës së detyrimit për kategorinë e klientëve buxhetor dhe jo buxhetor.

Në këto skema OSHEE Group është kujdesur veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, për klientët familjarë me ndihmë ekonomike, për pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, të cilët përfitojnë këste akoma më lehtësuese dhe që shtihen më gjatë në kohë, krahasuar me kategoritë e tjera.

Mes klientëve të biznesit, OSHEE Group është kujdesur veçanërisht për biznesin e vogël që ka, gjithashtu, lehtësi shtesë në skemën e shlyrjes së kamatëvonesave.

Më konkretisht, përfitimet për secilën kategori klientësh janë si më poshtë:
Klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1,200 lekë.

Klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2,800 lekë.
Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë si më poshtë:

Vlera e detyrimit Numri maksimal i kësteve
100,000-300,000 lekë 24 këste
300,001-500,000 lekë 48 këste
500,001-800,000 lekë 60 këste
800,001-1,000,000 lekë 84 këste
mbi 1,000,000 lekë 120 këste

OSHEE Group miratoi po ashtu skemën e reduktimit të kamatëvonesës kundrejt likuidimit të plotë të debisë së prapambetur deri në 31 dhjetor 2022. Klientët, që shprehin vullnetin t’i likuidojnë njëherësh të gjitha detyrimet e prapambetura me 1 (një) këst, përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masa të ndryshme, sipas kategorive më poshtë:

o Klientët familjarë të të gjitha llojeve përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 70%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.
o Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.
o Kategoria klientë jo familjarë – biznes i vogël përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 100%, në rast të shlyerjes së tgjithë detyrimit njëherësh.
Ftojmë të gjithë klientët, që duan të përfitojnë nga këto skema lehtësuese, të paraqiten në qendrat e Kujdesit Ndaj Klientit OSHEE Group dhe FSHU për të lidhur aktmarrëveshjen sipas kategorisë përkatëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat