Balluku: Vijon puna në ujësjellësin e Shënkollit në Lezhë, furnizim 24 orë me ujë për 5 fshatra

Shqipëria

Balluku: Vijon puna në ujësjellësin e Shënkollit në Lezhë, furnizim 24 orë me ujë për 5 fshatra

Më: 5 prill 2024 Në ora: 17:34
Ilustrim

Në njësinë administrative të Shënkollit në Bashkinë e Lezhës, po investohet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, i cili do të transformojë tërësisht situatën e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e zonës, duke mbuluar njëkohësisht edhe një pjesë të rëndësishme të zonës bregdetare.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Drejtorin e AKUK, Klevis Jahaj dhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu inspektoi sot punimet për ndërtimin e ujësjellësit në Shënkoll të Lezhës. Balluku u shpreh se nga ky investim përfitojnë 6170 abonentë në 5 fshatra.

Ndërkohë, ajo theksoi se edhe ky ujësjellës mund të përfitojë nga projekti pilot për të krijuar njësi prodhimi energjie të rinovueshme, që mund të përdoret për nevojat e vetë ujësjellësit.

“Për shkak se jemi në pjesë fushore dhe këtu të gjitha burimet kërkojnë sistemin e pompimit, që krijon kosto të madhe, ne kemi nisur disa projekte pilot për të krijuar njësi të energjive të rinovueshme që të përdoren nga ujësjellësi. E kemi bërë në Belsh dhe Maliq, duke ulur kështu të gjitha kostot nga përdorimi i energjisë”, tha ajo.

Duke folur për investimin në ujësjellësin e Shënkollit, Balluku theksoi se synohet furnizimi 24 orë me ujë, ndërsa të gjithë abonentët fundorë do të kenë matësat inteligjentë dhe gjithçka po shkon në rrugën e inovacionit

Balluku u ndal po ashtu edhe te ecuria e ndërmarrjes së agreguar të ujësjellësit në qarkun e Lezhës, ku rezultatet për vitin 2024 janë mbresëlënëse.

“Është ulur nga 75% në 66% niveli i ujit të papaguar brenda një viti. Po ashtu ka pasur rritje të rëndësishme për sa i përket rritjes së të ardhurave që kanë arritur në 120% nga ka 85% në vitin 2023. Të gjithë treguesit e parametrat e ndërmarrjes së re të agreguar të Lezhës janë për t’u përgëzuar, pasi kemi mundësi të vazhdojmë me investimet”, tha Balluku.

Ndërsa nënvizoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e turizmit, Balluku theksoi po ashtu se “këtë sezon veror presim 14 milionë turistë. “Por besoj se do të kalojmë përtej kësaj shifre duke iu referuar prenotimeve. Një media në Australi është duek bërë një fushatë për Shqipërinë dhe nga biseda me disa sipërmarrës hotelerie më konfirmohet se ka pasur fluks nga Australia”, tha ajo.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu vlerësoi se ky është një investim i rëndësishëm pasi përfshin një nga zonat më turistike që akseson gjithë bregun e detit në Lezhë.

“Ky investim përmirëson shumë cilësinë e pushimeve por edhe të jetesës së banorëve në zonën e Tales”, tha Ndreu.

Ndërsa drejtori i AKUK, Klevis Jahaj u shpreh se aktualisht janë realizuar afro 80% e punimeve. Drejtori Jahaj bëri të ditur se investimi që po realizohet mbulon të gjitha nevojat e zonës, duke ju përgjigjur edhe zhvillimit në zonën bregdetare.

“Kemi një kapacitet prej 300 litrash prodhim të sasisë së ujit që është mëse e mjaftueshme për të mbuluar të gjithë zonën dhe pjesën e zhvillimit që do të marrë në vazhdimësi edhe zona bregdetare. Janë 5 fshatra të cilët mbulohen me rrjet shpërndarës i cili ka përfunduar aktualisht shtrirjen në të gjitha banesat edhe me kutitë individuale edhe me matësat. Janë rreth 75 kilometra linjë shpërndarjeje. Është përfunduar edhe linja e transmetimit rreth 2 kilometra”, tha Jahaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat