Krijoi lehtësi për një të dënuar dhe përfitoi 6000 euro, shkarkohet ish-gjyqtarja Margjeka

Shqipëria

Krijoi lehtësi për një të dënuar dhe përfitoi 6000 euro, shkarkohet ish-gjyqtarja Margjeka

Më: 9 prill 2024 Në ora: 13:34
Mimoza Margjeka

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar këtë të martë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “Shkarkim nga detyra” për magjistraten Mimoza Margjeka me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Në seancën dëgjimore, inspektorët e ILD konkluduan se magjistratja është gjetur fajtore nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe Apeli, për veprime, të shkallës më të rëndë, siç janë aktet korruptive të lidhura me ushtrimin e funksionit të gjyqtares, e që përbëjnë vepër penale. Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistrates, si dhe për vetë natyrën e faktit penal të konsumuar, ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin si dhe është dëmtuar rëndë besimi i publikut te magjistrati dhe organet e drejtësisë, të gjitha shkelje shumë të rënda disiplinore për të cilat ILD kërkoi masën e shkarkimit nga detyra, që u pranua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Disa muaj më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi ish-gjyqtaren e Apelit, Mimoza Margjekën, për akuzën e “korrupsionit” me 3 vjet “Shërbim Prove”.

Margjeka akuzohet për korrupsion, pasi nga përgjimet e Prokurorisë së Posaçme rezultoi se, Margjeka ka marrë 6000 euro në këmbim të nxjerrjes së Orion Balit nga qelia kundrejt “garancisë pasurore”.

Së bashku me Margjekën në atë kohë SPAK mori nën hetim edhe bashkëshortin e gjyqtares, Arben Cara, avokatin e Orion Balit, Skënder Demiraj, vëllanë e të pandehurit Nejton Balin dhe sekserin Klaudjo Zhilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat