“Sistemi është kriminal dhe i thelluar”- Analisti Lubonja: Opozita e ka provuar në kurriz që Rama s’e mban fjalën

Shqipëria

“Sistemi është kriminal dhe i thelluar”- Analisti Lubonja: Opozita e ka provuar në kurriz që Rama s’e mban fjalën

Më: 9 prill 2024 Në ora: 18:26
Fatos Lubonja

Analisti Fatos Lubonja është shprehur se sistemi në Shqipëri është kriminal dhe i korruptuar, teksa ngre dyshime për pavarësinë e SPAK.

I ftuar në studion e lajmeve në News24, Lubonja u shpreh se mazhoranca e përdor SPAK-un si fasadë që ne nuk jemi si Berisha, ne dorëzojmë të korruptuarit.

“Pyetja është sesa i pavarur është SPAK. Kemi shumë të panjohura. Nuk dimë mirë raportet që ekzistojnë në SPAK, këta amerikanët që thonë se janë mbrapa, duhet të kuptojmë se ku janë pas? Çështja është e hapur dhe mund të them se ku unë anoj më shumë. Kur Rama u bashkua me Metën, ai tha se kjo nuk është çështje personash, por sistemi. E vërteta është se këta e kanë perforcuar sistemin. Tani drejtorët marrin paratë të gjitha për vete dhe bëhet fjalë për miliona. Sistemi është i thelluar dhe kriminal. E përdorin SPAK si fasadë, që ne nuk jemi si Berisha, ne dorëzojmë të korruptuarit. Ahmetaj është goditur më egër. Akoma nuk kemi përgjigje nga SPAK për inceneratorët. Mendoj se tek fjala e Veliajt thuhej se të arrestuarit duhet të qëndrojnë, duke iu bërë me dije se ata e kontrollojnë SPAK-un dhe do vijë një kohë që do lirohen. Te fjala e Veliajt sikur iu bëhej thirrje të arrestuarve që mos të flasin shumë”, shprehet ai.

Ndër të tjera, Lubonja u shpreh se Edi Rama është nga ata politikanë që nuk e mban fjalën, duke shtuar se gjithsesi opozitës i duhet shumë punë për të na prezantuar një projekt për një Shqipëri ndryshe.

“Opozita e dinte se e kanë provuar në kurriz që Rama nuk e mban fjalën. Edi Ramës i duhet ideja që opozita ka hyrë në parlament dhe jemi të qetë tani. Opozita mori Komisionin Zgjedhor, e morën një lloj njohje që ekzistonin, se deri dje i thoshin se ju nuk ekzistoni, por është vetëm Basha. Opozita tani ka shumë gjëra për të thënë.

Këlliçi bën kallëzime, opozita së paku e bën një punë. Opozita nuk duhet vetëm të përfitojë me denoncime, por Shqipëria ka nevojë për projekt. Ne ushqehemi me ekonomi kriminale, e opozita nuk i hyn sistemit. Rama i shfrytëzon këto gjëra. Opozitës i duhet një punë shumë e madhe për të menduar një projekt”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat