“Dëshmitari i parë në planin e Komisionit Hetimor”/ Salianji reagon për arrestimin e Drejtorit të IT në Polici: Konfirmon ndërhyrjet në TIMS

Shqipëria

“Dëshmitari i parë në planin e Komisionit Hetimor”/ Salianji reagon për arrestimin e Drejtorit të IT në Polici: Konfirmon ndërhyrjet në TIMS

Më: 9 prill 2024 Në ora: 20:06
Ervin Salianji

Deputeti demokrat, Ervin Salianji, e cilëson arrestimin e Drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, rezultatin e parë të punës së Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, u shpreh se kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Muçës, është konfirmim i denoncimeve të vazhdueshme të opozitës!

“Arrestimi i Drejtorit të IT në policinë e shtetit, dëshmitari i parë i listuar në planin paraprak të hetimeve të Komisionit Hetimor, Ervin Muça, është rezultat i parë i punës së Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS dhe konfirmim i denoncimeve të vazhdueshme të opozitës! Mohimi i Edi Ramës për shqetësimin e ambasadës së SHBA për ndërhyrjen në sistemin TIMS, nxjerr zbuluar urdhëruesit e këtij akti! Ndërhyrja ka qenë me urdhër dhe për qellime qartësisht kriminale!

Arrestimi i sotëm i vonuar nuk e shmang dot përballjen e Ervin Muçës dhe çdo shkelësi tjetër për t’u përballur me drejtësinë por dhe me dëshminë në komision, për një akt që cënon në thelb sigurinë kombëtare! Ky është i pari, ne do ti shkojmë deri në fund hetimit parlamentar, për të hedhur dritë sidomos mbi urdheruesit e ketij krimi.

Uroj që arrestimi mos jetë truk për të penguar hetimin e plotë dhe nxjerrjen para përgjegjësisë së urdhëruesve, shkelësve të ligjit dhe krimineleve përfitues nga ky akt”.

Prokuroria e Tiranës kërkon “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për drejtorin e IT, Ervin Muça i cili eksportoi bazën e të dhënave TIMS të Policisë së Shtetit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237, 242 të Kodit të Procedurës Penale për shtetasin Ervin Muça, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat