Banka Botërore financon me 80 milionë dollarë projektin në mbështetje të turizmit, ministri Mete nënshkruan marrëveshjen me zv.Presidenten Bassani

Shqipëria

Banka Botërore financon me 80 milionë dollarë projektin në mbështetje të turizmit, ministri Mete nënshkruan marrëveshjen me zv.Presidenten Bassani

Më: 21 prill 2024 Në ora: 10:31
Ministri i Financave Ervin Mete dhe Antonella Bassani

Ministri i Financave Ervin Mete nënshkroi me Zv.Presidenten e Bankës Botërore, znj. Antonella Bassani marrëveshjen e financimit të projektit “Mjedis i pastër dhe i qëndrueshëm për Detin Blu”.

Objektivi i projektit, për të cilin Banka Botërore do të japë një financim prej 80 milionë dollarësh, është reduktimi i ndotjes në mjedisin ujor (detëra, lumenj) në zonën jugperëndimore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.

Projekti është i ndarë në tre komponentë, ku pjesa e parë ka të bëjë me promovimin e një qasjeje të integruar dhe qarkulluese për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve ujore.

Pjesa e dytë e projektit synon uljen e ndotjes në Lumin Vjosa, kjo edhe në kuadër të mbështetjes dhe mbrojtjes së mëtejshme të tij, pas akordimit të statusit “Park Kombëtar”, si lumi i fundit i egër në Europë. Projekti do të synojë zgjerimin e infrastrukturës së pastrimit, përmirësimin e mëtejshëm të saj, si edhe parandalimin e ndotjes.

Pjesa e tretë parashikon aspekte të menaxhimit, monitorimit dhe vlerësimit sa i përket zbatimit të këtij projekti, i cili parashikohet të zgjasë deri në mars të vitit 2029.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat