Spahiu: Ja pse Rama nuk e lëshon Veliajn, PS do të bjerë nga pushteti jo kur të bashkohet opozita, por kur të çahet

Shqipëria

Spahiu: Ja pse Rama nuk e lëshon Veliajn, PS do të bjerë nga pushteti jo kur të bashkohet opozita, por kur të çahet

Më: 11 maj 2024 Në ora: 08:32
Kreshnik Spahiu

Juristi Kreshnik Spahiu i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV foli për marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe Erion Veliajt. Spahiu komentoi deklaratat e kryeministrit Rama në mbledhjen e fundit të qeverisë që ishin një sulm indirekt ndaj Veliajt.

Sipas juristit, Rama do të bjerë nga pushteti jo kur të bashkohet opozita, por kur të çahet PS-ja.

“Unë mendoj që Erion Veliaj nuk është individ, ndryshe nga Saimir Tahiri apo Arben Ahmetaj. Edhe këta ishin dy liderë të fuqishëm, njëri zëvendëskryeministër, tjetri ministër i Brendshëm, kryetar i Tiranës siç është sot Veliaj. Por ndryshe nga ai, ata ishin individë, ndërsa Veliaj përfaqëson një shkollë të re politike e cila ishte përgatitur dhe investuar nga ndryshimi revolucionar që bëri PS-ja pas largimit të Nanos. U larguan gjithë xhaketat e vjetra dhe Veliaj u pranua si ekip. Sot në qeveri janë 4 ministra dhe 8 deputetë janë nga lëvizja Mjaft dhe G99-ta. Rama sot është kryeministër dhe mund t’ia marrë ekipin Veliajt. Po ai ka një administratë jo me socialistë, por me njerëz të rinj. Ju kujtoj që Edi Rama do të bjerë nga pushteti jo kur të bashkohet opozita, por kur të çahet PS-ja. Nëse PS-ja do të krijojë fraksion dhe do të ndahet një ditë, ky do të jetë fillimi i fundit të qeverisjes Rama ashtu siç ndodhi me Nanon. Fillimi i fundit të Nanos ishte krijimi i LSI-së. Largimi i zëvendëskryeministrit të tij me një ekip prej 5 vetash, por i mori mijëra vota, e dëmtoi në çdo qytet të Shqipërisë duke i dhënë fitoren Sali Berishës në 2005-ën. Përveç të tjerave Erion Veliaj ka dhe një mbështetje të fortë ndërkombëtare. Shumë agjenci ndërkombëtare, shërbime apo administrata perëndimore e shohin Erion Veliajn si një trashëgimtar politik të ardhshëm. Një nga mbështetjet më të forta është Aleks Soros, që e ka lidhjen me Veliajn më të fortë se me Edi Ramën. Ai mjafton që të jetë një negociator që këta të dy mos i prishin marrëdhëniet mes tyre”, deklaroi ai.

Më tej Kreshnik Spahiu u pyet pse Rama i ka bërë ato deklarata që indirekt sulmojnë dhe Veliajn.

“Rama nuk kontrollon 100% SPAK-un. Ai po i del të keqes përpara. Kushdo qoftë, përfshirë dhe Veliajn nëse do marrë një goditje nga SPAK-u e para çon mesazhin që: "nuk e ka nga unë" dhe e dyta opinionit publik i thotë që: Unë e pata paralajmëruar për këtë gjë. Vetë Rama është i pasigurt, ecën në shtigje të pashkelura. Unë kam bindjen që Altin Dumani, apo një pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimet, nuk dirigjohet apo komandohet nga Rama. Kryeministri Rama është në panik për një qeverisje që është e diskredituar dhe mund t’i krijohen probleme nga momenti në moment”, nënvizoi Spahiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat