U arrestua gjatë “Metamorfozës”, biznesmeni Pëllumb Gjoka kërkon lirimin nga burgu

Shqipëria

U arrestua gjatë “Metamorfozës”, biznesmeni Pëllumb Gjoka kërkon lirimin nga burgu

Më: 14 maj 2024 Në ora: 16:59
U arrestua gjatë “Metamorfozës”, biznesmeni Pëllumb Gjoka kërkon lirimin nga burgu

Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza” dhe i vënë nën hetim për bashkëpunim me grupet kriminale, kërkon lirimin nga burgu.

Mbrojtja e Gjokës kërkon revokimin e masës “arrest me burg” dhe lirim e menjëhershëm, me arsyetimin se mungon dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova për përfshirjen e në ndonjë vepër penale ose zëvendësimi i kësaj mase sigurimi me një masë tjetër më të butë, duke përfshirë garancitë pasurore të parashikuar nga neni 236 i Kodit të Procedurës Penale.

Ndërkohë, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme në tetor të vitit të kaluar, vendosi sekuestro ndaj 39 hektarëve tokë, që gjendet në Pulaj të Velipojës, pronësia e të cilave dyshohet se u tjetërsua përmes falsifikimeve nga Pëllumb Gjoka, arrestuar prej korrikut të 2023-shit, së bashku me 14 të tjerë midis tyre një prokuror dhe dy zyrtarë policie.

Tokat që janë pasuri e llojit pyje, rezultojnë të regjistruara në emër të shoqërie tregtare dhe në emër të një të afërmi të Pëllumb Gjokës, deklaron SPAK.

Akuza shton se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë u fituan me falsifikim nën bashkëpunimin e Gjokës me shtetas të tjerë që vijojnë të jenë në hetim.

Në janar 2023 Lule Zefi, trashëgimtare e Drane Hotajt e kallëzuan në SPAK paligjshmërinë dhe kërkuan hetime për biznesmenin dhe për persona të tjerë. Por hetimet për akuza më të rënda duke nisur nga vrasja, heqje e paligjshme e lirisë, korrupsion dhe grup kriminal u regjistruan në muajt në vazhdim, mbasi Europol përcolli në SPAK informacione inkriminuese mbi përdorues të SKY, që dyshohen se kryenin biseda inkriminuese deri dhe porosi për vrasje.

Si përdorues të këtij aplikacioni, SPAK identifikoi Behar Bajrin, Ervis Martinin, Pëllumb Gjokën, Denis Bajrin, Edmon Prekën, Nuredin Dumanin, Astmer Bilalin por edhe përfaqësues të drejtësisë si prokurorin, Xhevahir Lita dhe zyrtarët e policisë, Oltian Bistri dhe Ardit Hasanbegaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat