Vrasësi i policit qeshte, eksperti: Përkëdhelja e këtij brezi po shkakton probleme

Shqipëria

Vrasësi i policit qeshte, eksperti: Përkëdhelja e këtij brezi po shkakton probleme

Më: 16 maj 2024 Në ora: 17:13
Specialisti i sigurisë, Ergys Muzhaqi

Specialisti i sigurisë, Ergys Muzhaqi tha se përkëdhelja më shumë se ç’duhet e fëmijëve po sjellë pasoja të rënda në shoqëri. Në një intervistë për Euronews Albania, ai ka komentuar rastin e Azgan Mërnicës të riut 23-vjeçar i cili vrau efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenaliaj.

23-vjeçari është vetë dorëzuar në polici, por ajo që ka rënë në sy ditën e djeshme është momenti kur i riu niset për vetë dorëzimin, ai duket i qetë dhe i qeshur ndërsa familjarët e përcjellin duke uruar “me Zotin para”.

Sipas Muzhaqit, mosha 23 vjeçare është ende një moshë ku i riu nuk është maturuar, megjithatë është problematike fakti se atij gjërat i duken normale. Eksperti tha se në këtë ndikon edhe “përkëdhelja e tepruar” dhe mos njohja e një autoriteti pasi jo vetëm Azgani ka sjellje të tillë problematike, por edhe vëllai i tij.

“Ne për këta fëmijë jetojmë, është një shprehje që më çudit personalisht. Si jetohet vetëm për fëmijët, ne kemi fëmijët, kemi prindërit, kemi veten. Kemi lezetet dhe sikletet e jetës ashtu si vijnë. Nuk duhet të kufizohemi vetëm te fëmijët, se rrezikojmë dhe kemi kaluar në fakt në një përkëdheli të tepruar të këtij brezi. Nga mosha 13-23 vite, akoma nuk mund të quhet i rritur, i pjekur dhe i maturuar personi, sidomos për gjininë mashkullore, se femrat piqen disi më herët. Një njeri që ka kaluar 10 vite në mosnjohje autoriteti. ai ka pasur edhe vëllain problematik, edhe vetë ka qenë problematik, atij i duken gjërat normale. Përtej pjesës që ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur akoma aty, por unë e kam si brez”,-tha Muzhaqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat