“Kam bërë gjithçka për të ndërtuar ura bashkëpunimi”, Ilir Meta flet për raportet me Ali Ahmetin

Shqipëria

“Kam bërë gjithçka për të ndërtuar ura bashkëpunimi”, Ilir Meta flet për raportet me Ali Ahmetin

Më: 17 maj 2024 Në ora: 21:32
Ilir Meta

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur për marrëdhëniet e tij me kreun e BDI, Ali Ahmeti, me të cilin ka pasur raporte shumë të afërta në të shkuarën.

Meta është shprehur se mbetet gjithmonë shumë i afërt me të gjithë kryetarët e forcave politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ai theksoi se me Ahmetin ka marrëdhënie shumë të mirë, ndërsa rikujtoi se ka bërë gjithçka në kohën kur shërbente si kryeministër që të krijonte ura midis tij dhe Arbër Xhaferrit, që ishte përfaqësuesi kryesor politik i shqiptarëve.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Zoti Meta, në të kaluarën keni qenë shumë i afërt me kryetarin e BDI.-së, me zotin Ali Ahmetin, si janë raportet tani?

Meta: Unë kam qenë dhe mbetem gjithmonë shumë i afërt me të gjithë kryetarët e forcave politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Me të gjithë ata, që gjithashtu kanë pasur dhe kanë dëshirë, që të kenë bashkëpunim me mua.
Ka pasur një marrëdhënie shumë të mirë, të jashtëzakonshme me të ndjerin Abdurrahman Aliti. Më pas, me të ndjerin zotin Arbër Xhaferri.

Marrëdhënie shumë të mirë me zotin Ali Ahmeti. Po kështu, në kohën që kam qenë kryeministër, për shkak të detyrës, por dhe për shkak të dëshirës, për ta kaluar atë krizë me sa më pak kosto për të gjithë, dhe për shqiptarët e Maqedonisë, edhe për shqiptarët në rajon.

Kam bërë gjithçka, për të ndërtuar ura midis zotit Ali Ahmeti, që në atë kohë ishte në male, atje e kishte selinë, dhe zotit Arbër Xhaferri, që ishte përfaqësuesi kryesor politik i shqiptarëve.

Edhe, besoj se kjo ka pasur ato efektet e veta pozitive. Nuk kam dashur kurrë të ndërhyj në favor të njërës apo tjetrës forcë politike, siç ka bërë Edi Rama.

Jam kundër këtyre modeleve paternaliste, të sjelljes ndaj shqiptarëve, qoftë në Maqedoni, qoftë në Mal të Zi, qoftë në Kosovë, qoftë në Luguninën e Preshevës. Kudo, është detyra të nxisim bashkëpunimin midis tyre, për çështjet kryesore, për kauzat kryesore të shqiptarëve.

Pyetje: Por, kryeministri Albin Kurti, ka ndërhyrë në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut.

Meta: Këtë çështje nuk e di, di që Edi Rama dhe Erion Veliaj u përpoqën të ndërhynin, nuk e di se sa sukses patën. Por, mendoj se duhen respektuar vetë qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Ata dinë vetë të bëjnë zgjedhjet e tyre, dhe duhet të marrin përgjegjësi për të ardhmen e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat