I kërkuar prej 13 vitesh, kapet në Greqi shqiptari me dy identitete

Shqipëria

I kërkuar prej 13 vitesh, kapet në Greqi shqiptari me dy identitete

Më: 20 maj 2024 Në ora: 12:12
Foto ilustrim

Policia greke ka vënë në pranga një shtetas shqiptar të shumëkërkuar dhe të konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë. Ai rezultonte me 3 urdhër arreste dhe 3 dënime nga autoritetet greke.

Policia greke kishte siguruar informacion se një i arratisur nga burgu i Malandrinos, banon në zonën e gjerë të Atikës Perëndimore, së bashku me familjen e tij.

Nga kontrolli arkivor u konstatua se i dyshuari i identifikuar si Aleksandër Marku, 45 vjec, ishte arratisur nga paraburgimi në Malandrino ku duhet të kthehej në 06.05.2011, pasi kishte marrë leje 9 ditore. Ai ishte dënuar në 24.06.2009, nga Gjykata e Apelit Athinë, me një dënim total prej 22 vjet e 9 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja në bashkëpunim”. Gjithashtu ai rezulton i dënuar nga Gjykata e 2-të Pesëanëtarëshe e Apelit Athinë në 27.04.2012, me 14 vite burgim, për veprat penale “Rastet e veçanta të vjedhjes, të kryera dhe në tentivë” dhe “Bashkëpunim në pastrim parash nga veprimtaria kriminale” si dhe nga Gjykata Njëanëtarëshe e Athinës në vitin 2017 me 19 muaj burg për “plagosje e rëndë në bashkëpunim, “armëmbajtje pa leje”, “përdorim i armëve” dhe “të shtëna pa arsye”. Gjithashtu ndaj tij ka 3 urdhër arreste nga Prokuroria e Athinës në 2014 dhe 2015 për “grabitje” dhe nga Prokuroria e Pireut në 2015 për “grabitje në bashkëpunim”.

Pas shumë muajsh hetime intensive, grumbullimi, analizimi dhe kontrolli të kryqëzuar informacioni, si dhe kërkimesh intensive në pjesë të ndryshme të Athinës, në orët e mëngjesit të ditës së shtunë, në Elefsina, në Sheshin e Rezistencës Kombëtare. është lokalizuar dhe kapur shtetasi shqiptar Aleksandër Marku, 45 vjec.

Gjatë ndalimit ai ka paraqitur dokumente ligjore, me të dhëna identifikimi nën emrin Ernesto Nesto, 48 vjec. Nga policia greke po shqyrtohet vërtetësia e këtyre dokumentave që disponon i arrestuari, ndërkohë që pritet edhe komunikim me autoritetet shqiptare për verifikimin e gjeneraliteteve të tij.

Sipas policisë greke, Aleksandër Marku nuk ushtronte asnjë veprimtari profesionale dhe siguronte jetesën ekskluzivisht nga përfitimi financiar i paligjshëm që përfitonte nga veprimtaria e tij kriminale. Pas arratisjes nga ai ka vazhduar me intensitet më të madh veprimtarinë e tij kriminale, qoftë i vetëm apo në bashkëpunim me bashkatdhetarë të tij, duke zhvilluar veprimtari të larmishme. Nga dokumentet e procedimit dhe dosja policore, rezulton se Marku ishte anëtarësuar në një organizatë kriminale të strukturuar dhe aktive në vazhdimësi, e përbërë nga të paktën shqiptarë të tjerë, të cilët kryen krimet e grabitjes, tentativës për vrasje dhe rastet e dalluara të vjedhjeve, me përbërje të ndryshme çdo herë, në rajone të ndryshme të Athinës. Për të arritur qëllimin e tyre, ata kishin blerë armë, kapele, doreza dhe mjete për vjedhje.

Sipas policisë greke, Aleksandër Marku është person veçanërisht i dhunshëm me sjellje antisociale dhe gjatë kryerjes së veprave të tij kriminale ka shfaqur mizori dhe sjellje të veçantë brutale ndaj viktimave të tij dhe paraqet rrezik për sigurinë publike dhe kohezionin social.

Sipas informacioneve të fundit, i arrestuari është arratisur për pak kohë në Shqipëri, ku ka ndërruar emrin dhe është kthyer në Greqi, duke vazhduar aktivitetin kriminal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat