Berisha: Rama, padrino i Ben Ndokës e Rrajave. Bamin e çoi në takim me McGonigal

Shqipëria

Berisha: Rama, padrino i Ben Ndokës e Rrajave. Bamin e çoi në takim me McGonigal

Më: 21 maj 2024 Në ora: 21:02
Ish-Kryeministri Sali Berisha

Ish-Kryeministri Sali Berisha në fjalën e mbajtur nga ballkoni i banesës ku ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023, lidhur me hetimet që SPAK po kryen për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani, hodhi akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama, përsa i takon lidhjes së tij me grupet kriminale.

Referuar operacionit të fundit të SPAK, ku hidhet dritë mbi lidhjet e krimit me politikën, Berisha akuzoi Ramën se ishte ai që përfshiu në listat e kandidatëve për deputet emrat që dalin nga transkriptet e SKY dhe Encrochat.

“Mbrëmë në studiot televizive ishte një personazh i kudogjendshëm, Durim Bami. Për çdo njeri që i thotë të vërtetës, të vërtetë, Bami është një ushtar i Edi Ramës.

A nuk është Edi Rama që e mori me avion Durim Bamin dhe e çoi në Vjenë te McGonigal për të faktuar se ishte porositur të bënte atentat?

Gazetarë dhe gazetare, këto të vërteta janë të vërtetat më tronditëse.

Këto të vërteta tregojnë se kriminelët e mëdhenj, se bajlozët e krimit janë sot në pushtet.

Janë ministra, zëvendëskryeministra dhe kryeministri vetë”, tha Berisha.

Në vijim, ish-Kryeministri deklaroi se mediat kanë folur për kriminelin Arben Ndoka, soj sorollopin e tij, për Durim Bamin, për Rrajat dhe stër-rrajat, për Eduart Ndrecën, për famëziun Mitri dhe të tjerë, por padrino i tyre është Edi Rama.

“Arben Ndoka, një përdhunues i shpifur, pasi u përzu nga administrata kur u gjetën dokumentet, gjeti strehë tek Rilindja e krimit.

U bë deputet i Edi Ramës dhe pasi u nxor nga parlamenti mbi bazë dokumentash, Edi Rama  e emëroi kryemafiozin e Lezhës drejtues politik të partisë së krimit në Lezhë.

Arben Ndoka mblodhi vota për krimin, për drogën, për Edi Ramën, për pushtetin antishqiptar të tij.

U lakua emri i Eduard Ndrecës, deputetit famëzi që zotëronte plantacionet më të mëdha të kanabisit dhe mbante edhe shtëpi bari, shtëpi kanabisi.

Po kush e emëroi, kush e zgjodhi Eduard Ndrecën deputet? I cilës parti ishte?

E gjithë Shqipëria e di, dhe më mirë se kushdo Kruja, se përfaqëson klani mafioz kriminal Rrahman Rraja.

Mbrëmë Rrahman dhe Xhelal ishin personazhe të zeza në studiot televizive, por padronit të tyre Edi Rama nuk i lakohej ndonjëherë emri.

Po kush e zgjodhi dy herë në lista Rrahman Rrajën, kryemafiozin e Shqipërisë së Mesme? A e zgjodhi Edi Rama?”, tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat