KVV jep detajet, si do të vëzhgohen zgjedhjet e 25 qershorit dhe risia e këtij viti

Shqipëria

KVV jep detajet, si do të vëzhgohen zgjedhjet e 25 qershorit dhe risia e këtij viti

Më: 15 qershor 2017 Në ora: 09:38
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka shpallur këtë të enjte një sërë detajesh në lidhje për monitorimin që do të bëhet më 25 qershor.

Aksioni i Vëzhgimit do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë ku do të angazhohen rreth 1600 persona.

Gjithashtu në prezantimin e Aksionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, u prezantua dhe një risi, një faqe interenti e dedikuar për të dhënat zgjedhore në Shqipëri. Gjatë ceremonisë Michael Baldassaro, Drejtori i Programeve për Shqipërinë në Democracy International (DI) bëri publik hapjen e faqes në internet “Të dhënat zgjedhore në Shqipëri”, (www.tedhenat.al)  një iniciativë për mbledhjen, hapjen për publikun, vizualizimin dhe analizimin e të dhënave mbi zgjedhjet në Shqipëri, në mënyrë të vazhdueshme.

Përfaqësuesja e KVV Gerta Meta, dha detaje mbi metodologjinë e vëzhgimit të ditës së zgjedhjeve, në vazhdën e ndjekjes së të gjithë procesit zgjedhor, që do të kryhet sipas Vëzhgimit me Bazë Statistikore (Statistical Based Observation, SBO).

“Gjatë ditës së zgjedhjeve, KVV do të angazhojë rreth 1600 vëzhgues të pavarur, të cilët do të vëzhgojnë procesin e votimit në 541 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin duke angazhuar dy vëzhgues të stacionuar në çdo qendër votimi, me dy turne, në mënyrë që të rritet efektiviteti i vëzhgimit dhe vëzhguesit të kenë mundësi të votojnë, situatën e përgjithshme përreth qendrave të votimit, nëpërmjet 180 vëzhguesve të lëvizshëm dhe aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nëpërmjet 180 vëzhguesve të tjerë”-tha Meta.

I pranishëm në ceremoninë e shpalljes së aksionit ishte dhe kreu i KQZ-së Klement Zguri, i cili tha se është dëshmitar i punës gjithnjë e më cilësore të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.

“Angazhime civile si i KVV, janë ato të cilat kanë ndikuar fort në rritjen e ndërgjegjes qytetare, dhe forcimin e kulturës zgjedhore tek shtetasit, por  njëherazi kanë dhënë kontribut në punën e organeve të ngarkuara për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, ku padyshim KQZ është përfituesi më i drejtpërdrejtë”-u shpreh Zguri.

Rajmonda Prifti, përfaqëesuese e KVV u shpreh se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe shtresave në nevojë.

“Duam të tërheqim vëmendjen e administratës zgjedhore dhe subjekteve zgjedhore mbi ato grupe të shoqërisë të cilat janë të dizavantazhuara në shprehjen e vullnetit të tyre apo në marrjen pjesë plotësisht në jetën politike të vendit, personat me aftësi të kufizuara, minoritetet dhe gratë. U bëjmë thirrje subjekteve zgjedhore që t’i përfshijnë këto grupe të shoqërisë në programet e tyre në mënyrë specifike, dhe administratës zgjedhore që të krijojë të gjitha kushtet e nevojshme që këta qytetarë të mund të votojnë në mënyrë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë”-theksoi Prifti.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar sot në Hotel Tirana International ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të institucioneve përgjegjëse në procesin zgjedhor si kryetari i KQZ, Klement Zguri, anëtarë të tjerë të KQZ, përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të trupit  diplomatik në vend si  Ambasadorja e Gjermanisë Znj.Susanne Schütz, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, Z.Claus Neukirch, përfaqësues të OSBE-së, delegacionit të BE-së USAID, Ambasadës Franceze, Austriake, Kroate, Greke dhe Britanike.

Ky Aksion Vëzhgimi për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, është një mision i përbashkët i 34 organizatave jo-qeveritare vendase me asistencën e organizatës Democracy Internationl (DI) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe falë mbështetjes financiare të Misionit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat