Kuvendi i Shqipërisë punon edhe të shtunën, mban dy seanca

Shqipëria

Kuvendi i Shqipërisë punon edhe të shtunën, mban dy seanca

Më: 6 shtator 2017 Në ora: 17:51
Kuvendi i Shqipërisë

Të shtunën e 9 shtatorit, Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë dy seanca të njëpasnjëshme.

Seanca e parë, e dekretuar edhe nga presidenti i Republikës, Ilir Meta është ajo e paradites në orën 10.00, ku do të bëhet konstituiimi i Kuvendit të ri. 

Duket se axhenda e kreut të shtetit ka përshpejtuar procedurat.

Vizita e parë zyrtare pas marrjes së postit të Presidentit e Ilir Metës do të zhvillohet pikërisht të hënën në Itali, duke bërë që të shtunën Parlamenti të mbajë edhe një seancë të dytë, atë për votimin e kryetarit të ri të tij, Gramoz Rucit, emri i propozuar për të drejtuar Kuvendin 4 vitet e ardhshme por edhe për betimin e deputetëve të legjislacionit të ri.

Por kush do ta drejtojë seancën e parë të 9 shtatorit? 

Sipas rregullores së Kuvendit, në nenin 1 të saj, mbledhja e parë e legjislaturës së kuvendit, deri në zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, hapet ose drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë. Deputeti më i vjetër i Kuvendit të ri është demokrati Sali Berisha.

Kryeministri pritet të jetë i pranishëm në seancë por me shumë gjasa, ashtu siç ndodhi edhe në 2013, ai nuk do të pranojë që ta drejtojë këtë seancë.

I dyti në listë, është sërish demokrat, deputeti Tritan Shehu dhe pas tij, Gramoz Ruci. Sipas rregullores së parlamentit, deri në zgjedhjen e kreut të ri të kuvendit, nuk zhvillohet asnjë debat. Pas 2 seancave në parlament, do të jetë presidenti Meta ai që do të vendosë edhe firmën e tij mbi emrat e ministrave dhe kreut të ri të qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat