Duma në garë me Alibeajn për kreun e grupi demokrat

Shqipëria

Duma në garë me Alibeajn për kreun e grupi demokrat

Më: 8 shtator 2017 Në ora: 08:55
PD sot vendos lidhur me qëndrimet që do të mbajë për zgjedhjen nga Partia Socialiste të Gramoz Ruçit. Grida Duma dhe Enkeled Alibeaj në garë për kreun e grupit të PD-së

Gjatë ditës së sotme dy grupet parlamentare më të mëdha, PD dhe PS do të mblidhen për të diskutuar me strukturat drejtuese për agjendat e tyre për sesionin e ri parlamentar. Gjatë takimit që kreu demokrat do të zhvillojë me deputetët e djathtë mësohet se do të diskutohet qëndrimi që do të mbajë opozita të shtunën të Parlament, ku do të zhvillohen dy seanca parlamentare. Partia Demokratike do të vendosë sot në lidhje me qëndrimet që do të mbajë për zgjedhjen nga Partia Socialiste e Gramoz Ruçit në postin e kryetarit të Parlamentit. Ndërkohë një tjetër çështje që demokratët do të shtrojnë për diskutim është dhe zgjedhja e kreut të grupit parlamentar i PD-së, dhe shpërndarjen e deputetëve nëpër komisione.

Gara

Burime brenda PD-së bëjnë të ditur se Grida Duma ka gjasa të mëdha të propozohet nga kreu demokrat Lulzim Basha të drejtojë kreun e grupit parlamentar, ndërsa Edi Paloka do të vijojë të jetë një prej nënkryetarëve të PD-së. Rivali i vetëm i Grida Dumës mendohet të jetë Enkeled Alibeaj. Ndërsa në vend të Edmond Spahos për postin e nënkryetarit, emrat e përfolur janë ai i Tritan Shehut dhe Aldo Bumçit. Përveç zgjedhjes së dy nënkryetarëve, në selinë blu do diskutohet mundësia që paralelisht me analizën e humbjes që do të nisë në fund të shtatorit, PD të futet në një proces të brendshëm zgjedhor duke lënë të kuptohet se edhe pse në bazë të statutit kupola drejtuese nuk e ka konsumuar ende mandatin pasi zyrtarisht u përfundon në nëntor të 2018-ës. Mësohet se Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani si dhe sekretari Organizativ Enno Bozdo nuk do të jenë këtë këto poste. Në vend të Arben Ristanit, Basha do të zgjedhë në mes të Gent Strazimirit dhe Ervin Salianjit, ndërsa në postin e Sekretarit Organizativ kreu demokrat pritet të rikthejë Flamur Nokën.

Nënkryetarët e Kuvendit

Ndërsa socialistët kanë propozuar si kryetar të Kuvendi Gramoz Ruçin, mësohet se dhe Partia Demokratike ka gjetur emrin e nënkryetarit të Kuvendit. Dhurata Çupi, do të jetë nënkryetare e Parlamentit të PD-së. Çupi është zgjedhur për herë të parë si deputete në Kuvendin e Shqipërisë, por demokratët e kanë nominuar të jetë një prej nënkryetarëve të Parlamentit. Ndërkohë nga e majta nuk dihet se kush do të jetë nënkryetar, pasi Rama e ka mbajtur sekret. Ish-Kryeministri ka shprehur refuzimin e parë ndaj Parlamentit të ri duke refuzuar drejtimin e seancës së parë të tij. Besnik Baraj deputet i Partisë Socialiste do të drejtojë seancën e parë të konstituimit parlamenti të ri të dalë pas zgjedhjeve të qershorit. Baraj konfirmoi se ishte njoftuar nga sekretaria e kuvendit se do të jetë ai që do të drejtojë dy seancat e kësaj të shtune. Kjo pasi siç mësohet ish kryeministri Sali Berisha siç kishte bërë në vitin 2013 ka refuzuar ta drejtojë këtë seancë edhe pse është deputeti më i madh në moshë. Po kështu mësohet se edhe dy deputetë e tjerë Halim Kosova dhe Tritan Shehu kanë refuzuar ta drejtojnë seancën duke u bërë kështu në bllok si opozitë. Këtë të shtunë është parashikuar që Kuvendi i Shqipërisë të mblidhet 2 herë. Në orën 10:00, seanca parlamentare do të zgjedhë Këshillin e Verifikimit të Mandateve i cili do të mbarojë shqyrtimin e dokumentacionit të deputetëve brenda ditës, ndërsa në orën 18:00 seanca do të mblidhet për betimin e deputetëve. Në seancën e pasdites, ora 18:00, do të zgjidhet edhe kreu i ri i Kuvendit, ku deri tani ka vetëm një propozim dhe ai është Gramoz Ruçi. Zgjedhja e kryetarit të kuvendit bëhet pa debat. Opozita e djathtë do të nisë këtë sesion me protestë në shenjë refuzimi për emrin e Gramoz Ruçit në krye të kuvendit dhe të emërimit si ministër i Brendshëm të Fatmir Xhafajt. Në këtë sesion të ri parlamentar, Partia Socialiste ka 74 mandate dhe drejton e vetme qeverinë. Partia Demokratike është forca e dytë politike,  por e para në opozitë, në këtë sesion parlamentar ka 43 mandate, LSI në opozitë gjithashtu ka 19 mandate, PDIU 3 mandate dhe PSD 1 mandat.

CDU, mbështetje aksionit opozitar të PD-së

Partia Demokratike me fillimin e ri të sesionit parlamentar të pritet të ndërmarrë aksionet e saj opozitar. Partia Kristian Demokrate gjermane dhe Fondacioni Konrad Adenauer kanë dëshmuar sërish mbështetjen për Partinë Demokratike dhe aksionin e saj opozitar. Siç njofton selia blu, këtë të enjte një këshilltar i lartë i grupit parlamentar CDU-CSU në Bundestag zhvilloi një bashkëbisedim me deputetët e Partisë Demokratike në lidhje me mbështetjen për strategjinë dhe aksionin e saj përballë qeverisjes, si dhe për rrugën e ardhjes në pushtet. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të CDU-së në çdo drejtim dhe tha se Partia Demokratike do të angazhohet për ta thelluar bashkëpunimin në çdo drejtim. Partia Demokratike e ka cilësuar prioritet reformën zgjedhore dhe krijimin e zgjedhjeve të lira, pa ndikimin e parave të pista. Kryetari Basha theksoi se krahas betejës së përditshme kundër keqqeverisjes, krimit dhe drogës, PD do të konsolidojë alternativën e saj qeverisëse me mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me partitë simotra europiane, e në veçanti me CDU. “Në prioritetet kryesore të Partisë Demokratike, renditet reforma e plotë zgjedhore që do të bëjë të mundur garantimin e votës së lirë e të ndershme, asgjësimin e shitblerjes së votës, dhe dhënies fund një herë e mirë të manipulimit të vullnetit të qytetarëve. Basha theksoi se krahas betejës së përditshme kundër keqqeverisjes, krimit dhe drogës, Partia Demokratike do të konsolidojë alternativën e saj qeverisëse me mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me partitë simotra europiane, e në veçanti me CDU”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Partisë Demokratike.

Astrit Patozi “sfidon” antikomunistët: Kam një pyetje të thjeshtë për ju

Ish-deputeti demokrat Astrit Patozi përmes një statusi në “Facebook” ka bërë një pyetje për ata që ai i quan si anti-komunistet e vitit 2017. Dy ditë nga seanca konstituive e Kuvendit, Patozi pyet se kush është më e rëndë zgjedhja e Gramoz Rucit në krye të Kuvendit apo Jozefina Topalli të shpallet armike e popullit me propozimi të kryetarit të PD. “Një pyetje e thjeshtë kam për të gjithë antikomunistët e tërbuar, që thuhet se mezi po presin datën 9 shtator për të shprehur dhe shpalosur revoltën e tyre: Kush është më e rëndë për ju, fakti që Gramoz Ruçi, me propozim të drejtpërdrejtë të Edi Ramës, nga deputet i përjetshëm i së majtës, që nga viti 1991, dhe së paku në 8 vjetët e fundit kryetar i grupit parlamentar te Partisë Socialiste, do të bëhet kryetar i Kuvendit të Shqipërisë? Apo që Jozefina Topalli, me propozim të kryetarit të ngrirë (shkrirë) të Partisë Demokratike, nga deputete e përjetshme e së djathtës, që nga 1996-a e këtej (8 vjet prej tyre kryetare parlamenti), të shpallet armike e popullit, spiune e Sigurimit të Shtetit, e korruptuar, etj, se nuk dua t’i përmend të gjitha çfarë janë thënë e shkruar për të, në mungesë dhe me porosi të fitimtarit plebishitar të 22 korrikut?”, shkruan ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat