Kryemadhi: LSI një opozitë që i ka munguar Parlamentit

Shqipëria

Kryemadhi: LSI një opozitë që i ka munguar Parlamentit

Më: 8 shtator 2017 Në ora: 09:17
Kryetare e LSI-së, Monika Kryemadhi

Kryetare e LSI-së, Monika Kryemadhi, tha se grupi i saj parlamentar do të jetë një opozitë e vërtetë në Kuvendin e ri. Sipas saj grupi parlamentar do të ketë një angazhim të jashtëzakonshëm dhe prezent në sallën e grupit.

“Ajo çka unë dua të theksoj dhe dua ta ndaj bashkë me ju është se nuk kam asnjë lloj dileme. Tashmë pozicionimi ynë si një parti opozitare është shumë i qartë dhe vetëm kjo do të bëjë që Shqipërisë tashmë t’i ofrojmë një opozitë të vërtetë e cila i ka munguar prej shumë kohësh vendit. Kjo është në dorën tonë, dhe secili nga ne është i qartë dhe i bindur në mendimet e veta. Duke pasur parasysh fushatën e fundit kemi kaluar një situatë shumë të vështirë, qoftë edhe me problemet nga më të ndryshmet duke pasur parasysh që Policia e Shtetit ka qenë një prej mbështetësve më të mëdhenj të bandave dhe krimit në vend të akuzuar për blerjen e deformimin votës. E kjo duhet të na bëjë më të ndërgjegjshëm dhe me koshient për të çuar iniciativën tonë, dhe për të çuar më tutje çdo qëndrim politik por edhe institucional për sa i përket fuqizimit të institucioneve të shtetit, por edhe për sa i përket opozitës e jetës politike shqiptarë që sa vjen dhe më shumë po kërkohet të blihet, po kërkohet të asimilohet për t’u kthyer në një situatë të pakontrollueshme. E kjo është detyrë e jona, dhe kjo është edhe një nga misionet kryesore për të pasur një ngjyrë në politikën shqiptarë që sa vjen dhe më tepër po i mungon asaj”, tha ajo.

Kryemadhi më tej deklaroi se ky grup parlamentar do të mbajë një qëndrim të jashtëzakonshëm për sa i përket pasurimit të jetës parlamentare, për sa i përket iniciativave ligjore që do të paraqesim dhe do të kemi një risi në jetën parlamentare. “Po behën të domosdoshme për jetën politike dhe ekonomike të vendit. Po nga ana tjetër do të jemi dhe shumë vigjilentë dhe do të ndjekim hap pas hapi për çdo iniciativë që fle në sirtarët e Kuvendit, me qëllim apo pa qëllim. Duke pasur parasysh me projektligjin që është propozuar në legjislaturën e kaluar nga Grupi Parlamentar për sa i përket koncesioneve, gjë e cila ka dy vjet që është propozuar, por akoma nuk ka lëvizur akoma qoftë nga Komisioni i  Ekonomisë, apo i Veprimtarive Prodhuese. Sigurisht që grupi do të jetë i organizuar në bazë të komisioneve të përhershme, ku çdo deputet duhet të jetë pjesëtar në këto komisione. Mungesat tona do të jenë të patolerueshme pra nuk do të tolerojmë që të mungojmë. Sigurisht për arsye nga më të ndryshmet ne do të kemi edhe deputetët zëvendësues. Do të jemi prezent në çdo komision dhe për këtë gjë çdo ditë do të kemi në kontakt  jo vetëm me kryetarin e grupit, por edhe me stafin pranë grupit parlamentar për t’u rakorduar jo vetëm për qëndrimet politike, por edhe për ato teknike sepse kjo është edhe detyra jonë kryesore”, tha Kryemadhi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat