Zbulohet skema e vrasjes së biznesmenit Begalla, kapen dy autorët e dyshuar (Emrat)

Shqipëria

Zbulohet skema e vrasjes së biznesmenit Begalla, kapen dy autorët e dyshuar (Emrat)

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 12:08
Biznesmeni Memli Begalla

Drejtori i Policisë së Tiranës bëri sot me dije gjatë një deklarate për mediat se janë identifikuar dy autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Memli Begalla.

Policia ka ekzekutuar urdhra ndalimi për dy shtetasit, Denis Demiri, 43 vjeç, dhe Ardian Serezi, 49 vjeç, të dyshuar për ekzekutimin me armë të  Begallës. Biznesmeni 64-vjeçar Begalla u ekzekutua mbrëmjen e 14 shkurtit, në hyrje të pallatit ku banonte, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Ai u ekzekutua me një plumb në kokë në vetëm pak sekonda, dhe menjëherë pas vrasjes dy persona të veshur me xhupa e kapuça u larguan nga vendngjarja. Vrasja e Memli Aferim Begalla, sipas policisë dyshohet të jetë kryer për shkak të borxheve të  pashlyera që viktima i kishte ndaj personave të tretë. Debitë e 64-vjeçarit shkojnë deri në 90 mije euro, pasi kishte krijuar disa kompani fantazmë, ku edhe ishte dënuar nga gjykata.

Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, strukturat e Hetimit të Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Triss”, ku është bërë e mundur zbardhja e dokumentimi i autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 14 shkurt në mbrëmje, në kryeqytet.
 
Ky operacion erdhi si rezultat i punës profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara si dhe provat e administruara nga grupi hetimor.
 
Si rezultat i hetimeve të deritanishme, rezulton se autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur, ku u vra me armë zjarri shtetasi Memli Begalla, janë shtetasit:
 
– Denis (Alban) Demiri, 43 vjeç, banues në Tiranë.
– Ardian Serezi, 49 vjeç, banues në Tiranë.
 
Për të dy këta persona janë ekzekutuar urdhërat e ndalimit.
 
Nga veprimet e dokumentuara, rezulton se shtetasi Denis Demiri ka kryer ekzekutimin e shtetasit Memli Begalla. Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima.
 
Për arsye hetimore, nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera në lidhje me mekanizmin apo rolet si dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje.
 
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet me targa të huaja, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu është sekuestruar një automjet në pronësi të shtetasit Denis Demiri, si dhe 9 telefona celularë.
 
Grupi i punës vijon me intensitet veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të.
 
Policia e Shtetit, duke falënderuar qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, për të ndërtuar së bashku një Shqipëri më të mirë dhe të sigurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat