“Unaza e Re”, ZRPP grup pune për banorët që preken nga projekti

Shqipëria

“Unaza e Re”, ZRPP grup pune për banorët që preken nga projekti

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 20:40
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pjesë e rëndësishme e institucioneve shtetërore të angazhuara për zbatimin e projektit të Unazës së Re, ka marrë të gjitha masat për plotësimin e detyrimeve të saj ligjore dhe funksionale.

Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë është ngritur një grup pune me urdhër të brendshëm të dedikuar për trajtimin e praktikave dhe kërkesave për projektin e Unazës së Re. Grupi përbëhet nga 11 juristë dhe hartografë me eksperiencë të gjatë pune pranë zyrës tonë dhe që e njohin mirë zonën nga ana hartografike.

Gjatë kësaj periudhe ZVRPP Tiranë është treguar shumë e gatshme, duke iu përgjigjur në kohë të shkurtër të gjitha korrespondencave zyrtare të ARSH-së dhe ALUIZNI-t për informacion zyrtar lidhur me pronësinë e zonave ku kalon gjurma e projektit të Unazës së Re.

Nga verifikimi i gjurmës së projektit është konstatuar se preken 4 Zona Kadastrale: Dy janë zona rurale, Zona Kadastrale 3866 (Yzberish) dhe Zona Kadastrale 2679 (Mëzez) dhe Dy janë zona qyteti, Zona Kadastrale 8210, që shtrihet nga sheshi Shqiponja deri tek lumi Lana dhe Zona Kadastrale 8310 Gjithashtu gjatë kësaj periudhe që Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë është pjesë e grupit të përbashkët të punës ka identifikuar rreth 424 pasuri që prek projekti.

Ato janë verifikuar dhe është nxjerrë informacionin i nevojshëm për çdo pasuri si: – Llojin e pasurisë (Arë, Truall, Trotuar etj.) – Sipërfaqen – Pronësinë – Bllokime të pasurive (si kontratat e hipotekimit apo kontratat e sipërmarrjeve) Këto informacione u janë dërguar institucioneve të përfshira në proces. Në të njëjtën kohë janë trajtuar me përparësi të gjitha kërkesat e banorëve të zonës, të cilët kanë kërkuar shërbime të ndryshme nga ZVRPP Tiranë, si kopje kartele, korigjime të ndryshme etj. Në Zyrën e Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme Tiranë aktualisht po trajtohen 11 leje legalizimi, të ardhura nga ALUIZNI, të cilat do të pajisen me kartele pasurie brenda dites së sotme. Çdo banor i zonës së Unazës së Re, që ka nevojë për shërbime nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tirane, mund të paraqitet në çdo moment në zyrën tonë. Tashmë ne kemi hapur nje sportel të dedikuar vetëm për banorët e Unazës së re, të cilet do të marrin shërbim brenda ditës. Grupi i Punës i ngritur në Zyren Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë do të punojë edhe me orare të zgjatura, me qëllimin ofrimin e shërbimit për banorët e Unazës së re, të cilët preken nga projekti. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat