Tipi antisocial

Sociale

Tipi antisocial

Nga: Lekë Imeraj Më: 11 janar 2021 Në ora: 08:03
Lekë Imeraj

Tipi antisocial (sciopat), gjendet në gjithë botën, në të gjitha kombet, pavarësisht nga niveli i kulturës dhe civilizimit. Fara është përhapur gjithkund, masa dhe intensiteti janë të ndryshme. Këto varen nga niveli i kulturës socio-juridike të çdo kombi.

Eshtë tipi që karakterizohet nga mangësi të theksuara respekti për ligjet, normat, etikën dhe moralin shoqëror. Eshtë impulsiv dhe i padurueshëm me rregullat. Karakterizohet nga pak ose aspak vetëdije në marrëdhëniet e tij me mjedisin. I mungon “polici” i brendshëm. Sipas psikologëve, François Lelord dhe Christophe Andre, ky tip, gjendet dhjetë herë më shumë tek meshkujt se tek femrat.

Tipat e tillë, fillojnë t’i shfaqin simptomat e personalitetit antisocial që në femijërinë e hershme dhe veçanërisht në moshën shkollore si: mosinteresimi për shkollën deri në braktisjen e saj, alkooli, duhani, droga, vjedhja, rebelimi. Janë dhunues seksualë dhe bredharakë. Sjelljet e tilla, në përgjithësi janë në natyrën e djemve por, tek antisocialët, janë shumë të theksuara. Vihen re në mënyrë të vazhdueshme dhe intensive. Këta vihen vazhdimisht në kërkim të një jete, të cilën as vet nuk e dinë se si është. Janë gjithnjë impulsivë, ziejnë nga brenda, nuk i vlerësojnë pasojat e veprimeve të tyre, nuk ndiejnë fajësi. Përplasja e tyre me ligjin, normat dhe etikën është fare e mundshme dhe për çdo rast.

Widiger dhe Corbitt thonë se, shumë studio kanë vërtetuar se, pjesa më e madhe e të burgosurve të dënuar për sjellje të padenjë, janë tipa antisocialë.

Tipat antisocialë, shfaqen masivisht, në momentet e përmbysjeve apo ndryshimeve të mëdha sociale. Krizat politike, ekonomike, sociale, luftërat, revolucionet, janë momentet kur antisocilët ndjehen shumë mirë, si peshku në ujë dhe i shpalosin aftësitë e tyre prej vandalësh. Meqënse nuk ndiejnë dhembje dhe keqardhje për askënd dhe për asgjë, guxojnë gjithçka që munden.

Te ne, akoma edhe sot e kësaj dite kërkohen nga drejtësia kriminelët e luftës civile të vitit 1997, të cilët, në mungesë të shtetit, krijuan bandat e armatosura dhe plaçkitën, vranë e terrorizuan popullin dhe forcat e shpartalluara të policisë.

Tipat antisocialë, jo kudo dhe për çdo rast, sillen si të tillë. Në grupet e tyre, ata sillen shumë mirë dhe zbatojnë me përpikmëri rregullat e grupit ku bëjnë pjesë. Si të tillë janë një kontigjent i vlefshëm për grupe të ndryshme aventureske dhe kriminale, drogë, terror, dhe mafian në përgjithësi. Në grupe të tilla, zakonisht sundon një disiplinë e hekurt, një diktaturë e vërtetë, dhe ata e pranojnë atë.

Në sytë e të tjerve, antisocialët, në shumë raste, tregohen të sjellshëm dhe të kujdesshëm. E ruajnë me shumë kujdes fasadën, për të shmangur përplasjet e mundshme me të tjerët.

Motoja tipike e të sjellurit të antisocialit është: -Nëse të pëlqen diçka, rrëmbeje menjëherë”! Dhe nëse nuk bëhet menjëherë, ai bën planin e sigurisë, për të mos u diktuar dhe dështuar.

Tipat antisocialë, në përgjithësi karakterizohen nga një kuotë e lartë inteligjence. Shumë nga ata drejtojnë me shumë sukses bandat e ndryshme kriminale, pa u diktuar dhe zbuluar nga policia për kohë të gjatë. Por, jo vetëm kaq. Në momente krizash sociale, ata vihen në krye të turmave dhe marrin pushtetin. Një antisocial tipik ka qenë Stalini. Njeri pa arsim të lartë, nëntë herë i dënuar për krime të ndryshme. Ishte “revolucionari” tipik, me aksione terroriste, me pushkë dhe bomba. I ngjashëm me atë ka qënë edhe Hitleri dhe gjithë diktatorët e pasluftës së Dytë Botrore.

Të tillë politikanë, si antisocialë që janë, kur bëhen të plotpushtetshëm, punën e nisin me shkatërrimin e shtetit ligjor. Kjo për faktin se, ligjin dhe shtetin ligjor, i mendojnë armiqtë më të mëdhenj të tyre. Ata qeverisin pa ligje. Ligjet, normat, moralin, etikën ata i mendojnë si detyrim për të tjerët dhe aspak për veten e tyre.

Antisocialët, janë të suksesshëm edhe në tregti por, çuditërisht, edhe në drejtësi, si avokatë.

Kanë aftësinë e të lidhurit shpejt me të tjerët dhe shpesh janë gazmorë.

Ata, në përgjithësi, pëlqehen nga femrat. I ushqejnë ato me aventura, dëfrime dhe me ndjenjën e sigurisë. Por, fatkeqësisht, pjesa më e madhe e tyre nuk i mbajnë dot lidhjet e gjata. Janë tipa kinemaje dhe jo shtëpie.

Psikologu Heinz Roehr, thotë se, te çdo zhvillim personaliteti, gjenet luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Një ide e tillë, është vërtetuar nga kërkimet e shumta psikologjike. Një pjesë e madhe e sjelljes së njeriut antisocial është e diktuar gjenetikisht. Në aspektin psikoanalitik, edukimi i hershëm, është faktori determinant për sjelljet e njeriut të rritur.

Te njeriu antisocial, që në femijërine e tij të hershme, ndërtohet programi; Jeta është e vështirë dhe e pallogaritshme. Kjo e bën atë që të ndertojë një program tjetër, antiprogram, i cili i bjen ndesh programit të shoqërisë ku ai jeton. Edhe nëse duan, ata nuk dalin dot aq kollaj, nga programi i tyre, antiprogram. Nuk pranojnë dhe, nuk durojnë dot, asnjë program tjetër. Nuk e pranojnë kritikën dhe as këshillat e të tjerve, kushdo qofshin ata. Nuk ulen në tavolinë për bisedime por, edhe nëse po, e braktisin shpejt atë. Pa asnjë rezultat. Janë tipa që dalin nga “helli”.

Jo vetëm puna por, disiplina në punë, është armiku i tyre. Edhe nëse janë të aftë fizikisht dhe profesionalisht, ata nuk i nënshtrohen punës, nuk e durojnë dot disiplinën e punës.

Në shtëpi janë plangprishës. Nëse gjithkush dhe gjithçka, nuk sillet dhe pëlqehet nga ata, duhet të dhunohet dhe shkatërrohet. Lidhjet e gjakut, për ata, janë asgjë.

Eshtë shumë e vështirë që të mund të ndryshosh diçka tek ata pasi, sociopatia është bërë pjesë e personalitetit të tyre. Edhe nëse i vënë vetes qëllim, në të shumtën e rasteve dështojnë.

Në veprimtarinë e tyre vendin kryesor e zë spontaniteti dhe të vepruarit jashtë kontrollit. Njerëzit normalë dhe të disiplinuar ata i mendojnë, njerëz të shtrirë në shtratin e vdekjes.

Për të përmbushur boshllëkun e tyre të brendshëm, vazhdimisht sajojnë programe të tyre personale. Të tilla janë sporti, bredhja nga një vend në tjetrin, udhëtimet aventureske, sportet e rënda deri dhe vdekjeprurëse, me makinë apo motoçikleta, seksi dhe provokime kaosi. Preferojnë dhunën dhe kaosin, anarkizmin. Në shumë raste, shkojnë vullnetarisht në vendet ku ka konflikte të armatosura dhe marrin pjesë direkt në luftime, me njërën apo tjetrën palë. Për ata, nuk ka shumë rëndësi se në krah të kujt luftojnë. Shpesh bëhen përdorues të drogës dhe alkoolit. Lelord dhe Andre, mendojnë se, sjellja më e suksesshme me antisocialët, është distancimi prej tyre, në punë dhe shoqëri.

Autori– shkrimtar dhe përkthyes, publicist

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat