Shkenca e Zombie-t: A do arrijmë ndonjëherë të ringjallim të vdekurit?

Speciale

Shkenca e Zombie-t: A do arrijmë ndonjëherë të ringjallim të vdekurit?

Më: 28 maj 2019 Në ora: 09:32
Ilustrim

Nga Kimberly Hickok

Ka pak gjëra më të sigurta në këtë jetë, se sa vdekja. Megjithatë, kjo nuk na ndalon të imagjinojmë se si do të ishte jeta, sikur vdekja të ishte vetëm e përkohshme. Në shumë filma dhe seriale, kufomat e njerëzve ringjallen dhe bredhin nëpër botë, duke shmangur heshtjen e përhershme të vdekjes, vetëm për të gllabëruar të gjallët.

Tani, ne e dimë se zombit nuk janë të vërtetë, por kufomat e ringjallura nuk janë një pjellë e imagjinatës. Shkencëtarët po përpiqen tashmë prej qindra vjetësh, që të ringjallin të vdekurit. Në vitin 1800, mjeku Xhovani Aldini u bë i famshëm për shfaqjet e tij spektakolare të “ringjalljes” së kufomave të njerëzve dhe të kafshëve, përmes stimulimit të tyre me goditje të fuqishme elektrike.

Ai do të lidhte me një bateri njerëz dhe kafshë, me organe të nxjerra sheshit, dhe do të bënte që kufoma të dridhej sikur të ishte gjallë. Spektatorët mrrekulloheshin, pavarësisht faktit që krijesa nuk kthehej më kurrë në jetë. Aldini e dinte se nuk po ringjallte të vdekurit, por nuk la që t’i ikte ky rast për të fituar famë, dhe as shkencëtarët që e pasuan atë.

Deri në vitet 1930, përpjekjet për të ringjallur të vdekurit përmes energjisë elektrike ishin zbehur, por jo magjepsja pas përpjekjeve për ringjalljen e të vdekurve. Një nga shkencëtarët më të famshëm në fushën e reanimimit është Robert E.Kornish, një biolog amerikan, që ka studiuar në Universitetin e Kalifornisë, Berkli.

Kornish njoftohet se arriti të ringjallë dy qen, duke i shkundur para-mbrapa për t’i lëvizur gjakun, teksa i injektoi një përzierje antikoagulantësh dhe steroidesh. Kur Kornish njoftoi se ishte i gatshëm të kryente eksperimentin e tij mbi njerëzit, një i burgosur i dënuar me vdekje nga Kalifornia,Tomas Mekmanigëll, e ofroi trupin e tij vullnetarisht pas ekzekutimit, por shteti i Kalifornisë e refuzoi kërkesën e tij.

Kohët e fundit, një ekip hulumtuesish nga Universiteti i Jeilit, ka eksperimentuar me reanimimin e trurit të derrave, dhe i ka publikuar gjetjet në një artikull të botuar në prill në revistën “Nature”. Shkencëtarët rikthyen aktivitetin e trurit dhe disa aktivitete qelizore tek derrat, disa orë pasi kafshët kishin ngordhur në një thertore.

Megjithëse disa qeliza të trurit, nisën të funksiononin sërish, kjo nuk ishte e mjaftueshme që derrat të rifitonin vetëdijen. Shkencëtarët që nuk ishin pjesë e studimit i thanë “Live Science”, se rezultatet vënë pikëpyetje, atë se çfarë do të thotë të jesh gjallë apo i vdekur.

Zombit janë sigurisht të rreme, por disa studime tregojnë se është e mundur një lloj ringjalljeje spontane. Në vitin 2011, 46-vjeçarja, Kelli Djuer, u rrëzua aksidentalisht në një pellg me ujë të ngrirë, teksa po shëtiste vetëm në dëborë në Nju Hempshajër. Zemra e Djuer u ndal para se të mbërrinte ambulanca, dhe temperatura e trupit të saj ra nën 15 gradë Celsius.

Ajo kishte vdekur prej 5 orësh, kur mjekët ia hoqën pajistet e rianimimit, kur papritmas zemra e saj filloi të rrihte në mënyrë spontane. Ajo kaloi dy javë në spital, e rimori veten, dhe u kthye në shtëpi e gjallë dhe pa dëmtime në tru. Ajo nuk ishte një mumje, por në njëfarë kuptimi, ishte kthyer nga bota e të vdekurve.

Shumë njerëz, janë rikthyer në jetë në mënyrë spontane, disa minuta pas pushimit të zemrës, një dukuri që duhet:Fenomeni i Llazarit. Por jo të gjithë njerëzit që përjetojnë këtë dukuri, rifitojnë funksionin e plotë neurologjik, apo vazhdojnë të jetojnë më gjatë. Por një studim i vitit 2007, vlerëson se rreth 35 për qind e pacientëve që kanë përjetuar ‘Fenomenin e Llazarit’, i rikthehen një jete normale dhe të shëndetshme.

Edhe pas qindra vitesh eksperimentesh të dështuara, disa shkencëtarë po përpiqen ende të ringjallin trupin e njeriut. Gjatë 3 viteve të fundit, kompania amerikane e bioteknologjisë “Bioquark Inc”, është përpjekur të rekrutojë 20 pacientë të vdekur klinikisht, për një eksperiment të rikthimit në jetë të trurit të vdekur.

Studimi është planifikuar të fillojë në korrik të këtij viti, por që tani ai është kritikuar shumë nga komuniteti shkencor. Në një artikull të botuar në revistën “Critical Care”, thuhet se “të vdekurit janë thjesht të vdekur”. Fansat e zombive, mund të mos bien dakord me këtë./Bota.al

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat