Egzon dhe Edon Shala po i vazhdojnë përgatitjet në Prizren

Sporti

Egzon dhe Edon Shala po i vazhdojnë përgatitjet në Prizren

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 20:18
Egzon dhe Edon Shala po i vazhdojnë përgatitjet në Prizren

Mundësit Egzon dhe Edon Shala po i vazhdojnë përgatitjet në Prizren, shpenzimet e të cilave po i mbulon KOK-u.

Dy mundësit tanë, Egzon dhe Edon Shala, janë duke i vazhduar përgatitjet për Lojërat Olimpike Tokyo 2020.

Egzoni prej muajit shkurt të këtij viti ka fituar normën Olimpike Tokio 2020, ndërsa Edoni është duke kërkuar të bëhet mundësi i dytë me normë.

Të dy garuesit tanë po i vazhdojnë rregullisht përgatitjet në Prizren, nën udhëheqjen e trajnerit Sylejman Shala.

KOK ua ka mbuluar shpenzimet të dy mundësve Shala për përgatitjet prej datës 5 - 25 dhjetor 2020.

"Ne jemi në përgatitje prej tetorit këtu në Kosovë, sepse shkaku i pandemisë Covid 19 nuk kemi mundur të udhëtojmë në SHBA, edhe pse i kemi vizat. Normal jemi duke dhënë maksimumin për t'u përgatitur për garat e ardhshme, të cilat po na mungojnë shumë, pasi u bë kohë e gjatë pa gara jashtë Kosovës", tregon Egzoni për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Ai bashkë me Edonin synojnë të fitojnë medalje në evropianin, që prej 19-25 prill mbahet në Poloni.

"Në vitin e ardhshëm do të marrim pjesë në kampionatin evropian, që do të mbahet në Poloni dhe jam shumë optimist që do të kthehemi me medalje. Tash na duhet përkrahje shumë më e madhe prej shtetit, pasi dihet që jam me normë Olimpike dhe duhet të marrim pjesë në kampe të njohura në SHBA, Rusi dhe në Evropë", shtoi Egzon Shala.

30-vjeçari ka fituar normën Olimpike në kategorinë deri në 125 kilogramë, disiplina stil i lirë.

Vëllezërit Shala janë pjesë e listës prej 19 sportistëve të KOK-ut, të cilët marrin Bursa Olimpike Tokio 2020 nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat