Kryetari i ri mbajti mbledhjen e parë, këto janë vendimet e KOK-ut

Sporti

Kryetari i ri mbajti mbledhjen e parë, këto janë vendimet e KOK-ut

Më: 2 prill 2021 Në ora: 14:36
Kryetari i ri mbajti mbledhjen e parë, këto janë vendimet e KOK-ut

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, nën drejtimin e presidentit të ri, Ismet Krasniqi, ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e parë për ciklin olimpik 2021 – 2024.

Bordi i ri u zgjodh në Asamblenë e 8-të Zgjedhore të KOK-ut, të mbajtur më 25 mars 2021.

Presidenti Krasniqi duke iu uruar mirëseardhje nënpresidentëve dhe anëtarëve të BE, theksoi se bashkarisht do të punojnë për të mirën e sportit dhe për të avancuar Komitetin Olimpik të Kosovës, me synimin për ta bërë shembull në Rajon dhe më gjerë.

U miratua Ekstrakti i Procesverbalit nga mbledhja e 61-të e BE të KOK-ut, e fundit për ciklin olimpik 2017 – 2020.

U raportua për aktivitetet mes dy mbledhjeve, si Kuvendin e Punës dhe Zgjedhor të KOK-ut, si dhe takimin e drejtuesve të rinj të KOK-ut, presidentit Ismet Krasniqi dhe nënpresidentëve, Gazmend Maxhuni e Eugen Saraçini me ministrin për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku.

U konstatua se përgatitjet për Lojërat Olimpike Tokio 2020 po shkojnë sipas dinamikës së paraparë.

Jeton Rudari, u zgjodh shef i misionit për LO Tokio 2020, ndërsa Kushtrim Krasniqi zyrtar i mediave (press attache). Rudari raportoi për procedurat e udhëtimit të Ekipit Olimpik të Kosovës, si dhe ndryshimet e fundit të bëra nga organizatori i LO Tokio 2020.

U vendos të bisedohet sa më parë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, për të vaksionuar ekipin olimpik të Kosovës për LO Tokio 2020.

U vendos t’iu dërgohet federatave ekipore aplikacioni për të përfituar nga granti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Çdo katër vjet KON jep grantin “Team Support Grant” për kombëtaren më të suksesshme të sporteve ekipore.

Me propozimin e presidentit Krasniqi, Besim Aliti u emërua këshilltar i presidentit. Aliti është menaxher në Asociacionin Evropian të Sportit Universitar (EUSA), ndërsa ka përvojë edhe në Universitetin e Zagrebit – menaxhimi sportiv, në Lojërat Evropiane BAKU 2015, FIBA Evropianin e basketbollit  2015, Lojërat Evropiane Universitare 2016, Lojërat Islamike Baku 2017, koordinator i Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe etj.

KOK do të shënojë edhe këtë vit 6 prillin – Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe.

KOK do të shënojë 9 prillin – Ditën për Sport të Pastër.
U miratua kërkesa e karateistes Fortesa Orana për mbështetje shtesë të përgatitjeve jashtë vendit para garave ndërkombëtare të vlefshme për normën olimpike Tokio 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat