Fadil Arifi kritikon ashpër: Federatë e inateve personale, e hakmarrjeve, disa i dënuan e disa i përzunë

Sporti

Fadil Arifi kritikon ashpër: Federatë e inateve personale, e hakmarrjeve, disa i dënuan e disa i përzunë

Nga: Kemajl Goca Më: 18 korrik 2021 Në ora: 12:29
Fadil Arifi

Ish presidenti i Federatës së Karatesë së Kosovës, Fadil Arifi, kritikon ashpër mënyra se si po menaxhohet karateja në Kosovë. 

Ai kritikon ashpër Federatën e Karatesë së Kosovës, sipas tij i ka përzë disa nga karateistët. 

Arifi i ka përmend edhe me emra, po ashtu numëron edhe dështimet e kësaj federate. 

Image

Ish presidenti i FKK-së, flet edhe për shkarkimin e selektorit Isak Curri. Ndryshe Arifi është veprimtar i shquar i këtij sporti dhe president i klubit Ippon nga Prishtina.    

”Bota sot”: Z. Fadil, si ish president i FKK-së, me syrin tuaj, si e sheh karatenë, ka përparime apo stagnim?  

Fadil Arifi: Padyshim karateja e jonë është në gjendje të rëndë, mos të them edhe në gjendje mjeruese. Nuk mund të flasim për përparim por kthim të gjendjes së viteve 70-ta. 

Nga një Federatë e fuqishme dhe e respektueshme në botë, me rezultate kulminante e me vlerë siç janë ato botërore e evropiane dhe ballkanike. 

E pranuar ndërkombëtarisht, me reputacion të dëshmuar si Federatë prestigjioze në botë, me karate të mirëfilltë dhe konkurruese, me organizime të mira ndërkombëtare në Kosovë, e konsoliduar me infrastrukturë të kënaqshme dhe me programe afatgjate në marrje të përgjegjësive organizative në Kosovë, pra në kalendarë të Federatës Evropiane dhe në agjenda të saj për organizime të ngjarjeve të rëndësishme. 

Hiq ma pak se dy aktivitete vjetore ishin në kalendarin zyrtar të Federatës Evropiane (turneu ndërkombëtar i Ipponit dhe turneu ndërkombëtar “ Xhevat Makolli”) por edhe marrja e besimit për të organizuar Kampionatin Evropian për kadet junior dhe U 21 për vitin 2022 në Prishtinë. Nga to asgjë nuk janë realizuar e më e keqja është anuluar edhe mbajtja e kësaj ngjarje të madhe tek ne, e për mua është një fatkeqësi e madhe që dikush duhet të jap llogari.

Gati pesë vite asnjë seminar për kata dhe asnjë për kumite. As një seminar për garues e gjithashtu në Kosovë nuk u soll asnjë mjeshtër apo ekspert u karatesë ku garuesit tanë do të mësonin më shumë. 
As një kamp i vetëm veror apo dimëror. 

Hiq nga to janë mbajtur vetëm seminare ndërkombëtare për gjyqtarë por e pamjaftueshme për rritjen e cilësisë në karate posaçërisht në ngritjen e kapaciteteve të trajnerëve dhe garuesve.

E pa akceptueshme është se kanë dështuar edhe përgatitjet e garuesve elitar të cilëve u janë ndarë mjete financiare nga Komiteti Olimpik i Kosovës. 

Përveç disa përgatitjeve individuale e të cilat nuk i kanë arritur kuotat e përkrahura nga KOK-u.
Sot është një Federatë pa perspektivë e lodhur e dërmuar dhe e harxhuar, pa udhëheqje dhe pa troh vizioni.

Federatë e inateve personale, e hakmarrjeve në individ, klube e sportist. Federate e klaneve të cilave duhet tu prehet rruga përndryshe do të jetë vonë.

Federate me anëtarë të Bordit të cilët disa posedojnë (menaxhojnë) nga 6 klube e të tjerët shumica me tri e dy klube. 
Anëtarë të Bordit të cilët patën edhe nga dy tri e katër pozita nëpër komisione.

Ata të cilët nuk u pëlqyen nga ky grup u dënuan pa procedura paraprake dhe pa intervistë, u përjashtuan dhe u ndoqën nga Federata. 
Kryesisht ata me te suksesshmit dhe që ishin bartës të sukseseve por që nuk u takonin meritave te tyre.

U dënuan trajner dhe garues e disa edhe u përzunën nga Federata. 

Image

Se ka rënë numri i garuesve në karate e dokumenton Kampionati i fundit i Kosovës ku numri i pjesëmarrësve ishte katastrofal, as 150 garues nga 62 klubet e regjistruara, morën pjesë me pak se 40 klube. Gjithashtu edhe numri drastik i vogël i seniorëve.

Me urgjence të hulumtohen si dhe për çka u themeluan mbi 22 klube në dy vitet e fundit e sidomos alarmuese është se ato u themeluan në kohën e pandemisë. 

Botërisht dihet se këto klube janë themeluar nga individët që veç kanë pasur klube dhe kjo është bërë instrument I fuqishëm për të mbivotuar në klanet përbrenda FKK-së në Kuvendin zgjedhor. 

“Bota sot”: Në disa gara kualifikuese nuk i dërguan garuesit, a mendoni se ka ndikuar edhe në normë olimpike?  

Fadil Arifi: E dhimbshme dhe e trishtë është e vërteta se Kosova nuk do të ketë karateist pjesëmarrës në Lojërat Olimpike. Kush I shuajti ëndrrat e pesë karateistëve të cilët kishin potencial por edhe kandidat serioz që të marrin vizën. 

U deshtë 50 vite punë e pareshtur e gjeneratave që e ngritën karatenë tonë,  patën shansen historike që të jetësohet duke qenë  pjesëmarrës në Tokio, ëndërr kjo e cila më nuk do t’u jepet rasti, sepse karateja nuk do të jetë në të ardhmen në programin olimpik. 

Nuk mund të them se këta drejtues nuk patën dëshirë të kualifikohen, por me përgjegjësi të plotë them se ata nuk deshtën që pikërisht këta garues të Ipponit të jenë ata që do të kualifikohen. 

Veprimet e drejtuesve të FKK-së e argumentojnë këtë sepse i ndalen, i dënuan , i poshtëruan dhe më në fund disa edhe u përzunën. 
Dihet botërisht se cilët janë ata që i ndëshkuan në kohën e kualifikimeve dhe nga kush janë iniciuar. 

Natyrisht këtë ëndërr e shuan drejtuesit e FKK-së, komplet bordi i saj.

Garuesit tanë, të gjithë të Ipponit, Herolind Nishevci, Alvin Karaqi, Orges Arifi e Fortesa Orana ishin që në fillim në mesin e atyre që prijtën listës e më vonë u bashkangjit edhe Elhami Shabani.

Si të kualifikohen kur qëllimisht, këta sportist nuk janë dërguar në gjashtë gara kualifikuese!!!!. 

A e din opinioni sportdashës se në disa aktivitete këta sportist kanë udhëtuar të vetmuar, pa përzgjedhës apo trajner, e ka raste që këtyre u ka ndejtë për mbrapa sekretari I përgjithshëm i FKK-së, ndërsa përzgjedhësi ka mbete në shtëpi.

Image

Si të kualifikohen këta kur edhe në kampet përgatitore të mbështetura nga KOK-u nuk janë dërguar pa fije shpjegimi (hiq në total 10-15 ditë nga mbi 120 ditë të aprovuara).

“Bota sot”: Karateja më kurrë nuk do të jetë sport olimpik. Nuk e shfrytëzuan rastin që të janë në Lojërat Olimpike në Tokio, ku qëndron faj apo gabimi? 

Fadil Arifi: Fatkeqësisht tani për tani dihet se karateja nuk do të jetë në Olimpiadën e Parisit, por edhe se në një të ardhme të afërt nuk dihet fati i saj. I dhimbshëm është fakti për neve se ne lëshuam rastin historik që të kualifikohemi për atje, patëm shans të madhe. 
Fajet i potencova më lartë, krejt fajet i ka Bordi drejtues i FKK-së, prej presidentit e deri te selektorët dhe trajnerët. 

Fajit s’mund t’i ikë as Komiteti Olimpik i Kosovës i cili ka qenë i informuar për pengesat, qëllimet dhe veprimet e FKK-së në këtë drejtim. 

Garuesit nuk kanë faj, ata e dhanë maksimumin, na bën krenar në shumë aktivitete, por kur t’u bashkangjitet këtyre edhe mospjesëmarrja në gjashtë aktivitetet kualifikuese e bënë të qartë fajin dhe dëmin e madh të shkaktuar.
Federata e Karatesë e Kosovës bëri gabime të pafalshme. Patën model se si punohet mirë dhe si arritën rezultatet kulminante Federatën e Xhudos, por nuk deshtën ta ndjekin. 

Patën model te shkëlqyeshëm nga ata se, rëndësi duhet t’u jepet garuesve elitar e jo fushëveprimi të jete i bazuar  vetëm në gjyqtarë. Drejtuesit e Federatës së xhudos s’patën kohë të merren as me ndjekje dhe dënime të trajnerëve të suksesshëm dhe sportistëve.

Ata nuk bën udhëtime 30 orëshe me autobus duke dërmuar sportistët e tyre si FKK-ja, gati në çdo gare kualifikuese, deri në Paris, Roterdam, Berlin, Salzburg etj dhe nuk u morën me turizëm sportiv. 

Ata e dëshiruan kualifikimin sepse, ja ditën vlerën kësaj ngjarje më të madhe botërore, ëndërr jetësore e çdo sportisti e që e bën edhe shtetin tejet shumë krenar. 

Ata arritën këtë sepse, i patën të gjitha në dispozicion, edhe garuesit edhe trajnerët e dijshëm, edhe përkushtimin. 

Ata nuk i lan garuesit e vetmuar apo nuk ua vunë përmbrapa sekretarin në vend të trajnerit. 
Federata e Karatesë e Kosovës pat buxhet të njëjtë me Federatën e Xhudos. 

Ata ditën ta shfrytëzojnë taksën e tatimpaguesve dhe në vazhdimësi e kthyen me nderë dhe rezultate.

Shkëlqimi i Federatës së Karatesë nuk matet me organizime nëpër hotele të kushtueshme për imazhe personale dhe mashtruese me tepih solemn herë të kuq e herë vizellimë të kaltër dhe me drita vezulluese por me rezultate konkrete, kualifikim për Tokio apo me rezultate të tjera siç i pati në vazhdimësi xhudoja.

Sot detyrimisht duhet te shtrohet pyetja: Kush është fajtor për mos kualifikimin e karateistëve në Lojërat Olimpike dhe patjetër duhet t’i drejtohet gishti atij. 

“Bota sot”: “Bota sot”: Çfarë duhet të bëjmë që të kthehet karateja në nivele më të mira?  

Fadil Arifi:  E vështirë do të jetë tani, janë bërë dëme të pariparueshme. Shumë vështirë sepse, janë krijuar grupacione jo meritore përbrenda FKK-së. 
Hapja e organizuar e klubeve pa fije kriteri ku një person menaxhon 6 klube e të tjerë nga 4 e shumë nga 3 klube. 

E dhimbshme për sportin e Kosovës, për karatenë e saj kur personi që ka klub të “lodhët” në FKK për ditëlindje ja hap vajzës si dhurate një klub tjetër, vllau vllaut pa pas lidhje me karatenë gjithashtu i hap klub të karatesë. 

E tjetri merr detyrime për hapjen e shume klubeve në letër, anë e mbanë Kosovës vetëm me qellim të mbi votimit në Kuvend Zgjedhor. 

E ilustroj me postimin e një trajneri të një klubi ferizajas në FB se ka presion për me hap edhe një klub por e ka problem se si me ja lan emrin klubit.

Dalja nga kjo situate s’është e lehtë, duhet analizë e saktë se çka ka ndodh përbrenda FKK-së, në këto pese vitet e fundit. 

Federata e Karatesë e Kosovës aktualisht thuaja është pa president sepse ai ka marr udhëheqjen e Komitetit Olimpik të Kosovës. 

Gati 5 muaj pas zgjedhjeve komoditet i pa parë në FKK, pa emërime të komisioneve. 

Sekretari me dalje mandati dhe i pa emëruar kryen përgjegjësi sikur të ishte i përjetshëm. 

Selektoret me skadence posti njëjtë. Një administratë e ngarkuar pa nevojë ku nga buxheti i FKK-së harxhohen shuma enorme, rreth 20 mije euro në vit. 

Një fije shprese është se është bërë një kuvend për ndërrimin e  Statutit dhe aty janë marr disa vendime të mira për të eliminuar konfliktin e interesave, si psh asnjë anëtar i Bordit mos të bartë funksione të tjera dhe ky është besoj, një hap i vogël se si të dilet nga kjo gjendje e rëndë. Në të kaluarën një anëtar i bordit ka poseduar tri katër poste.

Hapi më i rëndësishëm është që në bashkëpunim me organet kompetente të vlerësohet dhe të hetohet ligjshmëria apo mashtrimi me klube nga personat e pandërgjegjshëm.

Pas kësaj, duhet të kthehemi në pikën zero dhe të dalin zgjedhje të reja e në të cilat s’do të ketë mbivotime nga asnjë individ apo grupacion.

“Bota sot”: Disa karateistë na ikën te kombëtarja e Shqipërisë, a u bë këtu dëmi më i madh?  

Fadil Arifi: Dihet botërisht se tre karateiste elitarë të Kosovës në vlugun e garave kualifikuese u detyruan të gjejnë rrugë tjera, me një fjalë u përzunë nga Federata e Karatesë e Kosovës dhe ju bashkangjiten Federatës Shqiptare të Karatesë. 

Ndjekja e tyre ishte njollë e keqe dhe nuk do t’u falet drejtuesve të FKK-së. 

Ata nuk i peshuan kërkesat legjitime të tyre, nuk i vlerësuan cilësitë e tyre dhe në situatën e krijuar nuk bënë asgjë që ata të përkrahën për të vazhduar kontributin e tyre të madh për sportin gjegjësisht për karatenë e Kosovës, përkundrazi, këta garues u anashkaluan, u dëmtuan, dhe më e keqja nuk u dërguan në aktivitete kualifikuese.

Në historikun e FKK-së rasti i Alvin Karaqit do të jetë njollë e zezë dhe ndërgjegje e vramë e drejtuesve të asaj kohe, e të gjithëve me radhë. Më e keqja është së përveç që e ndëshkuan materialisht me mospërkrahje, të njëjtit tentuan të bëjnë dëme e pengesa mes Federatës Botërore për mos të mund të regjistrohet për Shqipërinë. 

Se i është bërë dëm i madh Federatës së Karatesë së Kosovës u pa tash para pak ditësh në Poreç të Kroacisë ku po këta djelmosha e eliminuan Kosovën nga garat e mëtutjeshme.

“Bota sot”: Para disa jave u shkarkua Isak Curri nga selektori, por shkarkimi i tij u bë pa shumë bujë, pse?  

Fadil Arifi: Isak Curri është një punëtor i zellshëm, një trajner që është angazhuar mjaft në këto vitet e fundit por sa i përket shkarkimit mendoj se është i vonuar apo më mirë të them ky nuk është dashtë as që të emërohet selektor. 

Nuk është bërë bujë sepse tani me Isak Curri është i parëndësishëm për FKK-në, tani nuk e ka fuqinë e votave që kishte më parë.
Botërisht dihet se Isak Curri ka ardh ne postin e përzgjedhësit me bagazh me 4 votat e klubeve të tij (me aq vota është dal fitues presidenti i tashëm i FKK-së) dhe për këtë kontribut është “shpërblyer” me postin e selektorit.

Shkarkimi i tij dy orë para se të niset për në Paris, për turneun kualifikues e bën më të qartë seriozitetin që ka pas kjo Federatë, domethënë është krijuar një atmosferë e dëmshme për sportistët të cilat dihet se nuk munden t’i arrijnë ëndrrat e tyre edhe me faj të zyrtarëve të FKK-së.

Prononcimi i tij në FB se si dhe kur është shkarkuar, është i vonuar dhe jo i sinqertë, por e ka një anë pozitive, tregon një dukuri që në vazhdimësi e ka përcjell federatën e ajo është lëvdata para opinionit dhe sportistëve. 

Sipas tij paska pas premtime nga i pari i FKK-së se ai do të bëjë të mundur kualifikimin e sportistëve tonë, domethënë ai do tua ndreqë ftesën.

Skandaloze nëse kjo qëndron. Kjo dëshmon se sportistët por edhe opinioni në vazhdimësi janë mashtruar dhe çuditërisht edhe kanë besuar në këto mashtrime.

Isak Curri është dashtë të shkarkohet që nga fillimi për rezultatet e dobëta të përfaqësueses gati në të gjitha kampionatet evropiane dhe botërore. 
Isak Curri është dashtë të shkarkohet për dëmin që ja ka bërë garuesit Herolind Nishevcit në Premiere League të mbajtur në Gjermani. 

Ai nuk ka reaguar për gabimin teknik që e ka ba paneli i tatamit, në luftën gjysmëfinale mes Nishevcit dhe garuesit iranian e sipas rrjedhjes së garës fitues ka qene Nishevci. 

Me këtë rast nuk është bërë ankesa edhe pse është ditë saktë se Kosova do të shpallet fitues. 
Me këtë rast garuesit tonë ju ka bërë padrejtësi e madhe, sepse me ato pikë të fituara ai veç sot do të ishte në Tokio. 

Sipas individëve brenda FKK-së po komentohet se Curri s’ka pas njohuri të bëj ankesën për shkak mos të njohjes së gjuhës së huaj.

Dëmet që i ka shkaktuar Federatës së Karatesë janë të mëdha me vetëdije apo pa të. 

Drejtuesit e dijnë mirë se ai është dashtë të shkarkohet që në vitin e parë kur bëri padrejtësi të mëdha ndaj kampionëve të Kosovës duke i anashkaluar dhe përzgjedhë sipas qejfit të tij. Këtë e ka bërë në vazhdimësi deri në ditën e shkarkimit.

Ai është dashtë të shkarkohet kur ka lan në shtëpi fitues të disa luftërave në Premiere League, fitues të Kampionatit të Kosovës por edhe të pestin në Evropë, dhe ka favorizuar garues të rrethit të tij apo të dy - tri klubeve rreth tij, posaçërisht atyre që e ndihmuan me votë. 

Konkretisht, ai është dashtë që në Kampionatin e Mediteranit për të rinj të dërgoj garues cilësor, përkundrazi ka dërguar garues të dobët dhe dihen rezultatet, asnjë medalje e fituar edhe pse as konkurrencë nuk ka pas atje. 

Po në këtë aktivitet Kosova ka udhëtu pa selektor, pa trajner. Në vend të tyre ka udhëtu sekretari i FKK-së!!!
Isak Curri ish dashtë me u shkarku se në Kampionatin Evropian i mbajtur në Sochi të Rusisë e ka hjek nga lista fituesin e medaljes në Kupën Botërore dhe gjithashtu kampionin e Kosovës, Albrim Samahodaj. Ai e ka ndalu atë as të merr pjesë edhe me mjete vetanake. 

Atje ka dërguar garues pa far cilësie dhe dihet mirë se si është kaluar atje. 
Isak Curri është dashtë të shkarkohet menjëherë pasi që ka lejuar në Madrid, Kosova të përfaqësohet pa simbole e më e keqja as me emrin Kosovë por është prezantuar me një emër tjetër WKF 5

Isak Curri është dashtë të shkarkohet në momentin që ka fye dhe kërcënuar garuesit e Ipponit publikisht në TV.
Isak Curri jo vetëm që është dashtë të shkarkohet nga selektori por ndaj tij është dashtë edhe të merren masa tjera ndëshkimore për trajtimin që ja ka bërë garuesit më të mirë kosovar Alvin Karaqi. 

Atij për inate personale ja ka mohuar mbështetjen financiare për garat kualifikuese duke e anashkaluar.
Isak Curri është dashtë të shkarkohet sepse në një garë të rëndësishme ndërkombëtarë nuk ka pranuar që ta ndihmojë garuesin e përfaqësueses që të nxehet pak minuta para duelit.

Isak Curri është dashtë të shkarkohet në Poreç, e jo të pritej me gjatë për rezultatin e tij katastrofal në përzgjedhje. 

Shtate  garues janë eliminuar që në xhiron e parë me diferencë maksimale të pikëve.

Isak Curri ishte dashtë që po në këtë aktivitet të shkarkohet për shkak të humbjes nga përfaqësuesja e Shqipërisë.

Isak Curri për sjelljen e vrazhdë dhe të keqe në këtë kampionat, në holin e hoteli ka fyer publikisht sportisten Fortesa Orana e cila të nesërmen ka pas me hy në garë, dhe për këtë do te duhej të merren masa shtesë dënimi sepse ka ulë prestigjin e garueses në prani të sportisteve të dhjetra shteteve që ishin afër. 

Në të ardhmen kusht elementar duhet të jetë që selektori të ketë njohuri të mjaftueshme të ndonjë gjuhë të huaj, të cilën fatkeqësisht asnjë selektor apo trajner i Kosovës nuk e posedon. 

 "Bota sot”: Si të veprohet?

Fadil Arifi: E pranojnë të gjithë përveç atyre pa vizion, se gjendja në Federatën e Karatesë është e rëndë, jo premtuese. 

A ka zhgënjim më të madh se mos të kesh sukses në kualifikimet për Tokio e kur ka pas përkrahje financiare 100 %. 
Infrastrukturë e dobët, pesë vite nuk është përkrahur asnjë klub me tatami.

Federata e Karatesë ka hy në këtë vit me borxhe të mëdha dhe shlyerja e atyre borxheve nga të hyrat e vitit vijues në dëm të aktiviteteve për 2021 është e pafalshme.

Gjithashtu nuk u është bërë rimbursimi i borxheve ndaj garuesve të cilët janë të mëdha.

Ndjekja e kalendarit të garave sipas Federatës Botërore asaj Evropiane, e mediterane do te jete e vështirë, gjithmonë në dëm të karateistëve.

Gjithashtu përgatitja apo organizimi i kampeve përgatitore për aktivitetet e radhës do të jetë e vështirësuar.

Gjendja e krijuar në FKK me klube të dyshimta gjithashtu është pengesë për shkuarje më tej.
Meqenëse presidenti i deritanishëm ka marr besimin me udhëheq Komitetin Olimpik, ai nuk do të ketë kohë mjaftueshëm me udhëheq e FKK edhe kjo do ta vështirëson gjendjen edhe ashtu të rëndë në FKK. 

Ai duhet të jap dorëheqje dhe të kontriboj që në krye të saj të vjen dikush i përkushtuar dhe që ka aftësi ta nxjerr FKK nga kjo gjendje të rëndë dhe pa shpresë.

Pra me urgjencë të bëhen zgjedhjet e reja, dhe nga to të dalin punëtor të zot të cilët e dojnë karatenë por edhe kanë aftësi menaxhuese dhe profesionalizëm të dëshmuar.

E domosdoshme dhe nuk duhet të kalohet tutje pa bërë përjashtimin nga vota e atyre të cilët fshehurazi mes klubeve të shumta i dhanë kahje tjetër karatesë.

Karateja e Kosovës meriton më shumë kujdes dhe përkrahje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat