Arifi: Isak Curri jo vetëm që është dashtë të shkarkohet nga selektori por edhe të merren masat ndaj tij 

Sporti

Arifi: Isak Curri jo vetëm që është dashtë të shkarkohet nga selektori por edhe të merren masat ndaj tij 

Nga: Kemajl Goca Më: 18 korrik 2021 Në ora: 13:56
Isak Curri

Në thumb të kritikave është edhe ish selektori i Kombëtares së Kosovës, Isak Curri. Ish presidenti i Federatës së Karatesë së Kosovës, Fadil Arifi, kritikon Curri dhe sipas tij, ai u dashtë të jap dorëheqje që moti.

Arifi tregon edhe arsyet pse Curri u dashtë të largohet dhe ku ishin gabimet e tija! 

“Isak Curri është një punëtor i zellshëm, një trajner që është angazhuar mjaft në këto vitet e fundit por sa i përket shkarkimit mendoj se është i vonuar apo më mirë të them ky nuk është dashtë as që të emërohet selektor. 

Image

Fadil Arifi

Nuk është bërë bujë sepse tani me Isak Curri është i parëndësishëm për FKK-në, tani nuk e ka fuqinë e votave që kishte më parë.
Botërisht dihet se Isak Curri ka ardh ne postin e përzgjedhësit me bagazh me 4 votat e klubeve të tij (me aq vota është dal fitues presidenti i tashëm i FKK-së) dhe për këtë kontribut është “shpërblyer” me postin e selektorit.

Shkarkimi i tij dy orë para se të niset për në Paris, për turneun kualifikues e bën më të qartë seriozitetin që ka pas kjo Federatë, domethënë është krijuar një atmosferë e dëmshme për sportistët të cilat dihet se nuk munden t’i arrijnë ëndrrat e tyre edhe me faj të zyrtarëve të FKK-së.

Prononcimi i tij në FB se si dhe kur është shkarkuar, është i vonuar dhe jo i sinqertë, por e ka një anë pozitive, tregon një dukuri që në vazhdimësi e ka përcjell federatën e ajo është lëvdata para opinionit dhe sportistëve. 

Sipas tij paska pas premtime nga i pari i FKK-së se ai do të bëjë të mundur kualifikimin e sportistëve tonë, domethënë ai do tua ndreqë ftesën.
Skandaloze nëse kjo qëndron. Kjo dëshmon se sportistët por edhe opinioni në vazhdimësi janë mashtruar dhe çuditërisht edhe kanë besuar në këto mashtrime.

Isak Curri është dashtë të shkarkohet që nga fillimi për rezultatet e dobëta të përfaqësueses gati në të gjitha kampionatet evropiane dhe botërore. 
Isak Curri është dashtë të shkarkohet për dëmin që ja ka bërë garuesit Herolind Nishevcit në Premiere League të mbajtur në Gjermani. 

Ai nuk ka reaguar për gabimin teknik që e ka ba paneli i tatamit, në luftën gjysmëfinale mes Nishevcit dhe garuesit iranian e sipas rrjedhjes së garës fitues ka qene Nishevci. 

Me këtë rast nuk është bërë ankesa edhe pse është ditë saktë se Kosova do të shpallet fitues. 

Me këtë rast garuesit tonë ju ka bërë padrejtësi e madhe, sepse me ato pikë të fituara ai veç sot do të ishte në Tokio. 

Sipas individëve brenda FKK-së po komentohet se Curri s’ka pas njohuri të bëj ankesën për shkak mos të njohjes së gjuhës së huaj.

Dëmet që i ka shkaktuar Federatës së Karatesë janë të mëdha me vetëdije apo pa të. 

Drejtuesit e dijnë mirë se ai është dashtë të shkarkohet që në vitin e parë kur bëri padrejtësi të mëdha ndaj kampionëve të Kosovës duke i anashkaluar dhe përzgjedhë sipas qejfit të tij. Këtë e ka bërë në vazhdimësi deri në ditën e shkarkimit.

Ai është dashtë të shkarkohet kur ka lan në shtëpi fitues të disa luftërave në Premiere League, fitues të Kampionatit të Kosovës por edhe të pestin në Evropë, dhe ka favorizuar garues të rrethit të tij apo të dy - tri klubeve rreth tij, posaçërisht atyre që e ndihmuan me votë. 

Konkretisht, ai është dashtë që në Kampionatin e Mediteranit për të rinj të dërgoj garues cilësor, përkundrazi ka dërguar garues të dobët dhe dihen rezultatet, asnjë medalje e fituar edhe pse as konkurrencë nuk ka pas atje. 

Po në këtë aktivitet Kosova ka udhëtu pa selektor, pa trajner. Në vend të tyre ka udhëtu sekretari i FKK-së!!!

Isak Curri ish dashtë me u shkarku se në Kampionatin Evropian i mbajtur në Sochi të Rusisë e ka hjek nga lista fituesin e medaljes në Kupën Botërore dhe gjithashtu kampionin e Kosovës, Albrim Samahodaj. Ai e ka ndalu atë as të merr pjesë edhe me mjete vetanake. 

Atje ka dërguar garues pa far cilësie dhe dihet mirë se si është kaluar atje. 
Isak Curri është dashtë të shkarkohet menjëherë pasi që ka lejuar në Madrid, Kosova të përfaqësohet pa simbole e më e keqja as me emrin Kosovë por është prezantuar me një emër tjetër WKF 5.

Isak Curri është dashtë të shkarkohet në momentin që ka fye dhe kërcënuar garuesit e Ipponit publikisht në TV.

Isak Curri jo vetëm që është dashtë të shkarkohet nga selektori por ndaj tij është dashtë edhe të merren masa tjera ndëshkimore për trajtimin që ja ka bërë garuesit më të mirë kosovar Alvin Karaqi. 

Atij për inate personale ja ka mohuar mbështetjen financiare për garat kualifikuese duke e anashkaluar.

Isak Curri është dashtë të shkarkohet sepse në një garë të rëndësishme ndërkombëtarë nuk ka pranuar që ta ndihmojë garuesin e përfaqësueses që të nxehet pak minuta para duelit.

Isak Curri është dashtë të shkarkohet në Poreç, e jo të pritej me gjatë për rezultatin e tij katastrofal në përzgjedhje. 

Shtate  garues janë eliminuar që në xhiron e parë me diferencë maksimale të pikëve.
Isak Curri ishte dashtë që po në këtë aktivitet të shkarkohet për shkak të humbjes nga përfaqësuesja e Shqipërisë.

Isak Curri për sjelljen e vrazhdë dhe të keqe në këtë kampionat, në holin e hoteli ka fyer publikisht sportisten Fortesa Orana e cila të nesërmen ka pas me hy në garë, dhe për këtë do te duhej të merren masa shtesë dënimi sepse ka ulë prestigjin e garueses në prani të sportisteve të dhjetra shteteve që ishin afër. 

Në të ardhmen kusht elementar duhet të jetë që selektori të ketë njohuri të mjaftueshme të ndonjë gjuhë të huaj, të cilën fatkeqësisht asnjë selektor apo trajner i Kosovës nuk e posedon”, thotë Arifi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat