Shqipëria kërkon historinë me shtangën

Sporti

Shqipëria kërkon historinë me shtangën

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 11:21
Shqipëria kërkon historinë me shtangën

Sot do të hapen zyrtarisht Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, aktiviteti më madhor i sportit në botë, ku do të marrë pjesë edhe Shqipëria, e cila do të përfaqësohet nga 9 sportistë (3 femra dhe 6 meshkuj). Si gjithnjë, pritshmëritë më të larta të kuqezinjve vijnë nga peshëngritja.

Briken Calja dhe Erkand Qerimaj janë shtangistët që përfaqësojnë sportin më të suksesshëm të vendit. Ashtu sikurse ka deklaruar vetë sportisti dhe Komiteti Olimpik, Shqipëria synon fitimin e medaljes së parë olimpike në historinë e saj me Caljen, objektiv që e ka shprehur publikisht në shumë raste ish-kampioni i Europës.

Gjithashtu pritet shumë edhe nga Qerimaj, një shtangist me eksperiencë që prej vitesh ka regjistruar rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Përfaqësuesit e atletikës do të jenë rekordmenët Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj. Pasi shkroi historinë duke u bërë atletja e para shqiptare që kualifikohet në finalet e një Botërori (zuri vendin e nëntë në Doha në vitin 2019), Luiza Gega kërkon tashmë finalen edhe në Olimpiadë, si dhe përmirësimin e rekordit të saj 9:19:93 në garën e 3 mijë metrave me pengesa.

Finale dhe rekord synon edhe Smajlaj në kërcim së gjati, ndërsa trajneri i tij personal, Gjergj Ruli, lë të hapur edhe mundësinë e medaljeve, duke iu referuar formës së shkëlqyer të shkodranit. Për herë të parë Shqipëria do të garojë në gjimnastikë artistike, aty ku do të përfaqësohet nga Matvei Petrov.

Rusi i natyralizuar, i cili konkurron në disiplinën e kaluçit me doreza, në muajt e fundit ka arritur rezultate të jashtëzakonshme me flamurin tonë kombëtar, duke regjistruar tituj si kampion Europe dhe bote. Edhe Petrov ka fillimisht si objektiv kryesor finalen. Një tjetër sport me të cilin do të përfaqësohet Shqipëria në Tokio është xhudo.

Indrit Çullhaj, disa herë kampion Ballkani dhe kampion absolut kombëtar për vite me radhë, premton më të mirën e tij në olimpiadë, teksa duelon në kategorinë -66 kg. Qitja do të përfaqësohet nga Manuela Delilaj, e cila do të provojë shënjestrën në 10 metra pistoletë me ajër dhe në 25 metra pistoletë sportive.

Nikol Merizaj dhe Kledi Kadiu janë notarët e vendit tonë në këtë aktivitet, të cilët do të garojnë respektivisht në 50 dhe 100 metra stil i lirë, me objektiv përmirësimin e rekordeve kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat