Viti i trazuar 2021, Europiani dhe Olimpikët

Sporti

Viti i trazuar 2021, Europiani dhe Olimpikët

Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 11:47
Viti i trazuar 2021, Europiani dhe Olimpikët

Bota ishte e trazuar edhe në vitin 2021 me pandeminë covid 19 që vazhdoi të ishte pjesë e jetëve tona. Megjithatë këto 12 muaj kanë sjellë edhe momente feste, gëzimi, bashkimi dhe sporti dha kontributin e tij më të madh në këtë aspekt.

2021 ishte viti i eventeve madhore sportive si Evropiani i futbollit apo Lojërat Olimpike të Tokios të shtyrë me 1 vit pikërisht për shkak të virusit që po vazhdon të mbajë të mbërthyer botën në kthetrat e tij edhe pse tashmë kanë kaluar 2 vjet.

Kontinenti i Vjetër kishte nevojë për një ngjarje si Evropiani, i cilësuar si Evropiani shëtitës pasi u zhvillua në 12 qytete. ishte një eveniment që për fatin e mirë pati edhe tifozë në stadiume, një element i domosdoshëm për këtë sport, pasi janë ata që i japin gjallëri impianteve.

Pas një viti pritjeje, Evropiani i kësaj vere ngriti siparin në 11 qershor, por ditët e para u pushtuan nga trishtimi dhe ankthi për gjendjen e një prej futbollistëve më të talentuar si Christian Eriksen pas atakut kardiak të pësuar në fushën e lojës. Për orë të tëra futbolli i luajtur kaloi disi në plan të dytë me skuadrat dhe tifozët që kishin në mendje danezin.

Por siç thotë dhe hiti i njohur i grupit legjendar Queen 'Show must go on', shfaqja duhet të vazhdojë, dhe Evropiani i futbollit padyshim e bëri këtë. Mund të thuhet se ky kompeticion ishte i Italisë. Skuadra e Roberto Mancini-t mahniti dhe i surprizoi të gjithë dhe me të drejtë ngriti trofeun e kampiones së Evropës.

Të kaltrit dolën krejtësisht nga natyra e tyre teksa gjatë evenimentit zhvilloi një lojë sulmuese dhe ishin gjithnjë në kërkim të golit, karakteristika që kjo skuadër nuk i ka shfaqur kurrë më parë teksa është dalluar për një mbrojtje të fortë por vrasëse në momentin që të sulmon.

Italia e Mancinit thuajse nuk gaboi në asnjë prej ndeshejeve të saj edhe pse i pati edhe momentet e vështira siç ishte sfida me Austrinë e sidomos ajo me spanjën. por në fund gjithçka ia vlejti pasi Italia tashmë është mbretëresha e evropës në futboll, deri në... Gjermani 2024.

Por ky Evropian ishte edhe ai i përfaqësueses angleze. Mund t'i lejojmë vetes që ta përkufizojmë edhe si kampionati i Krenarisë së 'Tre Luanëve'. Me Southgate në stol, Anglia arriti diçka që nuk i ndodhte prej 55 vitesh, që pas botërorit 1966; arriti në finalen e një eventi madhor e për më tepër për herë të parë në histori arriti në finalen e një evropiani. në Wembley mitik, pika e penalltive rezultoi një peshë e rëndë e kësaj Anglie e mbushur me futbollistë të rinj që kërkuan të bënin më në fund realitet frazën: 'football is coming home', por mallkimi i 11 metrave ua shoi ëndrrën.

Evropiani i këtij viti mund të konsiderohet edhe festivali i golave. 142 gola u shënuan në këtë kompeticion, me një mesatare 2.78 golash për ndeshje, përqindja më e lartë e regjistruar në një kompeticion të tillë që nga viti 1980.

Data që nuk do të harrohet është 28 korriku, si dita e sfidave të mëdha të knockoutit me spanjën që eliminoi Kroacinë 5-3 pas kohës shtesë në 1/8 e finaleve, përpara se Zvicra të bënte gjëmën dhe të eliminonte kampionët e botës të Francës me penallti në një ndeshje që u duk se e kishte të humbur. Euro 2020 ishte edhe skena eku u shfaqën talentet e reja.

Pedri te Spanja e tij rrëmbeu shumë zemra me lojën dhe pjekurinë e shfaqur në fushë edhe pse para kompeticionit më të rëndësishëm kontinental ai kishte zhvilluar vetëm 4 ndeshje me la Rojan. Por dhe Polonia shkroi emrin e saj në histori, falë kacper Kozloëski. Ky i fundit në moshën 17 vjec e 246 ditë u bë futbollisti më i ri që debuton në një kampionat evropian në të gjithë historinë, ndërsa bellingham u bë futbollisti më i ri që debuton në një eveniment madhor. Shkroi emrin e tij në historinë e Euro 2020 edhe Mikkel Damsgaard. goli i tij me goditje dënimi në gjysmëfinale ndaj Anglisë ishte i vetmi i shënuar në këtë mënyrë në të gjithë turneun.

Cristiano Ronaldo është një tjetër protagonist që nuk do ta harrojë Euro 2020. Në moshën 36 vjeçare, luzitani u bë i vetmi lojtar në histori që mori pjesë në 5 edicione Evropianësh e për më tepër, ai ka shënuar në secilin prej këtyre kompeticioneve.

Në Evropianin e këtij viti, Ronaldo fitoi Këpucën e Artë të Turneut me 5 gola të shënuar, po aq sa edhe Schick, por 36 vjeçari triumfoi se kishte dhënë edhe një assist. Po kështu, Ronaldo vendosi edhe një rekord tjetër; me 14 gola në total ai është lojtari që ka shënuar më shumë në evropianët duke lënë pas Michel Platini me 9 gola.

Evropiani i këtij viti do të kujtohet edhe për numrin e penalltive të humbura e sidomos autogolave të shënuar.

Statistikat flasin se janë ekzekutuar saktë 9 nga 17 penalltitë e akorduara ose 53% e tyre, dhe kjo është pqërqindja e dytë më e dobët në historinë e këtij kompeticioni. Por shifrat e autogolave të shënuar janë akoma më impresionuese, 10 të tillë më shumë se në të gjithë edicionet e marra së bashku, 9 në total.

Në 11 korrik, ky evropian uli siparin duke sfiduar pandeminë në mënyrën më të mirë të mundshme me futbollin e bukur dhe spektaklin e 24 skuadrave pjesëmarrëse.

Dhe sfida ndaj Covid 19 u përçua edhe te Lojërat Olimpike të Tokyo-s dhe vendi aziatik organizoi një event të madhërishëm pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme.

11600 sportistë udhëtuan drejt kryeqytetit japonez në kërkim të lavdisë; disa ia dolën mbanë të tjerët, jo. Ia dolën të bëjnë lavdinë sportistët e Kosovës dhe më konkretisht Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, fituese të medaljeve të arta në xhudo për të vijuar suksesin e Majlinda Kelmendit.

Por kishte nga ata që patën edhe pengje; është rasti i Briken Caljas që për 1 kg humbi medaljen e bronztë në peshëngritje për të bërë historinë e këtij sporti duke u renditur i katërti, një rezultat ky që gjithsesi mbetet i shkëlqyer. Luiza Gega po ashtu bëri historinë teksa u bë e para atlete që arriti në një finale olimpike, sic është ajo e garës së 3000 m me pengesa.

Lojërat olimpike të Tokios u karkaterizuan nga një luftë e fortë sportive për medalje mes SHBA dhe Kinës, me sportistët amerikanë që fituan 39 medalje të arta kundrejt 38 të rivalëve të tyre. Tokyo 2020 ishte eventi i atletikës italiane, Marcel Jacobs befasoi të gjithë teksa fitoi medaljen e artë në 100 m për meshkuj me 9.80 sekonda duke vendosur rekord evropian. italia triumfoi edhe në 4x100 m dhe jacobs padyshim që dha kontributin e tij.

Lojërat e Tokios ishin edhe eventi i risive teksa për herë të parë u garua në skateboard dhe surf. Tokyo 2020 ishte kompeticioni ku u dhanë edhe mesazhe sociale sic është rasti i Simone Biles që mori guximin të tërhiqet nga disa gara në gjimnastikë duke vënë në plan të parë shëndetin mendor. 

U rikthye në finalen e ushtrimeve në trarin e ekuilibrit duke fituar medaljen e artë, por sic e tha ajo vetë për Times, fitorja e medaljes nuk ishte më e rëndësishmja për të.

Lojërat Olimpike të Tokios ishte edhe eventi ku u shfaq edhe fair play, është rasti i Gianmarco Tamberit që preferoi që të ndajë medaljen e artë në kërcim së larti me atletin nga Katari Barshim.

Patën vendin e tyre në këtë kompeticion edhe mesazhet në favor të diversitetit, për barazinë gjinore dhe për luftën kundër diskriminimit. Gjimnastet gjermane vendosën që të kryenin ushtrimet e tyre me uniforma që mbulonin trupin e tyre për të kundërshtuar seksualizimin e sportisteve. Po kështu në këto olimpike u regjistrua një numër rekord i sportistëve homoseksualë që garuan, plot 180 të tillë, shifër kjo që është 3 herë më e lartë se në Rio De Janeiro.

Tokyo 2020 ishte edhe kompeticioni i polemikave, përplasjeve dhe protestave. Vëmendje të madhe mori sprintierja bjelloruse Krystsina Tsimanouskaya që refuzoi të kthehej në Minsk dhe kërkoi mbrojtjen nga policia japoneze dhe e gjithë kjo sepse kritikoi disa vendime të marra nga delegacioni olimpik. Ndonëse olimpiket japoneze u zhvilluan normalisht, Covidi ishte një shqetësim i vazhdueshëm për qytetarët në vendin aziatik të cilët nuk ngurruan të protestonin për anulimin e këtij kompeticioni që japonisë i solli një faturë prej 15 miliardë Dollarësh.

Pavarësisht protestave, momenteve kontroverse, polemikave, Lojërat olimpike sollën buzëqeshje në botën e plogështuar dhe e nënshtruar ndaj krizave sidomos asaj shëndetësore pasi miliarda persona në botë gjetën mënyrën për t'u argëtuar e për të harruar për një moment se në cfarë vorbulle problemesh është përfshirë globi...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat