Krasniqi propozon që në memorandumin që do të nënshkruhet sërish, të përfshihen edhe dy federata

Sporti

Krasniqi propozon që në memorandumin që do të nënshkruhet sërish, të përfshihen edhe dy federata

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 18:42
Krasniqi propozon që në memorandumin që do të nënshkruhet sërish, të përfshihen edhe dy federata

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) Ismet Krasniqi ka pritur të ngarkuarin e ri me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë (AJK), Keisuke Yamanaka.

Krasniqi, që shoqërohej nga anëtari i Bordit Ekzekutiv, Agron Mala, duke e përgëzuar Yamanakan për emërimin në këtë pozitë, e njoftoi me sukseset e sportit tonë, me theks të veçantë medaljet e arta Olimpike, dy prej të cilave u fituan vitin e kaluar në Lojërat Olimpike Tokio 2020 nga xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova.

Presidenti Krasniqi falënderoi mysafirin edhe për mikpritjen e ngrohtë që Japonia ia bëri ekipit tonë gjatë LO Tokio 2020, derisa i shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e KOK-ut për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin me Ambasadën e Japonisë.

Palët diskutuan edhe për ndërtimin e Qendrës Sportive për zhvillimin e arteve marciale, projekt ky i inicuar nga presidenti Krasniqi në vitin 2018, kur ishte kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës, me ç'rast u pajtuan që bashkërisht edhe me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport dhe Komunën e Prishtinës të rinisin procedurat për ndërtimin e kësaj qendre.

Krasniqi propozoi që në memorandumin që do të nënshkruhet sërish, të përfshihen edhe Federata e Xhudos e Kosovës dhe Federata e Karatesë së Kosovës.

Nga ana e tij, i ngarkuari me punë në AJK, Keisuke Yamanaka, që shoqërohej nga këshilltari, Arbër Myftari, ka falënderuar presidentin Krasniqi për bashkëpunimin, derisa ka mbetur i impresionuar me rezultatet e arritura nga sportistët tanë, duke veçuar Olimpiadën e mbajtur në shtetin e tij.

Ai ofroi gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me KOK-un, në çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me avancimin e sportit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat