Begaj për Gegën: Frymëzim e përgjegjësi për ta mbështetur

Sporti

Begaj për Gegën: Frymëzim e përgjegjësi për ta mbështetur

Më: 21 gusht 2022 Në ora: 18:52
Luiza Gega

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një bisedë telefonike me atleten Luiza Gega, e cila u shpall mbrëmjen e djeshme kampione e Europës në 3000 metra me pengesa.

Begaj tha se Gega është frymëzim, por mbi të gjitha përgjegjësi për ta mbështetur në rrugëtimin e saj, si krenari e Shqipërisë.

“Bisedë emocionuese telefonike me kampionen tone, Luiza Gega. Frymëzim por mbi të gjitha përgjegjësi për ta mbështetur në rrugëtimin e saj si krenari e Shqipërisë!”, u shpreh Begaj në rrjetet sociale.

Atletja shqiptare ka bërë një paraqitje fantastike në finalen e 3000 metrave me pengesa, duke u shpallur Kampione e Europës në Europianin e atletikës që u mbajt në Mynih.

Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë të regjistruar në fazën kualifikuese dhe ishte pretendente kryesore për të fituar këtë garë.

Ajo mori kryesimin në garë që pas 100 metrave të parë, për të lënë pas të gjitha rivalet.

Sportistja shqiptare ia doli të kalonte finishin e vetme me kohën 9.11.31, që u bë rekordi i ri i Kampionatit Europian, duke thyer me 6 sekonda atë të vendosur në vitin 2010 nga rusja Yuliya Zaripova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat