​Bakrraqi dhe Koçbashli më të mirët e garës së vrapimit "Gjakova Trail 2022"

Sporti

​Bakrraqi dhe Koçbashli më të mirët e garës së vrapimit "Gjakova Trail 2022"

Më: 10 shtator 2022 Në ora: 14:12
Foto ilustrim

Në fshatin Shkukëz të Gjakovës është zhvilluar sot gara e vrapimit malor ku morën pjesë 200 garues në një shteg me gjatësi rreth 20 kilometra.

Pas afër dy orë vrapimi, në finish e para arriti atletja e njohur kosovare, Gresa Bakrraqi. Kurse pas saj, i dyti erdhi Abdurrahman Koçbashli, ndërsa vendi i tretë i takoi atletit, Emin Grajqevci.

Pas garës, Bakrraqi u shpreh e lumtur që doli e para në edicionin e parë të kësaj gare, ndërsa tha për KosovaPress, se ky shteg nuk ishte shumë i vështirë për të.

Bakrraqi: E lumtur që e fitova edicionin e parë të "Gjakova Trail"

"Nuk mund të them që ishte aq shumë e vështirë, pasi atmosfera së pari ishte shumë e mirë dhe në momentin kur ti vjen dhe vrapon me kosovarët ndihesh akoma ajo adrenalina e garës. Ishte shumë e mirë, kështu që thjeshtë ndihem shumë e lumtur që në edicionin e parë arrita të dal e para në të dy kategoritë dhe shpresoj që vërtetë ta vazhdoj këtë lloj performance edhe viteve të ardhshme.", tha Bakrraqi.

Pjesë e kësaj gare ishte edhe ish-basketbollisti dhe atleti i njohur, Fikret Shatri. Ai për KosovaPress, tha se patën disa vështirësi dhe se një grup i atletëve u sulmuan nga grerëzit.

Shatri: Gjatë shtegut na sulmuan grerëzit

"Nuk ishte i vështirë. Faktikisht në tetë kilometrat e fundit ishte baltë e jashtëzakonshme, do të thotë, këmbët, patikat, atletet bëheshin 5-6 kilogramë. Vështirësinë na e shtoj pastaj edhe sulmi i grejzave. Ishim një grup vrapuesish që na ka sulmuar një grumbull grejzish...Por këto janë sfida të mrekullueshme të kësaj gare, çdo vështirësi mbetet në kujtesë gjatë.", tha Shatri.

Ai zbuloi se e ka anuluar një garë që po mbahet në Split vetëm që të jetë pjesë e këtij aktiviteti në Gjakovë.

Shatri: Kam anuluar garat në Split që të jem në këtë aktivitet

"Sot kam pasur të jem në Split në kampionatin evropian të vaterpolos, në finale, por për hatër të kësaj gare edhe çunave të Gjakovës që e kanë marrë këtë iniciativë ta organizojnë këtë garë të jashtëzakonshme më është dashur ta anulojë Splitin dhe tash sapo të bëjë tush në lum do të nisem për në Voskopojë." theksoi Shatri.

Vendi i parë është shpërblyer me 250 euro, i dyti me 150 dhe i treti me 100 euro për të dyja kategoritë.

Ky aktivitet u organizua nga Komuna e Gjakovës në bashkëpunim me Federatën Atletike të Kosovës, ndërsa kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini tha se kjo garë do të jetë tradicionale dhe do të organizohet çdo vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat