Sportistët e Kosovës, të kërcënuar e të rrahur! Sportistja që u dënua me 30 ditë burgim nga regjimi serb! 

Sporti

Sportistët e Kosovës, të kërcënuar e të rrahur! Sportistja që u dënua me 30 ditë burgim nga regjimi serb! 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 30 tetor 2022 Në ora: 17:37
KF Liria në vitet e 90-ta, në këto kushte luanin futboll, të ndjekur nga regjimi serb

A e dini se milicia serbe i kërcënoi rëndë gjyqtarët e ndeshjes Birliku - Skenderaj, Rexhep Potoku, Ilijaz Spahiu dhe Bedri Maliqi. 

A e dini se ndeshja Birliku – Skenderaj) në Shupkovc është luajtur në vitin 1993 dhe u ndërpre nga milicia serbe. 

"Ndeshja u ndërpre në minutën e 74-të. Ndërhyri milicia me disa pizgauer përlot me milicë dhe me krisma të automatiku, duke na sulmuar, ku më shumti pësoj asistenti im Iljaz Spahu,, të cilin e kanë rrahur deri në alivanosje dhe para djalit të tij të vogël. Spahiun e dërguan në stacion milicisë duke e mbajtur me orë të tëra dhe e rrahën shumë", tregon Potoku,

A e dini se komandanti famëkeq i  stacionit të milicisë së Vushtrrisë Vuqina Janiqeviq, urdhëroj milicinë të arrestohen dhe të dërgohen në stacion Besim Pantina, Shefki Popova, Jashar Peci, Ilijaz Spahiu, Dr. Fazli Jetullahun, Dr. Njazi Badivukun, këta u mbajtën 7 orë në stacionin milicisë në Vushtrri ku u kërcënuan se do t’i burgosin dhe do t’i paguanin me jetë.

A e dini se vëllezërit Naimi, Enveri dhe Omer Besimi, si donatorë kanë dhënë kontribut të madh për sportin e Kosovës në vitet e 90-ta.

A e dini se gjyqtarët e parë të futbollit të pavarësimit si kryesorë nga Mitrovica (lista e dërguar nga Rexhep Potoku), janë: Rexhep Potoku Enver Devçe, Nysret Prekazi, Iljaz Spahiu, Lulzim Devçe, Enver Voca, Agim Hasani, Nexhmedin Mehana dhe Bedri Maiqi, 

A e dini se kryetrajneri i Vëllaznimit, Fatmir Zhubi, u kërcënua nga milicia serbe. 

A e dini se në vitin 1993 në Ferizaj në fushën e shkollës “Ganimete Tërbeshi” u ndërpre ndeshja kampionale mes Vjosës dhe Prishtinës në hendboll.

Policia pas përfundimit të pjesës së parë ndërhyri dhe ndërpreu  ndeshjen tek rezultati 7:7.  Ekipet ishin me formacione komplete në bisedë informative në stacionin e milicisë në Ferizaj. Vjosa me vëllezërit Bedri e Ruzhdi Shaqiri, Ademajn, Durakun… kurse Prishtina me Demollin, Vokshin Berishën, Gashin… po ashtu mori përfaqësuesit e ekipeve, trajnerin Haki Baftiu (VJosa) dhe Erzen Kavaja (Prishtina), si dhe delegatin e ndeshjes Danjoll Grezda i cili ishte edhe kryetar i FH-së në atëkohë. 

Pas 5 orë bisedave dhe maltretimeve ata u liruan, me hapje procedure ndaj tyre, kurse ekipet u detyruan të largohen nga fusha.

A e dini se në vitin 1994 në finalen e Kupës së Kosovës në futboll, mes Prishtinës dhe Vëllaznimit, ishin të pranishëm prof. Fehmi Agani dhe Xhemajl Mustafa. Prof.. Agani e dorëzoi Kupën dhe medaljet te dy ekipeve. 

A e dini se Agim Ademi ka qenë veprimtar i futbollit dhe në vitin 1994 në Dumnicë ishte në finale të Kupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Vëllaznimit.

A e dini se Jakup Kasapolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Sporteve të Pejës në vitet e 90-ta.

A e dini se gazetari Nuredin Sadiku, që shkruante edhe për sport në gazetën “Rilindja”, nga milicia serbe u mor nga zyra e punës, u maltretu e u rrah brutalisht në lokalet e sigurimit me orë të tëra, nga pasojat e së cilës vdiq pas disa dite. Kjo ndodhi në vitin 1998.

A e dini se më 19 janar të vitit 1993 një tjetër delegacion në përbërje Ajet Shosholli, Enver Nuredini dhe Sejdi Merkoja udhëtoi për t’u takuar me drejtuesit e FSHF-së për ta konkretizuar bashkëpunimin. Kështu, delegacioni i FFK-së më 20 janar 1993, në zyrat e FSHF-së që ishin në stadiumin “Qemal Stafa”, u takuan me Eduard Dervishin, sekretar, Bekush Birqen tash përzgjedhës i Kombëtares shqiptare dhe me Edmond Gezdarin e Gjergj Thaken.

Pas një mikpritje vëllazërore dhe bashkëbisedimi të frytshëm të dyja palët u pajtuan që më 21 janar 1993 të nënshkruajnë një protokoll bashkëpunimi, ku u morën vesh që ekipi përfaqësues i Kosovës të zhvillojë takime me Kombëtaren e Shqipërisë më 14 shkurt 1993 si dhe një ndeshje tjetër më 16 shkurt, të zhvillohej në Patos me skuadrën “Albpetrol”.

A e dini se më 17 nëntor të vitit 1992 kryetari i FFK-së Agim Bytyqi ia drejton një letër Komitetit Olimpik Shqiptar dhe Federatës së Futbollit të Shqipërisë, me ç’rast kërkon një takim më 30 nëntor 1992, për të biseduar për bashkëpunim, por nga dokumentacioni që ka mbetur i FFK-së nuk shihet ndonjë përgjigje e palës shqiptare, ndaj shohim një tjetër letër dërguar më 5 dhjetor në adresë të Federatë së Futbollit të Shqipërisë.

Mirëpo, edhe këtu nuk gjejmë përgjigje, por në një raport të delegacionit të FFK-së shohim se më 16 dhjetor 1992, delegacioni i përbërë nga Hamdi Tovërlani, nënkryetar, Ajet Shosholli, përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës dhe anëtarët e FFK-së, Xhelal Morina e Beqir Aliu, ndërkohë që mungon Sejdi Mërkoja që ishte i caktuari i pestë i këtij delegacioni, kanë vizituar FSHF-në duke shfrytëzuar lidhjet personale të Xhelal Morinës përmes kushëririt të tij Sokol Morina.

Kështu, ky delegacion takohet me Bejkush Birqen, trajnerin e ekipit kombëtar dhe ekonomistin e saj Agim Suka. Delegacioni i njoftoi mikpritësit për rrjedhat e futbollit të Kosovës, për kushtet, vështirësitë dhe përpjekjet për ndërkombëtarizim. Ndërsa, mikpritësit u dhanë mbështetje dhe u treguan se të gjitha letrat u kishin arritur, por që nuk arritën të përgjigjen.

Gjatë këtij qëndrimi në Shqipëri, nuk u arrit asgjë konkrete, por me propozimin e Ajet Shoshollit u pajtuan palët që më 26 e 27 dhjetor të zhvillohet një ndeshje ndërmjet ekipeve kombëtare, por për t’u konkretizuar kjo pritej takimi me drejtorin e FSHF-së Eduard Dervishi, i cili ishte në udhëtim zyrtar dhe nuk arritën të takoheshin me te. 

A e dini se letra e parë drejtuar UEFA-s daton më 26 qershor të vitit 1992 (duke iu referuar FFK-së), ku kryetari i FFK-së Agim Bytyqi e njofton këtë asociacion në pika të shkurtra për zhvillimin e futbollit në Kosovë, vështirësitë dhe aparteidin që po ushtronte Serbia ndaj Kosovës, në veçanti ndaj sportistëve dhe iu drejtua me kërkesën që FFK-ja të bëhet anëtare e UEFA-s. Në këtë letër kryetari Bytyqi e njofton UEFA-në për strukturën organizative të FFK-së, për numrin e klubeve dhe kampionin (KF “Prishtina”) dhe fituesin e kupës(KF Trepça).

Duket se UEFA kanë shqyrtuar këtë letër, por nuk kemi ndonjë letër nga ana e saj për ndonjë përgjigje ekzakte. Mirëpo, nga disa reagime në shtypin shqiptar të asaj kohe, por edhe të atij Serb hasim se Lenart Johanson, kishte projektuar që në ciklin e kupës së kampionëve (kështu quhej atëherë Liga e kampionëve), të ketë edhe skuadra përfaqësuese nga Kosova. Sipas këtij projekti në ciklin garues 94/95 në mesin e 128 skuadrave do të merrte pjesë edhe kampioni i Kosovës. Këtë lajm e jep edhe gazeta e vetme “Bujku” i datës 27 mars 1993.

Ndërkaq reagimi i Serbisë sipas gazetës sportive serbe “Sport” i datës 26 mars të vitit 1993 ishte tepër frustrues. “Edhe UEFA po na i përcakton kufijtë”) ishte titulli i kësaj gazete, e cila citonte gazetën italiane “Gazetta dello sport”, se tashmë Johansoni i ndihmuar nga sekretari tij Aigner, kishin projektuar që si shteti i 51-të Kosova të ketë përfaqësuesin e saj në Kupën e Kampionëve. 

A e dini se Agron Berisha, Ruzhdi Kuqi, Valdet Grapci, Sokol Osmani, Dardan Kasapolli, Bujar Loci, Naim Hajrizi, Florim Lubovci etj. kanë luajtur basketboll në fusha të improvizuara.

A e dini se atletja Myrvete Përvetica mori pjesë më 9 maj 1993 (përfaqësoi Kosovën) në maratonën e Tiranës dhe në vendkalimin kufitar Shqipëri – Maqedoni, në Qafë të Thanës iu vendosën vulat në pasaportë nga kufitarët shqiptarë dhe më vonë në të njëjtin vit mori pjesë në garën ndërkombëtare, në muajin nëntor në Ohër të Maqedonisë dhe u stolis me medaljen e argjendtë.

“Kur u kthyem në kufirin Maqedoni – Kosovë, në Han të Elezit, policia serbe futet në autobus dhe gjatë kontrollit të pasaportave, mua dhe Arta Kelmendit na konfiskuan pasaportat me arsyetimin e vulave me shqiponjë që na vunë në muajin maj, që ishim në Shqipëri, pas kësaj, pas disa ditëve më erdhi ftesa nga Gjykata për kundërvajtje dhe iu përgjigja. Kur shkova më morën në pyetje për çfarë arsye kam qenë në Shqipëri dhe më thanë që kemi dëshmitar që keni ushtrua me armë në poligon në Shqipëri.

Unë nuk e pranova sepse realiteti ishte që ne kishim qenë për gara në Shqipëri, pas gjithë kësaj si përfundim më dënuan me 30 ditë burg dhe nuk e mbajta burgun por më gjobiten me 1000 marka gjermane. Tre vite ndalesë pasaporte, kështu që më vinin ftesa për gara ndërkombëtare dhe në mungesë pasaporte nuk mundesha të lëvizja askund jashtë shtetit”, tregon Përvetica.

A e dini se zhongleri i mirënjohur i Kosovës, Agim Agushi, në vitet e 90-ta ka luajtur për KF Qëndrimi në lagjen Burimi në Zaskok. Sot është rekordmen i shumëfishtë për zhonglim të topit me kokë!

A e dini se Shefqet Hasani, hendbollist, është kërcënuar nga milicia serbe. “Mua më shkruan vendimin se ku të zëmë duke luajtur në hendboll, apo aktivitet tjetër në Kosovë automatikisht të më burgosin me tri vite”, tregon Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat