Në ndjekje të lajmit sportiv, roli i gazetarëve vlerësohet i rëndësishëm në zhvillimin e sportit vendor

Sporti

Në ndjekje të lajmit sportiv, roli i gazetarëve vlerësohet i rëndësishëm në zhvillimin e sportit vendor

Më: 31 dhjetor 2022 Në ora: 12:39
Foto ilustrim

Raportimi i gazetarëve sportivë vlerësohet i rëndësishëm në rritjen e cilësisë dhe zhvillimin e sportit vendor. Raportimi i hollësishëm në prag të zhvillimit të secilës garë apo ndeshje po shihet nga vetë gazetarët si ndikuesi direkt edhe në rritjen e audiencës dhe numrit të tifozëve në tribuna.

Edhe pse konsideron se mund të bëhet edhe më shumë, gazetari Lorik Jashanica nga “Gazeta Blic”, thotë për KosovaPress, se në Kosovë për fat të mirë është rritur numri i lajmeve sportive. Ai përmend edhe raste specifike kur mediat e huaja kanë cituar lajmet e prodhuara nga mediumi ku punon.

Jashanica: Mediat faktor kyç në rritjen e audiencës në ngjarjet sportive në vend

“Mendoj që ka filluar jashtëzakonisht shumë të rritet audienca e Superligës së Kosovës (në futboll) dhe kjo falë punës së klubeve, falë punës së drejtuesve, por normalisht edhe falë punës së mediave të cilat e kanë rritur interesimin, i kanë rritur lajmet e tyre, kanë rritur prodhimet për zhvillimet që ndodhin dita-ditës në Superligën e Kosovës. Mendoj që asnjëherë nuk është mjaftueshëm të promovohet një ligë siç është kjo e jona pasi që jemi anëtarë të ri të FIFA-s dhe UEFA-s dhe jemi një shtet i ri në përgjithësi… Ka pasur raste kur edhe nga mediumi ynë kanë marrë shkrime nga Rumania në lidhje me lojtarët e Ballkanit apo klubin e Ballkanit që normalisht mua si gazetar më ka pëlqyer shumë pasi që dëshira e secilit gazetar është ajo që ajo që shprehet për ligën ose ekipet që luajnë në Kosovë të shfaqet edhe në mediat ndërkombëtare”, tha Jashanica.

Derisa kujton kohën kur nisi për herë të parë transmetimi i Superligës së Kosovës në “SuperSport”, gazetari i këtij mediumi, Florim Canolli, thotë për KosovaPress, se janë bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin e mediave në Kosovë. 

Madje, ai shton se ato janë edhe më përpara se zhvillimi i disa sporteve në vend.

Canolli: Media një hap më larg se zhvillimi i disa sporteve

“Padyshim që krahas zhvillimit të sportit, mediat kanë pasur një rol shumë të veçantë dhe shumë të rëndësishëm. Më kujtohet kur filluam punën në ‘Supersport’, filloi edhe një lloj transmetimi pak më ndryshe i Superligës së Kosovës dhe të gjithë e panë që në Kosovë transmetohet një ndeshje me shumë kamera, me kualitet të lartë, e plotë gjëra të tjera. Ishte një pikë fillimi i një zhvillimi pak të hovshëm të futbollit të Kosovës, sidomos pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA... Pastaj edhe mendoj shefat e redaksive panë që në Kosovë duhet të punohet edhe në aspektin e zhvillimit të mediave në mënyrë që mediat të kenë mundësi që në mënyrën më të mirë të mundshme ta paraqesin tek publiku atë që ndodh në sportin e Kosovës... Mendoj se nëse do të bëja një krahasim në disa prej sporteve, besoj që media është më lartë se sa zhvillimi që kanë bërë disa prej sporteve në Kosovë”, tha Canolli.

Ndërsa, gazetari Jon Ajeti nga “Klan Kosova”, thotë për KosovaPress, se kohëve të fundit është rritur shumë numri i ngjarjeve sportive që po mbulohet nga gazetarët e sportit dhe se kjo ka bërë që drejtuesit e redaksive t’i kushtojnë më shumë vëmendje këtij sektori.

Ajeti: Gazetarët po bëjnë punë të jashtëzakonshme

“Ajo çfarë po mendoj kohëve të fundit, dhe që mua po më pëlqen, është edhe redaksitë e sportit në mediumet tona kanë filluar t’i japinë hapësirë shumë më të madhe sportit vendor. Tani edhe ne besoj si gazetarë kemi çfarë të mbulojmë kur bëhet fjalë për sportistët tanë të Kosovës, jashtë edhe brenda ku do që veprojnë. Unë personalisht kisha pasur dëshirë gjithnjë e më shumë për shkak që e bëj këtë punë dhe veproj çdo ditë me sportin, edhe nëse nuk jam në punë, gjithmonë kam dëshirë ta përcjelli një aktivitet sportiv... Sa i përket punës së gazetarëve, mendoj që jemi duke bërë punë të mirë në mbulimin e ngjarjeve, sidomos në garimin e sportistëve tanë jashtë vendit... Inkurajoj përmes kësaj interviste të gjitha redaksitë dhe kolegët tanë sepse ne kemi marrëdhënie të mira me të gjithë kolegët që punojnë në degën e sportit që sa më shumë t’i japin hapësirë, sa më shumë t’i promovojnë sportistët tanë të cilët e dimë që janë ambasadorët më të mirë të këtij vendi”, tha Ajeti.

Në Gazetën “Blic”, Jashanica thotë se sporti është vendosur si rubrika e dytë më e rëndësishme dhe se krejt kjo është bërë me qëllim të promovimit të sportit dhe sportistëve vendor.

Jashanica: Puna e gazetarëve sportiv ka vetëdijesuar drejtuesit e mediave që t’i kushtojnë më shumë rëndësi sportit

“Pa asnjë dyshim, rëndësia e sportit në vitet e fundit është rritur shumë... Me promovimin e sportit vendor është rritur edhe rëndësia e sportit në redaksinë tonë gjë që ka ndikuar shumë pozitivisht. Unë jam pjesë udhëheqëse e sportit këtu që pesë vite dhe besoj që brenda këtyre viteve kemi bërë një punë shumë të madhe në promovimin e sportit vendor gjë që ka ndikuar që redaktorët apo personat drejtues të portalit që të na japin hapësirë shumë më të madhe në ueb faqe dhe në publikimin e lajmeve. Kjo nënkuptohet edhe me ballinën e dytë ku e kemi tashmë të vendosur sportin, menjëherë pas politikës... Ka filluar të zbehet ajo se lajmet e sportit janë më pak të rëndësishme, besoj që kanë ndikuar shumë edhe sukseset si në xhudo, si në futboll, si në sporte të ndryshme ku kanë treguar se edhe ne dimë të bëjmë sport edhe sporti është diçka me rëndësi dhe besoj shumë që më i rëndësishme është sporti ndonjëherë se politika dhe këtë duhet ta dinë të gjithë udhëheqësit e mediave.”, tha ai.

Por, diçka po i mungon edhe më tutje gazetarisë sportive. Sipas Canollit, ajo është gazetaria hulumtuese.

Canolli: Mungon gazetaria hulumtuese në sport

“Ajo që unë besoj që duhet të zhvillohet akoma më shumë një lloj gazetari pak më shumë hulumtuese që disa prej problemeve që ndodhin në sportin e Kosovës të hulumtohen pak më shumë, diçka që në këtë moment nuk po ndodh, ose po ndodh por po ndodh në raste sporadike, shumë të rralla dhe kjo besoj do ta përmirësohet akoma më shumë sportin e Kosovës po edhe do ta përforconte median sportive në opinionin publik po edhe karshi sportit që zhvillohet. Unë pres që kjo të ndodh në të ardhmen... Besoj që media kanë arritur në një pikë shumë të rëndësishme, sidomos tani.”, theksoi Canolli.

Një sfidë tjetër, Jon Ajeti thotë se është edhe ngarendja për t’u bërë viral në rrjetet sociale, gjë që po nidkon në uljen e besimit në punën e gazetarëve sportivë.

Ajeti. Lufta për t’u bërë viral dëmton gazetarinë sportive

“Tashmë gjithçka po bëhet virale dhe jo gjithçka po është e besueshme, por unë mendoj që e kemi krijuar një standard në përgjithësi në media që edhe shikuesit e dinë ku e gjejnë të paktën informacionin e saktë. Ju për shembull shkoni gjithmonë intervistoni palët e një çështje, nuk është me rëndësi, teksa kemi në anën tjetër që dikush e dëgjon lajmin dhe vetëm e plason edhe nuk sigurohet a ka thënë personazhi ashtu apo jo. Besoj që do të rregullohet kjo punë shumë shpejtë edhe kur të fillojë ligji për media që të mos lejohet një gjë e tillë. Unë mendoj që ende ka kualitet... Ajo çfarë uroj është që të bëhet kjo punë me pasion sepse është shumë e vështirë, mos të shikohet pjesa e pagesës sepse kjo nuk mundet të jetë kurrë e barabartë me punën dhe përgjegjësinë që ka një gazetar që është një profesion shumë fisnik dhe shumë i respektuar në të gjithë botën.”, tha në fund Ajeti.

Numri i gazetarëve sportivë në Kosovë është gjithnjë e më shumë në rritje, kjo edhe për shkak të numrit më të madh të mediumeve të reja në treg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat