​Ademi: Nuk takon medias sportive të jetë propaganduese

Sporti

​Ademi: Nuk takon medias sportive të jetë propaganduese

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 14:07
Agim Ademi

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka uruar gazetarët sportiv në Kosovës në ditën e tyre duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë më punë e tyre për t’i vënë në pah punët e mira, si dhe të jenë kritik ndaj atyre jo të mira, por në asnjë mënyrë të jenë propagandues.

Ademi ka vlerësuar lartë rolin e mediave sportive në zhvillimin e kësaj fushë, por ka shtuar se në shumë raste futbolli po sulmohet padrejtësisht.

Ky është urimi i plotë Ademi në rastin e Ditës së Gazetarëve Sportivë:

Gazetarët sportivë dhe mediat kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sportit më të popullarizuar në vendin tonë. Prandaj, ju inkurajoj të shprehni të gjitha emocionet e kësaj loje dhe të përhapni çdo gjë që është në interes të publikut dhe që njëkohësisht e ndihmon rritjen e futbollit. Ju jeni ndërmjetësit e shkëlqyeshëm që e lidhin futbollin me opinionin gjithëpërfshirës.

Sikurse në çdo fushë tjetër të shoqërisë, edhe në mediat sportive shpesh futbolli është sulmuar padrejtësisht, duke i dhënë hapësira individëve pa kredibilitet e që nuk përfaqësojnë vlerat e këtij sporti.

Kritikat qëllimmira nga njerëz me autoritet janë të mirëpritura dhe na ndihmojnë që të rritemi tutje. Prandaj, jemi gjithmonë të hapur dhe vlerësojmë kritikat konstruktive dhe reflektuese, të cilat na mundësojnë që të përmirësohemi.

Ju ftoj që gjithmonë të jeni lavdues dhe inkurajues për punën e mirë që bëjmë dhe gjithmonë realist e kritikues për punën jo të mirë, por asnjëherë si takon medias sportive të jetë propaganduese!

Ashtu sikurse futbolli, edhe gazetaria sportive ka evoluar me kohën dhe me ndryshimet e rrethanave. Sot, ka shumë televizione dhe portale që i japin një hapësirë të madhe futbollit, duke e ndihmuar atë të zhvillohet edhe më tej.

Ky progres është i mirëpritur për lojën magjike të futbollit, pasi e bën atë më të afërt me publikun.

Nuk duhet të harrojmë faktin se gazetaria sportive në Kosovë ka prodhuar emra të shquar, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në informimin e opinionit, jo vetëm në nivel vendor, por edhe në atë ndërkombëtar, lidhur me zhvillimin e futbollit në Kosovë, që nga vitet e vështira të okupimit e deri më sot.

Duke iu shprehur falënderime të sinqerta gjithsecilit prej jush për punën e palodhshme, ju uroj edhe një herë Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat