Ceremoni plot emocione e lot, Karaqi nderohet me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”

Sporti

Ceremoni plot emocione e lot, Karaqi nderohet me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 13:24
Ceremoni plot emocione e lot, Karaqi nderohet me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”

Në vijim të traditës për nderimin dhe vlerësimin e kampionëve të sportit të disiplinave të ndryshme, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i dorëzoi sot medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” , sportistit të Federatës së Karatesë së Shqipërisë, Alvin Karaqi, i cili garoi në Lojërat Evropiane të Krakovës në Poloni, duke nderuar Shqipërinë me titullin kampion.

Në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri, Rama tha ndër të tjera, se Shqipëria e vogël, që nuk është ndër vendet e pasura, iu ofron kampionëve dhe atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë për t’u bërë kampion, një mbështetje që pak vende e kanë, raporton KosovaPress.

Rama: Ne i bëjmë këto ceremoni për t’ju shprehur mirënjohjen kampionëve

Ne i bëjmë këto ceremoni për t’ju shprehur mirënjohjen kampionëve, por edhe për t’i dhënë mundësinë të gjithë të tjerëve që të marrin sadopak nga energjia e tyre pozitive, të marrin sadopak nga shembulli i tyre, të marrin sadopak nga forca e tyre e besimit, e vullnetit, e gatishmërisë për të tejkaluar çdo vështirësi sepse deri tek momenti kur ngrihet flamuri dhe këndohet himni nuk është thjeshtë ajo që ne të tjerët shohim në zhvillimin e një kompenticioni, por është një histori e tërë që askush nuk e sheh përveç atij që e bën”, tha Rama.

Më tej, Rama tha se dikur Shqipëria ka humbur medalje pasi që sportistët shqiptarë detyroheshin të ndërrojnë kombësi e të lënë pas atdheun për “një copë bukë”, por që kjo nuk ndodh më, ku ka sportistë që vijnë nga vende të tjera dhe tani e zgjedhin Shqipërinë vetëm për të garuar me fanellën kuqezi.

Rama: Sportistët po vijnë nga vende të tjera dhe po zgjedhin Shqipërinë për të garuar me fanellën kuqezi

Fideli tha, kemi humbur në vitet ’90, në fillim të viteve 2000 dhe deri vonë , 37 medalje olimpike ne sensin që sportistë shqiptarë të talentuar, pasionantë, me vullnet të hekurt kanë qenë të qenë të detyruar të ndërrojnë flamur, kanë qenë të detyruar që për t’i shkuar deri në fund limiteve të forcës dhe të pasionit të tyre, të lënë pas atdheun dhe të zgjedhin një atdhe të dytë nga njëherë edhe për një copë bukë kur i thonë fjalës. Kjo nuk ndodh më! Përkundrazi! Ne kemi sportistë që vijnë nga të tjera vende dhe që zgjedhin Shqipërinë si atdheun e tyre të dytë për të garuar me fanellën kuqezi dhe që ngrenë flamurin tonë kombëtar sepse këtu përfitojnë pikërisht nga këto kushte të reja të krijuara dhe nga ky kuadër i ri i mbështetjes... Në mbyllje i dashur Alvin, unë dua të them që prania jote sot është shumë e rëndësishme për ne këtu. Është po aq e rëndësishme sa prania e një presidenti apo një kryeministri që vjen të na vizitojë nga cilido vend i Evropës. Ti je shëmbëlltyra e flamurit tonë kombëtar dhe me gjithë zemër unë të uroj shëndet në radhë të parë, sepse kjo është e padiskutueshme si kusht që ti të vazhdosh të stërvitesh dhe të arrish sukses. Të uroj të vazhdosh të jesh ky që je, të uroj që të jesh i rrethuar nga dashuria dhe nga respekti i të gjithëve, e mbi të gjitha që familja juaj të jetë e lumtur edhe të ketë sa më shumë arsye për të qeshur e për të gëzuar”, tha Rama.

Pas kryeministrit Rama, fjalën morri vetë kampioni i karatesë, Alvin Karaqi, i cili përgjatë gjithë fjalimit të tij nuk mundi t’i mbajë lotët. Karaqi tha se që nga dita e parë kur ishte bajraktari i ekipit olimpik kuqezi në ceremoninë hapëse të Lojërat Evropiane të Krakovës, për atë ajo ishte dita e medaljes, dita kur ai u ndje si Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Karaqi: Dita kur isha bajraktar ishte dita e medaljes, u ndjeva si Gjergj Kastriot Skënderbeu

Duke filluar nga dita e ceremonisë hapëse që e përmendi presidenti ku morra rolin e bajraktarit të ekipit olimpik, për mua ajo ka qenë dita e medaljes, pa marrë parasysh çka do të ndodhte në ditën tjetër, me qenë bajraktar u ndjeva si Gjergj Kastrioti për besë... Kemi një histori të bujshme jo vetëm në sport, por edhe histori, histori të madhe evropiane, edhe kjo është njëra prej arsyeve kryesore se pse na duhet me vazhdu, pse duhet me luftu për këto medalje, pse duhet me luftu për këtë flamur, pse kjo shqiponjë është kaq krenare, dhe pse na e bëjmë shqiponjën gjatë gjithë kohës, sepse nuk është arsye e kotë pse lojtarët e bëjnë atë, jemi krenarë që e përfaqësojmë Shqipërinë”, tha Karaqi.

Për fund, Karaqi falënderoi të gjithë që ishin të përfshirë dhe që e ndihmuan atë drejt këtij suksesi, ndërsa shpresoi që kjo arritje e tij t’iu shërbejë sportistëve të tjerë si motiv për t’i realizuar ëndrrat e tyre. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat