Fatih Karabaxhaku dhe Taibe Ruli kampionë të çifteve të përziera në Kampionatin e parë individual Mbarëkombëtar (Kosovë – Shqipëri)

Sporti

Fatih Karabaxhaku dhe Taibe Ruli kampionë të çifteve të përziera në Kampionatin e parë individual Mbarëkombëtar (Kosovë – Shqipëri)

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 22:25
Pamje nga vendi i ngjarjes

Sot, me datë 18.11.23, duke filluar nga ora 14:00 filloi organizimi i Kampionatit të parë Individual Mbarëkombëtar Kosovë - Shqipëri në të cilën marrin pjesë lojtarët më të mirë nga Kosova dhe Shqipëria.

Aktiviteti  filloi me ceremoninë e hapjes ku në prezencën e rreth 150 pjesëmarrësve, kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës z. Jeton Beqiri informoi të pranishmit për aktivitetin që kanë organizuar së bashku këto dy federata, si dhe për aktivitetet e radhës. Tutje të pranishmit i përshëndeti, sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Shqipërisë, z.Tonin Binoshaj, Përfaqësuesi i komunës së Ferizajit z. Kemajl Emini, si dhe përfaqësuesi nga MKRS z. Agron Gashi.

Siç ishte planifikuar aktiviteti filloi me garat çifte të përziera, ku të paraqitura ishin 32 çifte nga Kosova dhe Shqipëria, e pas shumë ndeshjeve interesante në gjysmëfinale u plasuan Kreshnik Mahmuti dhe Lenë Osmani me Fatih Karabaxhaku dhe Taibe Ruli, edhe pse Kreshniku me Lenën ishin favorit, ata u befasuan nga Fatih me Taiben që fituan lojën me rezultat 3:2. Në gjysmëfinalen tjetër u takuan Aron Koni dhe Samanda Agolli kundër Jonuz Tufa dhe Anila Gjoka, ndeshje të cilën e fituan të rinjtë Aron Koni dhe Samanda Agolli me rezultat 3:0.

Finalja ishte ndeshje shumë dramatike dhe me kthesa, fillimisht në ndeshje me 1:0 avansuan Fatih dhe Taibe, pastaj Aroni dhe Samanda kthyen rezultatin në favor të tyre duke udhëhequr me 2:1. Fatihu me Taiben barazuan dhe shënuan fitore me rezultat të ngushtë 3 me 2 për tu futur në histori si kampionët e parë të çifteve të përziera të kampionatit individual mbarëkombëtarë Kosovë – Shqipëri.

Nga ora 17:00 filluan garat në disiplinën individuale në të dy gjinitë në fazën e grupeve që pritet të nxjerrë dy fituesit nga secili grup që do të avancojnë në sistemin eliminator që do të organizohet nesër.

 Nesër nga ora 10:00 po ashtu janë paraparë të fillojnë garat e çifteve të meshkujve dhe të femrave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat