Bilardo, në aktivitetin e fundit të 2023-shit

Sporti

Bilardo, në aktivitetin e fundit të 2023-shit

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 11:43
Pamje nga një garë

8 më të mirët në sportin e bilardos kanë sfiduar njëri—tjetrin në aktivitetin e fundit të vitit 2023.

Ata që fituan trofe në aktivitetet kombëtare dhe në ato ndërkombëtare morën pjesë në turneun “8 më të mirët e vitit“.

Midis tyre ishte edhe kampioni i botës, Eklent Kaçi, i cili për RTSH, tregon arritjet në 2023 dhe synimet për 2024.

“Në vitin 2023 kisha një start që se kam patur kurrë më parë, fitova kampionatin botëror në Las Vegas, dola i dyti në 16-shen më të mirë të botës, por më pas pësova një aksident. Objektivi i parë është kampionati që zhvillohet në Las Vegas, kampionati botëror i 10-shit. Jam dy herë kampion bote në 10-sh, në 2022 kam dalë i treti“, ka deklaruar Kaçi.

Edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku, tregon me krenari arritjet e këtij sporti në 2023 dhe veprimtaritë që do të organizojë në 2024.

“Pikantja e këtij eventi është se ne kemi 8 bilardistët më të mirë, që kanë marrë tituj në Europë, Ballkan dhe Shqipëri. Duke filluar nga data 24 janar, në Golem, kemi kampionatin botëror të snukerit, ku vijnë të rinj, të rritur dhe femra. Vijnë rreth një mijë bilardist snukerist“, thotë Loku.

Në fund të veprimtarisë, sipas rezultateve të arritura, 8 bilardistët pjesëmarrës morën edhe çmimet dhe trofetë përkatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat