Super Bowl LVIII, San Francisko për historinë, Mahoms në gjurmët e Bredit

Sporti

Super Bowl LVIII, San Francisko për historinë, Mahoms në gjurmët e Bredit

Më: 11 shkurt 2024 Në ora: 14:30
Foto ilustrim

Në orët e para të së hënës (00:30) i gjithë globi do të ketë vëmendjen në Las Vegas ku në “Allegiant Stadium” do të mbahet Super Bowl numër 58. Për shtetin e Nevadës kjo është hera e pare që pret një event kaq të rëndësishëm.

Përballë njëra-tjetrës do të jenë dy ekipe me histori krejt të veçanta. Nga njëra anë qëndron skuadra e San Franciskos. Formacioni nga Kalifornia është në ndjekje të New England Patriots dhe Pitsburg Steelers, të cilat organizatat me më shumë tituj (6 secila). San Francisko deri më tani ka fituar pesë herë këtë titull edhe pse ka mbërritur plot 7 herë në finalen e madhe. Njërën nga dy humbjet në finalen e madhe ja ka shkaktuar pikërisht Kansas Siti në 2019.

Nga ana tjetër ekipi nga Misuri është më pak i famshëm në NFL. Ekipi i Kansasit ka shkuar plot pesë herë në Super Bowl duke e fituar tri herë. Suksesin më të madh Kansas Siti e ka njohur me ardhjen në ekip të kuoterbekut të talentuar Patrik Mahoms. Është pikërisht Mahoms (dy herë fitues i Super Bowl, 2019 dhe 2022) ai që mund të “kërcënojë” edhe një “Zot” si Bredi, i cili deri pak vite më parë mendohej se nuk do të kishte rivalë në këtë disiplinë. Tom Bredi, me New England (6 herë) dhe Tampa Bay (1 herë) numëron plot 7 Super Bolw të fituar.

Sa i përket finales që nis në orët e para të ditës së hënë dy skuadrat përveç Super Bowl të vitit 2019 kanë luajtur kundër njëra-tjetrës plot 14 herë të tjera dhe secila nga skuadrat numëron 7 fitore.

Organizata e Kansasit, e cila zotërohet nga familja Hant, vlen sot 3.7 miliardë dollarë. Nga ana tjetër ajo e 49-ers, e cila zotërohet nga familja Jork (ka në pronësi edhe Lids Junajtidin në Premier Ligë), vlen sot 6 miliardë dollarë.

Sa i përket biletave mësohet mesatarisht një biletë në “Allegiant Stadium” ka kushtuar 8.600 dollarë ndërsa më e shtrenjta ka kapur shifrën e 125.992 mijë dollarëve.

1000 forca të policisë së Las Vegasit do tw jenë në patrullim, për të ruajtur rendin. Ndërsa FBI ka bërë me dije se 750 agjentë të saj do të jenë në impiant. Homeland Secyrity ka njoftuar se nga Departamenti i tyre do të zbresin në terren 385 persona.

Zona rreth “Allegiant Stadium” do të jetë “no fly zone” për dronët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat