Super Sportistët, Daulina Osmani: Një program i tillë i ka munguar vendit tonë 

Sporti

Super Sportistët, Daulina Osmani: Një program i tillë i ka munguar vendit tonë 

Më: 2 maj 2024 Në ora: 15:50
Ismet Krasniqi, Daulina Osmani e Kushtrim Krasniqi

Para përfaqësuesve të federatave, klubeve sportistëve dhe mediave është prezantuar programi për performancë të lartë sportive “Super Sportistët”.

Programi mbështet sportistët përgjatë karrierës së tyre aktive dhe është i ndarë në tri faza, ndërsa për synim ka rezultatet e sportistëve në Lojërat Olimpike 2028 në Los Angjelos, Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 dhe Lojërat Olimpike Brisbane 2032.

“Super Sportistët” synon të identifikojë dhe të përzgjedh top-talentët e Kosovës dhe të ndihmojë në zhvillimin e tyre përmes mbështetjes financiare dhe trajnimit të specializuar.

Kjo përfshin sigurimin e resurseve të nevojshme për trajnimin e tyre dhe pjesëmarrjen në stërvitje profesionale, për kujdesin dhe zhvillimin shëndetësor, furnizimin me pajisje profesionale dhe inovative për zhvillim maksimal të potencialit, mbikëqyrjen e progresit sportiv dhe mirëqenies së sportistit përgjatë karrierës së tyre profesionale.

Për ciklin Olimpik 2024-2028, buxheti i programit është 4 milionë euro, ndërsa për cilësinë e këtij programi janë angazhuar profesionistë të dëshmuar nga fusha e sportit.

Në hapje të konferencës folën zëvendësministrja Daulina Osmani, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe medalistja Olimpike në Xhudo, Majlinda Kelmendi.

Prezantimin e këtij programi e quajti ngjarje të rëndësishme për sportin presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i cili theksoi se krahas mbështetjes së KOK-ut që ndanë 75 bursa për sportistë dhe trajnerë, sportistët tani do të kenë edhe mbështetjen direkte dhe të fuqishme të Qeverisë së Kosovës përmes MKRS-së.

Zëvendësministrja Osmani tha se një program i tillë i ka munguar vendit tonë, dhe shpesh herë investimi në sport ka qenë barrë për prindërit, sportistët, federatat dhe klubet, duke theksuar se tashmë po kthehet fokusi tek top sportistët.

Medalistja Olimpike në Xhudo, Majlinda Kelmendi, foli për rrugëtimin e saj dhe vështirësitë që ka pasur gjatë karrierës në xhudo, duke besuar se investimet që po bëhen në sport dhe këtë program do të ndikojnë që në të ardhmen të kemi sportistë dhe kampionë të mëdhenj.

Prezantimi i programit u bë nga kryemjeshtri Driton Kuka, kryesues i komisionit për Performancë të Lartë Sportive, i cili tha se ky program në qendër ka sportistin/en.

Bazuar në pjesëmarrjet në Lojërat Olimpike dhe potencialin e shfaqur në vitet e fundit në arenën ndërkombëtare programi parasheh përkrahjen e sportistëve nga sporti i xhudos, boksit, mundjes, taekwondos, atletikës, notit, skijimit dhe shenjëtarisë sportive.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes në program të sportistëve nga sportet e tjera në programin e lojërave olimpike, të cilët shfaqin potencial për arritje të rezultateve kulmore në garat ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat